LAJMI I FUNDIT:

Fondi amerikan i Mijëvjeçarit ndan 1 milion dollarë për 28 bursa për gratë kosovare

Fondi amerikan i Mijëvjeçarit ndan 1 milion dollarë për 28 bursa për gratë kosovare

Në prani të kongresistit amerikan Eliot Engel, Fondacioni i Mijëvjeçarit të Kosovës (MFK) në një ceremoni të veçantë, ndau 28 bursa shkollimi nga programi i bursave “Gratë në energji”.

Ky program i dedikohet grave kosovare të interesuara në studime që ndërlidhen me sektorin e energjisë. Bursat e ndara për 28 gratë studente arrijnë vlerën e mbi 1 milion dollarë dhe janë të financuara nga qeverisa amerikane nëpërmjet Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) dhe zbatuar nga Fondacioni i Mijëvjeçarit të Kosovës (MFK).

Qëllimi i programit është të rrisë numrin e eksperteve kosovare në fusha prioritare për ekonominë kosovare siç janë teknologjia e turbinave të ajrit, menaxhimi i termocentraleve, rryma e ripërtërishme, eficenca energjetike dhe të tjera.


Pas një fushate kombëtare për ngritjen e vetëdijes për fuqizimin e gruas në sektorin e energjisë, të 28 studentet janë përzgjedhur në një proces aplikimi ku kanë marrë pjesë qindra kandidate, përzgjedhur nga panele përzgjedhëse të përbëra nga ekipe të kombinuara ekspertësh amerikanë dhe kosovarë.

Këto studente do të ndjekin studime profesionale dy-vjeçare në kolegjin e Des Moines DMACC, ndërsa gjatë periudhës së studimit do të kenë mundësi të angazhohen në punë praktike në fushat e përzgjedhura.

Gjatë ceremonisë, kongresisti Eliot Engel deklaroi se, “jam shumë i ngazëllyer që sot po e festojmë finalizimin e një program konkret të financuar nga MCC e që fokusohet në gratë që duan një karrierë në sektorin e energjisë. Fuqizimi i grave është i rëndësisë kritike për ekonominë dhe rritjen ekonomike të Kosovës, e po ashtu edhe për zhvillimin e përgjithshëm shoqëror. Këto bursa studimore do të japin rezultat aty ku është nevoja më e madhe, në fushën e rëndësishme të energjisë. E uroj përzemërsisht Fondacionin e Mijëvjeçarit të Kosovës dhe ekipin lokal për implementimin e këtij projekti të rëndësishëm dhe i uroj edhe 28 bursistet kosovare”.

Në një deklaratë të mëhershme, Sean Cairncross, drejtori ekzekutiv i MCC ka deklaruar se, “programi ‘Gratë në energji’ adreson faktorin kryesor që po e ngadalëson rritjen ekonomike në Kosovë – mungesën e grave në tregun e punës, sidomos në fushat si energjia”.

Drejtori ekzekutiv i Fondacionit të Mijëvjeçarit të Kosovës (MFK) Petrit Selimi deklaroi se, “programi ‘Gratë në Energji’ ka dy objektiva kryesore, të rrisë ekspertizën profesionale në fushat prioritare që ndërlidhen me sektorin e energjisë në Kosovë por edhe të përmirësoj hendekun e madh që ekziston në sektorin e energjisë, ku 92 për qind të punësuarve janë meshkuj. Ky program synon të krijoj një gjenerate të re liderësh që do të inspirojnë ndryshim në Kosovë”.

Ceremonia përfshiu edhe shfaqjen e një filmi të shkurtë dokumentar që rrëfen nisjen e rrugëtimit të 28 bursisteve drejt shkollimit dhe ndërtimit të një karriere në fushën e energjisë në Kosovë.

Programi i Bursave Gratë në Energji është pjesë e një programi të gjerë për avancimin e gruas dhe ofrimin e mundësive të barabarta në tregun e punës me fokus në sektorin e energjisë.

“Gratë në energji” zbatohet nga Fondacioni i Mijëvjeçarit i Kosovës (MFK) dhe mundësohet nga agjencioni amerikan MCC.