LAJMI I FUNDIT:

Osmani në hapjen e fushatës zgjedhore në Prishtinë: Kosova është e pandashme dhe e përjetshme

Osmani në hapjen e fushatës zgjedhore në Prishtinë: Kosova është e pandashme dhe e përjetshme

Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes një komunikate të bërë për media ka njoftuar rreth hapjes së fushatës zgjedhore në Prishtinë.

Në komunikatën e bërë thuhet se, përpara dhjetëra mijëra qytetarëve të mbledhur në sheshin “Ibrahim Rugova” në Prishtinë, në manifestimin qendror të hapjes së fushatës zgjedhore, kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, ka thënë se se nga 6 tetori, me vullnetin e lirë të qytetarëve ajo do të jetë kryeministre e vendit dhe do të garantoj që Republika e Kosovës do të jetë e pandashme dhe e përjetshme, e në miqësi me aleatët tanë euroatlantikë.

“Do t’ia hapim dyert e mbyllura shtetit tonë. Qeveria e udhëhequr nga LDK do ta shpërthejë izolimin që e kemi si pasojë e politikanëve kryeneçë e keqbërës. S’ka nevojë për qeveri megalomane siç ishte e ashtuquajtura qeveri e vendimeve të mëdha. Ajo do të kujtohet vetëm si qeveri e skandaleve, grykësisë e gllabërimeve të mëdha. Do të ndërmarrim hapa të shpejtë për dekriminalizimin e sistemit të drejtësisë”, ka thënë Osmani.


Osmani ka thënë se LDK-ja si anëtare e Partive Popullore Evropiane do ta thellojë bashkëpunimin me vendet mike, sepse siç thoshte presidenti Rugova, “shtëpia nuk mbahet pa miq”.

“Zotohemi që shtëpinë tonë, Kosovën tonë asnjëherë nuk do ta mbajmë pa miq. Gjatë vitit të parë qeverisës, LDK-ja do të ndërtojë të gjitha urat e komunikimit, do t’i rihapë të gjitha dyert e mbyllura nga njerëzit e papërgjegjshëm, do të krijojë komunikim të shëndoshë me këto shtete, që për ne janë shpëtimtare, do ta rikthejë miqësinë e cila është ekzistenciale për republikën tonë”, potencoi Osmani.

Kandidatja e LDK-së, Vjosa Osmani është shprehur e bindur për fitoren e LDK-së në zgjedhjet e 6 tetorit. “Jam sot këtu me zemrën plot, me bindjen e thellë dhe besimin e pathyeshëm se nuk ka asgjë në botë që mund ta ndalë rrugën e fitores. Ne si popull kemi kaluar nëpër sfida të cilat i kemi tejkaluar falë vizionarit Ibrahim Rugova – si dhe falë sakrificës dhe luftës së popullit tonë për liri. Përkulem sot para sakrificës se familjes Adem Jashari si dhe para të gjithë heronjve të Kosovës”.

Ajo ka thënë se LDK-ja ka një trashëgimi të madhe që do të na ndihmojë për ta konsoliduar shtetin e Kosovës, këtë vepër që e nisi dhe do ta përfundojë LDK-ja.

“Ora e ndryshmit të madh po vjen, LDK në aleancë me ju, me 6 tetor do t’i thotë lamtumirë qeverisjes së keqe në vend. LDK ashtu sikur në kohën e Rugovës, po hyn më e bashkuar se kurrë për fitore”.

Ajo ka thënë se me fitoren e LDK-së “…do të çlirohemi nga ata që rrënuan besimin në institucionet e vendit dhe nga ata që rrënuan miqësinë me partnerët ndërkombëtarë. Fitorja jonë do ta ktheje Kosovën në hartën me plotë dinjitet për të qeverisur”.

Osmani ka thënë se LDK del para qytetarëve me një program që fokusohet në interesat e qytetarëve. “Ne dalim sot para jush me një ekip njerëzish të përkushtuar, të ndershëm dhe profesionistë. Programi ynë do t‘ia hapë vendit tonë dyert e mbyllura”.

“Republika e Kosovës nuk ka nevojë për një qeveri megalomane e cila për fatin e keq të Kosovës do të kujtohet si qeveri e skandaleve”, ka thënë Osmani.

Osmani ka thënë se për LDK-në, siguria publike, rendi dhe ligji janë domosdoshmëri. “LDK-ja në këto zgjedhje e ka vendosur në qendër të saj, familjen dhe rininë sepse këto janë shtyllat kryesore të shtetit tonë. Brezi ynë i ri duhet ta shoh perspektivën këtu dhe jo jashtë vendit”, ka thënë Osmani.

Osmani ka thënë se LDK-ja ka qenë dhe do të mbetet shkollë e mendimit politik në Kosovë. “Ne i japim mundësi të barabarta të gjithë qytetarëve tanë. Nga 6 tetori unë do të jem kryeministre e të gjithë qytetarëve pavarësisht bindjeve të tyre politike, pavarësisht moshës, etnisë, gjinisë, regjionit apo religjionit”, ka thënë osmani.

Ajo ka shtuar se ata që e kundërshtonin Presidentin Rugova, sot po garojnë të identifikohen me të.

Sipas saj, gjatë viteve të fundit i kemi festuar sukseset e artistëve tanë në arenën ndërkombëtare, kemi festuar që ata janë ngjitur në piedestalin e ngadhënjyesve, ndërsa flamuri i Kosovës është valëvitur mbi flamujt e shteteve shumë herë më të mëdha se Kosova.

“I kemi festuar sukseset e Kombëtares së Kosovës në futboll, e cila ka arritur rezultate të jashtëzakonshme, duke na bindur të gjithëve se Kosova mund të ndeshet edhe me kombëtare të dëshmuara, me traditë të gjatë, ky është shpirti i kosovarëve. Ky është shpirti i rinisë sonë. Ky është shpirti ngadhënjyes i qytetarëve tanë”, pohoi nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Ukraina nuk do të anëtarësohet në NATO për sa kohë që unë jam në krye të qeverisë sllovake - thotë kryeministri Fico

Ukraina nuk do të anëtarësohet në NATO për sa kohë që unë jam në krye të qeverisë sllovake - thotë kryeministri Fico

Evropa
Barcelona do të tentojë transferimin e yllit të Bayernit të cilit i skadon kontrata në fund të sezonit

Barcelona do të tentojë transferimin e yllit të Bayernit të cilit i skadon kontrata në fund të sezonit

La Liga
Njihuni me

Njihuni me "ishullin parajsë" në Belize, ku çmimi për një shtëpi nuk është i lirë, por ka shumë për të ofruar

Botë
Ky është çifti që thuhet se u gjetën të vdekur, të përqafuar nën rrënoja - pas përmbytjeve shkatërruese në Bosnjë

Ky është çifti që thuhet se u gjetën të vdekur, të përqafuar nën rrënoja - pas përmbytjeve shkatërruese në Bosnjë

Bosnja
Ushqimi për FSK-në - flet ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci

Ushqimi për FSK-në - flet ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci

Lajme

"Nga kthimi te Kosova, te ëndrra për të luajtur te Barcelona" - Edon Zhgrova flet rreth temave të nxehta

Përfaqësuesja e Kosovës
Kalo në kategori