LAJMI I FUNDIT:

Kërkohen lehtësira që diaspora të votojë në zgjedhjet e 6 tetorit

Kërkohen lehtësira që diaspora të votojë në zgjedhjet e 6 tetorit

Bashkatdhetarët që jetojnë jashtë Kosovës duhet të aplikojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të pasur mundësi pastaj të votojnë përmes postës për zgjedhjet e parakohshme. E sipas organizatës jo-qeveritare GERMIN, KQZ-ja nuk është duke punuar mjaftueshëm për të lehtësuar këtë proces. Ndërsa nga KQZ-ja thonë se po bëjnë maksimumin në këtë drejtim.

Në prag të zgjedhjeve të parakohshme, organizata jo-qeveritare GERMIN i ka bërë thirrje KQZ-së që të bëjë përgatitjet e duhura për të lehtësuar procesin e votimit për bashkatdhetarët që jetojnë jashtë vendit.

Liza Gashi, drejtoreshë ekzekutive e kësaj organizate, ka thënë se KQZ-ja duhet të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të evituar problemet e shfaqura në zgjedhjet e kaluara.


“Ne kërkuam nga KQZ që të mos kemi problemet e njëjta si zgjedhjet e kaluara. Shembull, në zgjedhjet e kaluara kemi pasur probleme bazike si bllokimi i emailit, publikimi i listave me numra personalë dhe disa detaje tjera që kanë shkaktuar problem, por edhe disa detaje tjera por edhe fakti që është afati shumë i shkurtër kohor”, thotë për RTV Dukagjinin, Liza Gashi.

Ajo ka thënë se e kanë parë të arsyeshme që të zhvillojnë një kampanjë intensive për informimin e bashkatdhetarëve rreth procesit të votimit në zgjedhje, ndonëse kjo duhet të bëhet nga KQZ-ja.

“Për momentin si organizatë kemi filluar një kampanjë ‘Vota e diasporës 2019’, e cila ka për qëllim të informojë votuesin jashtë vendit për mënyrën e aplikimit. Zyra për Informim e KQZ duhet të jetë shumë më aktive në këtë drejtim. Deri tash nuk kam parë ndonjë informacion publik nga ana e KQZ-së”, shprehet Liza Gashi, përcjell Telegrafi.

Ndërsa, Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së ka thënë se po punohet intenzivisht në këtë drejtim.

“Nëse bëjmë një krahasim me zgjedhjet e parakohshme të vitit 2017 kur periudha e aplikimit ishte vetëm 8 ditë, në këto zgjedhje kjo periudhë zgjatë 12 ditë. KQZ është duke u munduar përmes mediave, rrjeteve sociale e vebfaqes së KQZ-së të informoj qytetarët për të aplikuar dhe shfrytëzuar të drejtën e tyre për të votuar”, deklaroi Valmir Elezi.

Periudha e aplikimit për tu regjistruar si votues jashtë Kosovës ka filluar më datën 30 gusht dhe do të përfundojë më 10 shtator. /RTV Dukagjini/Telegrafi/