LAJMI I FUNDIT:

Trump kërkon dialog për tregtinë me presidentin kinez

Trump kërkon dialog për tregtinë me presidentin kinez

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump sipas fjalëve të tij nuk ka vendosur ende, nëse ai do të vendosë tarifa të posaçme doganore mbi të gjitha importet nga Kina.

“Asnjë vendim nuk është marrë”, tha Trump në Uashington.


Ai po planifikon një takim me udhëheqësin kinez Xi Jinping në samitin e G20-së në Japoni në fund të muajit të ardhshëm, vazhdoi Trumpi. Trump beson se biseda do të jetë “shumë e frytshme”.

“Ne bëjmë tregti me ta. Kemi një marrëdhënie shumë të mirë”, tha ai.

Negociatat me Kinën për zgjidhjen e mosmarrëveshjes doganore përfunduan së fundi në një rrugë pa krye.

“95 për qind (të çështjeve) i patëm diskutuar”, tha presidenti amerikan.

Pastaj negociatorëve të tij që patën shkuar në Pekin iu tha se ishte koha për të diskutuar sërish gjëra që tashmë ishin diskutuar plotësisht.

Administrata e Trumpit i ngriti të premten tarifat e posaçme doganore për mallrat kineze me vlerë 200 miliardë dollarë, nga dhjetë për qind që ishin deri tani, në 25 për qind. Pas kësaj, të hënën, Ministria e Financave e Kinës njoftoi se do të vendoste që nga qershori për produktet e amerikane tarifë shtesë në shumën prej 60 miliardë dollarësh.

Në lidhje me masat hakmarrëse të Republikës Popullore, Trumpi bëri të ditur se qeveria e tij dëshiron të paguajë një kompensim financiar për fermerët e SHBA. Fermerët përballen me vështirësi për tregtimin e produkteve të tyre, nëse Kina nuk importon produkte agrare bujqësore në të njëjtën masë si deri sot nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Lufta tregtare SHBA-Kinë, Trump: Fermerët amerikanë do të ndihmohen me 15 miliardë dollarë
Lexo po ashtu Lufta tregtare SHBA-Kinë, Trump: Fermerët amerikanë do të ndihmohen me 15 miliardë dollarë

Banka Qendrore e SHBA-së (FED) tha se i kishte të gjitha mjetet e nevojshme për t’iu përgjigjur në mënyrë të përshtatshme pasojave të mosmarrëveshjes doganore me Kinën.

“Këtu bën pjesë ulja e interesave bankare, po të ketë një ngadalësim të zhvillimit ekonomik”, tha bankieri i FED-it, Eric Rosengren.

Por ai nuk beson se një hap i tillë është i domosdoshëm.

Frika e një lufte tregtare e fundosi Wall Street në fillim të javës. Indeksi Dow Jones u mbyll 2.4 për qind më i ulët, humbja më e lartë ditore që nga fillimi i janarit. Indeksi i bursës së teknologjisë NASDAQ madje humbi 3.4 për qind.

Në bursën e Frankfurtit, Dax-i të hënën ra me 1.5 për qind. Pas këtyre humbjeve të një dite më parë, të martën në Japoni, Indeksi Nikkei-225 ra me 1.8 për qind në 15 minutat e para të tregtimit. Në Hong Kong, Hang Sengu ra me 2 për qind. Shkëmbimet e bursave në Kinë ishin në minus të thellë. Indeksi orientues Kospi në Seul, i cili kishte rënë në nivelin më të ulët që prej janarit të hënën, ra fillimisht më tej, por më pas e mori veten.

Pasiguritë për shkak të mosmarrëveshjeve tregtare me SHBA-në po e dëmtojnë konjukturën botërore. Qeveria Federale gjermane dhe ekspertë kryesorë ekonomikë kanë ulur ndjeshëm parashikimin e tyre për rritjen ekonomike gjermane këtë vit. Kjo e rëndon ekonominë gjermane të orientuar nga eksporti. /DW/