LAJMI I FUNDIT:

Tërnava fton të gjithë të mos braktisin Kosovën, kërkon unitet politik dhe vende pune për rininë

Tërnava fton të gjithë të mos braktisin Kosovën, kërkon unitet politik dhe vende pune për rininë

Myftiu i Kosovës Naim Tërnava u ka bërë thirrje të gjithëve që të mos braktisin Kosovën, të mos migrojnë, ndërkohë bënë thirrje për unitet, edhe politik, që të krijohen vende punë dhe siguri e mirëqenie për të gjithë.

Në Hytben e Fitër – Bajramit, Tërnava ka thënë se të gjithë krenohen me vendin e tyre, se atdheu meriton sakrificën dhe se ai që i bënë keq vatanit nuk e di çka është vdekja.


Sipas tij, gjendja e rëndë ekonomike duhet të luftohet dhe duhet që të gjithë të angazhohen për të mirën e vendit, që është edhe amaneti i atyre që janë dëshmorë.

“Të mos e lëmë, të mos largohemi, të mos migrojmë, por të punojmë për ditë më të mira të atdheut tonë. Fjalët e mia do të doja të dëgjohen si thirrje për të gjithë ne, për popull e Qeveri, të reflektojmë në të mirën dhe për të mirën e atdheut, tu krijohen mundësi të reja për punësim rinisë tonë, në mënyrë që ata të mos e marrin botën në sy, që tek ne të rinjtë tanë të mos fitohet përshtypja se ky vend është i pa perspektivë e fatin e tyre për jetë më të mirë të mendojnë se mund ta gjejnë vetëm duke u larguar nga Kosova por edhe trojet tona tjera shqiptare”, tha ai.

Ai ka uruar Festën e Fitër Bajramit, të gjithë besimtarëve brenda trojeve tona apo kudo që gjenden, duke e lutur Zotin që në botë të mbretërojë paqja dhe lumturia./KP/Telegrafi/