LAJMI I FUNDIT:

Pa vendimin e presidentit, shpërbërja e Kuvendit, ‘mision’ i vështirë

Pa vendimin e presidentit, shpërbërja e Kuvendit, ‘mision’ i vështirë

Pa një vendim të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, që të shkohet në zgjedhje të parakohshme, nisma e Lëvizjes Vetëvendosje për shpërbërjen e Kuvendit, në mënyrë që të krijohen kushtet për zgjedhje, do të jetë vështirë e realizueshme.

Njohësit e çështjeve ligjore, thonë se për shpërbërjen e Kuvendit nevojitet shumica e kualifikuar apo më shumë se dy të tretat e votave të deputetëve të Kuvendit, i cili ka 120 ulëse.

Pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit të Kosovës, partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës janë në pritje të ftesës nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi, për konsultime lidhur me hapat e mëtutjeshëm.


Partitë politike janë duke pritur që pas këtyre konsultimeve të përcaktohet data e zgjedhjeve të parakohshme, ndonëse presidenti i vendit, mund ta shqyrtojë mundësinë e gjetjes së një mandatari të ri për kryeministër të qeverisë, pa shkuar në zgjedhje të reja.

Florent Spahija, ekspert ligjor nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se presidenti i vendit, bazuar në Kushtetutën e Kosovës, nuk ka ndonjë afat ligjor për konsultim me subjektet politike.

Sipas tij, funksionaliteti i Kuvendit të Kosovës nuk varet nga mosfunksionimi i Qeverisë dhe kjo e fundit buron nga Kuvendi. Rrjedhimisht, Kuvendi mund të nxjerrë një qeveri të re, në rast se ka një kandidat të ri për kryeministër nga koalicioni qeverisës aktual.

“Presidenti mbase mundohet që të shterojë të gjitha mundësitë që i ka dhe që ia ofron Kushtetuta. Normalisht që në rast se ka një kandidat të ri dhe del në Kuvend, atëherë duhet të shkohet me procedurë të rregullt të votimit të kandidatit. Në rast se ai i merr 61 vota, atëherë vendi mund të ketë një kryeministër dhe qeveri të re, pa shkuar në zgjedhje”, theksoi Spahija.

Por, në favor të zgjedhjeve të parakohshme është shprehur Lëvizja Vetëvendosje. Deputeti i kësaj partie në Kuvendin e Kosovës, Glauk Konjufca, ka theksuar që nëse gjatë kësaj jave nuk bëhet e ditur data e zgjedhjeve në Kosovë dhe nëse presidenti do ta ngritë çështjen e një mandatari të ri, atëherë opozita do t’ia mësyjë vet-shpërbërjes së Kuvendit.

“Lëvizja Vetëvendosje, në javën e ardhshme, së bashku me Lidhjen Demokratike të Kosovës, të cilës ne do t’i drejtohemi, do të thërras seancë të jashtëzakonshme për vet-shpërbërjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, ka thënë Konjufca.

Ndërkaq, zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje se a do t’i bashkohen deputetët e kësaj partie, deputetëve të subjektit tjetër opozitar Lëvizjes Vetëvendosje, në nismën për vet-shpërbërje të Kuvendit të Kosovës.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, partner ky brenda koalicionit qeverisës aktual, lider i së cilës është Ramush Haradinaj, në disa raste e ka rikonfirmuar qëndrimin e saj se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, të shtunën ka thënë se pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, zgjedhjet tashmë janë të pashmangshme dhe se ajo që mund të diskutohet është vetëm koha kur ato do të mbahen.

Eksperti i çështjeve ligjore, Spahija, thekson që në rast se subjektet politike që janë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, arrijnë të sigurojnë numrin e domosdoshëm të votave, siç e parasheh Kushtetuta e vendit, pra, 81 e një vota apo shumicën e kualifikuar, atëherë ata nuk kanë nevojë ta presin një vendim të presidentit, por mund ta votojnë vet-shpërbërjen e Kuvendit.

“Këtë e kemi parë disa herë ta ketë bërë Kuvendi i Kosovës. Pra, kur ka marrë vendim për t’u shpërbërë me vet-dëshirë , atëherë e kanë votuar deputetët. E rëndësishme është që Kuvendi, në atë moment që e merr këtë vendim, atëherë vendi shkon në zgjedhje me afat kushtetues”.

“Pra, maksimumi 45 ditë pas kësaj, duhet të mbahen zgjedhjet. Por, zakonisht, në Kosovë kanë ndodhur raste që nuk janë kaluar 30 apo 35 ditë dhe janë mbajtur zgjedhjet, prej momentit kur është shpërbërë Kuvendi. Për momentin, nuk ka një lëvizje të tillë. Por, nëse e kanë thënë këtë partitë opozitare, atëherë duhet të llogarisin që duhet të jenë 81 deputetë për ta votuar një veprim të tillë”, theksoi Spahija.

Sidoqoftë, deri më tash, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ende nuk ka dhënë ndonjë deklaratë se kur do t’i thërrasë për konsultime partitë politike të përfaqësuara në Kuvend dhe as për atë se çfarë veprimesh do të ndërmarrë pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit të vendit. /rel/Telegrafi/