LAJMI I FUNDIT:

Eneda Tarifa fiton festivalin Kënga Magjike

Eneda Tarifa fiton festivalin Kënga Magjike
(Foto: Facebook/Kënga Magjike)

Eneda Tarifa është shpallur fituesja e edicionit të sivjetmë të festivalit “Kënga Magjike”, në të cilin konkurroi me këngën “Ma zgjat dorën”.

Fituesja e festivalit të sivjetmë që ishte i 21-ti me radhë u vendosë nga publiku, juria dhe votimi i artistëve për njëri-tjetrin.

Vendi i dytë në garën e sivjetme shkoi për Filloreta Raçin – Fifi me këngën “Marova”, teksa e treta në renditje ishte Anxhela Peristeri me “Dikush i imi”.


Për dallim nga edicionet e kaluara, kësaj radhe nuk u ndanë shumë çmime, pos çmimeve për dy kategoritë e reja të këtij viti, ‘New International Artist’ (grupi italian Sisma) dhe ‘Best Big International’ (këngëtarja nga Maqedonia e Veriut, Tamara Todevska), si dhe për Best New Artist (Khuba).

Në skenën e “Kënga Magjike” interpretuan 45 artistë, ndërsa të ardhurat e mbledhura nga biletat do të shkojnë për të mbështetur të prekurit nga tërmetet në Shqipëri.

Festivali është shoqëruar me spektakël dhe emocion, teksa me rëndësi ishte çmimi kryesor për realizimet muzikore që konkurruan në këtë eveniment. Në këtë edicion, krahas nikoqirit Ardit Gjebrea, ka prezantuar edhe modelja e njohur Adrola Dushi. /Telegrafi/