LAJMI I FUNDIT:

Për Besnik Camajn dhe një “Strehë dashnie”

Për Besnik Camajn dhe një “Strehë dashnie”

Nga: Primo Shllaku

(Fjala e mbajtur në promovimin e krijimtarisë letrare të poetit Besnik Camaj, në Muzeun Kombëtar në Tiranë)

Besniku na vjen me një emën të madh, Camaj. Të paktën për mua ky mbiemën asht shumë gravitacional, i madh, i randë. Dhe qysh këtu duhet të na fillojë edhe paragjykimi, sepse kur njihemi me dikend për herë të parë, ka një paragjykim që është si biletë hyrëse.


Unë them që edhe Camaj 1 – Martini, edhe Camaj 2 – Besniku, janë poetë. E kanë n’thu ndjeshmëninë e poezisë, sidomos lirizmin.

Besniku ka ardhë me nji libër tanësisht erotik. Erotika sot asht ndoshta nji kandvështrim shumë i sikletshëm, sepse njerëzit kur zgjedhin erotikën, shkrihen në mall dhe libri bahet ashtu, si veshmbyllë. Po Besniku ka nji masë, nji vetndjenjë shumë interesante për lirikën. Ai ka edhe një sekret të madh, do të thosha unë. Ai i bashkangjitet nji tradite të madhe shqiptare lirike, e cila kalon nëpërmjet gegënishtes së tij.

Poezia e tij ka nji prumje të madhe gjendjesh shpirtnore të cilat janë karakteristike për njeriun që dashunon, për njeriun që njeh, që provon ndjenjën ma njerëzore, ate që nuk e provojmë ne, asnjë qenie tjetër që nuk bie në dashuni. Dhe kjo e bën Besnikun një poet pak-a-shumë kundër rrymës, sepse shofim që poetika e sotme erotike asht në tkurrje, në dijeninë time po flas; se ka që shkruajnë po mënyra asht shumë agresive ose asht shumë amazoniane.

Tash po kthehemi te traditat. Nëqoftëse nuk i gjejmë rranjën poetit atëherë nuk mund t’i gjejmë as dritën. Po e hapi kulturalisht kët bisedë. Kam mbetë shumë pozitivisht i përshtypun nga nji ekspozitë në Galerinë e Arteve, ku në hollin kryesor ishte nji anije e varun n’tavan dhe disa girlanda, vargje dritash të cilat duken sikur janë rranjët e asaj anije. Pikërisht në studimet tona letrare, ne na mungon kjo ambicie, bile edhe ky orientim: gjetja e rranjëve.

Mirëpo, Besa i Lozanës dhe i Camajve të Tuzit, më duket shumë inteligjent që nuk u ik rranjëve të veta, nuk e mbjell pemën n’ajër. Pra nuk i ik poezisë lirike e cila na kujton ate butësinë, ate qetësinë, ate paqen paradiziake të Mjedës, apo të ndonjë poezie tjetër me sfond erotik.

Kështu që Besniku e ka ruejtë rranjën e vet të ndritshme, asht ngjitë te burimi, dhe ajo rranjë asht e sigurtë. Gjithmonë tradita asht lektisje e sigurtë. Nëqoftëse ka këtu njerëz që shkruajnë, mos t’i ikun traditës së madhe, asaj mbetëse, asaj që nuk vdes me ta.

Besniku me shumë inteligjencë, ashtu modestisht ka prek temat e thjeshta, të bukura e të përjetshme të dashunisë, lektisjet e dashunisë (lektisje, kjo fjalë e bukur e tosknishtes, e mrekullueshme) dhe gjithçka ec normalisht.

Pra, letërsia shqiptare, sidomos lirika, nuk ka për ta hedh librin e Besnikut të Camajve si libër që plaket. Do ta mënjanojë si libër që vetë autori mund ta tejkalojë, por jo ndryshe!

Më ka pëlqye edhe një lloj kundërshtie shumë e çuditëshme e tij, në lidhje me letërsinë e ngarkueme ideologjikisht. Për shembull në kohën kur ideologjia përcaktonte fort letërsinë dhe ndërhynte deri te lirika (deri te mënyra se si të putheshhin të rinjtë, ose se si rrinin pa u puthë për me u puthë mbasi të mbaronte libri …po po, vetëm një puthje ka në letërsinë e ngarkueme shqipe…).

Nëqoftëse letërsia e martueme me ideologji, e përcaktonte edhe lirikën; Camaj 2 bën të kundërtën. Pra, politikën dhe ideologjinë e trajton si erotizëm!

Dhe asht pikërisht poema e parë “Republikë” që e trajton Republikën e Kosovës kështu: e fillon në nji mënyrë konvencionale (që ne ta kuptojmë si një andërr, si nji dashuni të madhe të viteve ’60, ’70, ’80; qyshse doli ai mirakël mbi qiellin e Kosovës) dhe kalon dalngadalë, e shifet se Republika nuk asht nji koncept abstrakt por asht një femën e bukur, bile edhe një kapelë republika, kapelë që rrin bukur dhe përshëndet njerëzit.

Pra asht një kalim shumë i gjetun nga ana e mikut tonë, dhe unë e përshëndes pikërisht për atë se nuk ka nevojë dashunija për politikë, po politika ka nevojë për dashni dhe duhet trajtu si e tillë.

Dhe kët ide, kam bindjen e plotë, Besniku e ka krejt origjinale dhe e ka punu me kaq filigranë, me kaq elegancë dhe me kaq aftësi realizuese.

Unë do ta përgëzoj shumë për kët thyesë t’invertueme, pra kur dashnija i mëson politikës formën dhe delikatesën. Kjo asht nji mrekulli që na mungon të gjithëve!