LAJMI I FUNDIT:

Kompania “Al Trade Center” ka dhuruar 30 kompjuterë për Fakultetin e Edukimit në Universitetin e Prishtinës

Kompania “Al Trade Center” ka dhuruar 30 kompjuterë për Fakultetin e Edukimit në Universitetin e Prishtinës

Të martën kompania “Al Trade Center”, ka dhuruar 30 kompjuterë për Fakultetin e Edukimit në Universitetin e Prishtinës, të cilat arrijnë vlerën prej 20 mijë eurosh.

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Marjan Demaj fillimisht ka falënderuar kompaninë për këtë donacion që e ka bërë, duke theksuar se edukimi i fëmijëve të Kosovës është në duart e studentëve të këtij fakulteti.

Ai ka theksuar se është kënaqësi e madhe që hapja e kësaj salla e cila është pajisur me këta kompjuterë po bëhet pikërisht me 1 tetor, dita e parë e këtij viti akademik.

“Kush ma mirë se të rinjtë tonë me entuziazmin e tyre mund ta bëjnë ndryshimin”, ka thënë Demaj.

Drejtori i “Al Trade Center”, Sokol Gashani ka theksuar se ndihet i privilegjuar dhe i nderuar që ka pasur rastin që në ditën e parë të vitit akademik të jetë me ta.

Ai ka kërkuar nga studentët që të përkushtohen sa më shumë në mësim dhe studim.

“Ju, rinia, jeni pasuria më e madhe e shtetit tonë. Pa ju as shtetin nuk mund ta ndërtojmë. Kontributin që ne po mundohemi ta japim përmes kësaj ndihme, po shpresojmë që ju ta na e ktheni me mësim, sepse ky është shpërblimi më i mirë për ne”, ka shtuar Gashani.

Në anën tjetër, Dekani i Fakultetit të Edukimit, Et’Hem Çeku ka shprehur falënderimin e tij për kompaninë “AL Trade Center” për dhurimin e 30 kompjuterëve.

Sipas tij, ky donacion do ë ndikojë në përmirësimin dhe ngritjen e cilësisë në disa prej lëndëve që mëson në këtë drejtim.

“Përdorimi i teknologjisë do të kontribuoj në mësimdhënie dhe mësimnxënie, e që presim që do të jetë më e mirë se deri tani”, ka shtuar Çeku. /Telegrafi/