LAJMI I FUNDIT:

Planifikimi i buxhetit të KQZ-së, pasi të shpallen zgjedhjet

Planifikimi i buxhetit të KQZ-së, pasi të shpallen zgjedhjet

Ka kaluar një javë që kur Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryeministrit dhe ende nuk është vendosur nëse do të shkojë vendi në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Ndonëse partitë politike pa dallime kanë deklaruar se duan zgjedhje të jashtëzakonshme, tek javën e ardhshme pritet që presidenti të fillojë konsultimet me partitë politike.

E vetëm pasi të merret vendimi që vendi të shkojë në zgjedhje, një nga procedurat që duhet ndjekur është që Komisionit Qendror Zgjedhor t’i ndahen mjete financiare për të organizuar ato.


Deri tash, Komisioni Qendror Zgjedhor nuk ka bërë planifikim të buxhetit që do t’i duhet për të organizuar zgjedhjet e jashtëzakonshme, por një gjë të tillë do ta bëjë në momentin kur të shpallen zgjedhjet.

Viti 2019 nuk është vit zgjedhor dhe në këtë mënyrë në buxhetin e këtij viti nuk janë paraparë mjete për organizimin e zgjedhjeve, por që Ministria e Financave e posedon një fond që mund ta përdorë për këtë qëllim.

Bazuar në të dhënat e Komisionit Qendror Zgjedhor, zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura në vitin 2017 kanë kushtuar 4 milionë euro.

Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi, përmes një përgjigje me shkrim i ka thënë KosovaPress-it, se fillojnë me përgatitjet intensive për zgjedhje vetëm pasi ato të shpallen.

Në këtë drejtim ai thotë se duke qenë se ende nuk janë shpallur zgjedhjet edhe nuk kanë bërë ndonjë planifikim të buxhetit.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve fillon me përgatitjet intensive të një procesi zgjedhor vetëm pasi të shpallet ai dhe në këtë drejtim ne ende nuk kemi bërë ndonjë planifikim të buxhetit”, thotë ai.

Ai thotë se nëse do të ketë zgjedhje, KQZ sikurse herëve të tjera do të bëjë kërkesë buxhetore në Qeveri për mjete financiare.

“Viti 2019 nuk është një vit zgjedhor, çka do të thotë se në Ligjin e Buxhetit për këtë vit nuk ka mjete të planifikuara për zgjedhje. Nëse do të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme, duke u mbështetur edhe në praktikat e kaluara, KQZ-ja bën kërkesë buxhetore në Qeveri për mjete financiare për mbajtjen e zgjedhjeve”, thotë ai.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, në mbledhjen e fundit të Qeverisë në dorëheqje ka treguar se në ministrinë që e drejton është një fond të cilin mund ta përdorin për nevojat e KQZ-së, për të organizuar zgjedhjet.

“Kur jemi tek çështja e mundësisë se shkuarjes së vendit në zgjedhje, ky nuk ka qenë vit zgjedhor, brenda Komisionit Qendror Zgjedhor nuk ka fonde për organizimin e zgjedhjeve. Ne si Ministri e Financave kemi qenë të kujdesshëm në këtë drejtim dhe është një fond brenda MF-së, ku ligji e autorizon ministrin e Financave që këto mjete në rast nevoje mundet me i bartë te një organizatë tjetër buxhetore”, është shprehur ai.

Hamza ka treguar se ky fond mund të përdoret vetëm atëherë kur të shpallen zgjedhjet.

“Për të ndodhur ky transfer i fondeve fillimisht duhet me ndodhë shpallja e zgjedhjeve, duhet me ditë që po ndodhin zgjedhjet. E dyta, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet me ardhë me kërkesë të specifikuar për nevojat të cilat janë edhe për fondet të cilat janë dhe me e arsyetua kërkesën e tyre. Mbi bazën e kërkesës së arsyetuar nga organizata buxhetore, atëherë i hapet mundësia ministrit të Financave me e bë transferin”, tha ai.

Sa i përket kërkesës së partive opozitare që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, analisti politik Imer Mushkolaj thotë se partitë politike këtë mund ta bëjnë duke e shpërbërë Kuvendin.

Ai thotë se nuk sheh një vullnet të tillë të partive politike pavarësisht që në deklarimet publike të gjitha partitë politike janë deklaruar se duan zgjedhje.

“Sa i përket shpërbërjes së Kuvendit ne duhet të bazohemi në deklarata publike që i thonë partitë politike, të gjithë po na thonë se janë të interesuar për zgjedhje. Nëse është kështu pse nuk po e shpërbëjnë Kuvendin, askush nuk i ndalon që nesër ta zëmë të mblidhen, të thirrin seancë të Kuvendit dhe ta shpërbëjnë Kuvendin. Në këtë mënyrë do t’ia impononin në thonjëza presidentit Thaçi që vetëm ta caktojë datën e zgjedhjeve, pra nuk është e thënë që ata ta presin presidentin Thaçi, respektivisht konsultimet me partitë politike të presidentit Thaçi për ta shpërbërë Kuvendin. Unë nuk po e shoh që ekziston vullneti i të gjitha partive politike për ta shpërbërë Kuvendin dhe për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, pavarësisht deklarimeve publike të tyre”, thotë ai.

Dorëheqja e kryeministrit Ramush Haradinaj ka ardhur pas ftesës që i është bërë nga Gjykata Speciale, ku është ftuar si i dyshuar, por Qeveria Haradinaj nuk është e vetmja që nuk e mban mandatin e plotë, pasi që edhe Qeveria e udhëhequr nga Isa Mustafa ishte rrëzuar me mocion.