LAJMI I FUNDIT:

Fjalët e Anitës pak para nisjes së Ramush Haradinajt për në Hagë: Të sulmuan për ta madhështuar veten

Fjalët e Anitës pak para nisjes së Ramush Haradinajt për në Hagë: Të sulmuan për ta madhështuar veten

Anita Haradinaj, bashkëshortja e kryeministrit në dorëheqje të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinajt, ka thënë se është hera e tretë që po e mbajnë mbi supë peshën e rëndë të fatit të hidhur të Kosovës.

Në një postim të bërë në Facebook, ajo ia ka dedikuar një shkrim bashkëshortit të saj, pak para nisjes për në Hagë, transmeton Telegrafi.

“Konsistenca dhe stabiliteti, vendimmarrja jote dhe besimi në parime janë ato që të identifikojnë më së miri, prandaj përballë teje ata ndjehen të vegjël, prandaj ti përbën rrezik për ta, kot nuk thuhet mbrojtja më e mirë është sulmi, të sulmuan për t’a madhështuar veten”, ka shkruar Anita Haradinaj në Facebook.


Tutje në shkrimin e bërë ajo ka thënë se “nëse të tjerët do të shkonin në ndonjë proces gjyqësor do të shndërroheshin në grimca, dhe se këtu është fatkeqësia dhe se nuk ka gjë më të keqe se zemërligësia”.

“Ti gjithmonë e ke dhe e kishe një popull mbrapa, të mbështetën dje dhe sot, kjo është fuqia më e madhe që një lider mund ta ketë! Edhe sot edhe gjithmonë ti do jesh fitimtar sepse besove dhe beson në diçka më madhore, ti beson në nder e dinjitet. Të tjerët le të besojnë në pushtet”, vijon shkrimi i saj.

Në fund, ajo thotë se do ta presin Haradinajn së bashku me fëmijët e saj dhe të gjithë fëmijët e Kosovës.

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj ishte paraparë të udhëtonte sot për në Hagë rreth orës 12:00, por fluturimi i tij është shtyrë për disa orë.

“Ju njoftojmë se fluturimi me të cilin ka pasur të udhëtojë kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj për në Hagë, është shtyrë për disa orë, për shkak të vonesave të kompanisë së fluturimeve “Austrian Airlines””, ka bërë të ditur Zyra e Kryeministrit. /Telegrafi/