LAJMI I FUNDIT:

‘Dialogu Kosovë-Serbi duhet të vazhdojë me njohje reciproke’

‘Dialogu Kosovë-Serbi duhet të vazhdojë me njohje reciproke’

Deputetët e koalicionit qeverisës kanë komentuar deklaratat e këshilltar të presidentit Donald Trump i cili është takuar me ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq.

Bolton përmes një postimi në Twitter ka shkruar se me Daçiqin janë pajtuar që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të lëvizë përpara.

Deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti, në një deklaratë dhënë Telegrafit ka thënë se edhe kjo thirrje e kabinetit të Trump mund të përfundojë si thirrjet e liderëve të BE-së.


“Ka kohë që dialogu ka marrë një kthesë më ndryshe. Shteti Serb përveç mos përmbushjes së obligimeve ka penguar edhe në shumë procese të anëtarësimit të Kosovës në Organizata ndërkombëtare. Edhe kjo thirrje nga kabineti i Presidentit Trump mund të përfundojë si ato të liderëve tjerë të BE-së”, ka thënë ai.

Pajaziti ka theksuar se presioni ndaj Beogradit duhet të jetë i prerë për njohjen e Kosovës.

“Mendoj që kërkesa dhe presioni ndaj Beogradit duhet të bëhet i qartë, dhe i prerë vetëm për njohjen e Republikës së Kosovës. Edhe në vazhdimin e mëtejmë të bisedimeve nuk pritet një ndryshim në kursin e Beogradit zyrtar”, ka theksuar ai.

Ndërsa, Ahmeti Isufi nga AAK, ka thënë për Telegrafin së Kosovës është e gatshme për dialog pa kushtëzime.

“Dialogu duhet të vazhdojë pa kushtëzime, dhe Kosova është treguar e gatshme për të dialoguar por pa kushtëzime. Po ashtu Kosova është e gatshme për dialog në nivel të barabartë si dy shtete duke pasur parasysh marrëveshjen për njohje reciproke e cila garanton stabilitet në rajon”, ka thënë ai.

Në anën tjetër anëtari i kryesisë së Nisma-së, Fazli Hoxha, ka thënë për Telegrafin e gjithë skena politike duhet të jetë e bashkuar lidhur me dialogun.

“Zoti Limaj gjithmonë ka qenë unifikues i skenës politike, dhe është i gatshëm që të merren vendime e veprime konkrete që ecin përpra, që të vijmë deri në një përfundim mbi çështjet e delegacionit, pasi që nuk mund të mbesim peng si shtet. Duhet ta bëjmë edhe ne hapin e parë, të jemi të përbashkët. Të gjithë të jemi të bashkuar sa i përket temës së dialogut dhe ta përmbyllim. Nuk mund të shkojmë në mënyrë individuale thjesht si lidership, nuk mund ta lidhim në aspektin elektorial”, ka theksuar ai.

Sipas tij është obligim i Qeverisë të përmbyllet çështja e delegacionit.

“Edhe ekspertët , edhe politika le të jemi të bashkuar ta përmbyllim çështjen e delegacionit se është obligim edhe kushtetues edhe shtetëror, por edhe si Qeveri kemi përgjegjësi”, ka thënë ai.

Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, kishte vlerësuar se kërkesa e bërë nga deputetët e opozitës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Vetëvendosjes për Ligjin për Dialogun është pranuar, dhe se delegacioni shtetëror i cili është themeluar me Ligjin e kontestuar nuk është i paraparë me Kushtetutë dhe nuk i është paraparë brenda formës së qeverisjes dhe ndarjes së pushtetit./Telegrafi/