LAJMI I FUNDIT:

Panairi i Punës një mundësi e mirë për të rinjtë dhe bizneset

Panairi i Punës një mundësi e mirë për të rinjtë dhe bizneset

Në 7 komuna të Kosovës do të organizohen Panairet e Punës, ku punëkërkuesit do të kenë më të lehtë që të gjejnë një vend pune.

Në Gjakovë, Gjilan dhe Prizren tashmë ky panair është mbajtur, ku më shumë se 600 punëkërkues kanë vizituar panairet. Në secilin panair janë deri në 45 biznese që ofrojnë vende të lira të punës.

Panairi i Punës 2019, është organizuar nga Zyra Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Agjencinë e Punësimit të Republikës së Kosovës (APRK).


Shefja e komponentit “Rinia, punësimi dhe aftësimi profesional’ në GIZ, Julia Becker, ka treguar mënyrën se si janë zgjedhur komunat ku do të mbahet Panairi.

“Ne si organizatë në bashkëpunim me akterët e tjerë jemi duke i organizuar panairet e punës rreth e rreth Kosovës, gjithsej në 7 komuna dhe qëllimi i tyre është që t’i bashkojmë punëdhënësit me punëkërkuesit. Janë përfshirë rajonet më të mëdha të Kosovës, koncepti ka qenë sipas tabelave të veturave prej 07 deri tek 02 i kemi ne, 01 e ka një projekt tjetër i joni. Kështu që kemi filluar me Gjakovën dhe jemi duke shkuar poshtë deri tek Mitrovica 02. Komunat e Kosovës, institucionet e edukimit dhe institucionet e Agjeniconit të Punës dhe Mirëqenies Sociale janë duke udhëhequr panairet”, ka thënë ajo.

Po ashtu, ajo bëri të ditur se punojnë edhe me Zyrat e Punës dhe me Qendrat Rinore.

Becker ka folur edhe për edukimin e të rinjve, duke thënë se ata duhet të fokusohen kah aftësimi profesional.

“E kemi një situatë ku papunësia është shumë e lartë, sidomos tek rinia dhe njëri prej problemeve kryesore është në kualifikimet që i kemi në treg, është jo përputhshmëria e kualifikimeve. Tregu po kërkon diçka tjetër, ndërsa edukimi dhe përgatitjet janë tjera. Shumë njerëz janë duke shkuar në studime në Kosovë, kur tregu i punës nuk është duke i kërkuar aftësitë universitare, por aftësitë profesionale, me Panairet e Punës po mundohemi që të vetëdijësojmë të rinjtë”, tha ajo.

Ndërkaq, Arbër Jashari, këshilltar për masat aktive të tregut të punës në GIZ, ka treguar se deri më tani panairet janë duke shkuar shumë mirë.

“Puna është duke shkuar mirë, implementimin kemi filluar në Gjakovë kemi qenë shumë të kënaqur, pastaj në Gjilan. Participimi i të rinjve ka qenë deri tash shumë mirë, i kemi rreth 500- 600 punëkërkues që kanë ardhur në secilin panair, ka disa komuna që e kanë kaluar atë numër. Biznese në secilin panair i kemi pasur rreth 45 biznese, ku kanë ofruar rreth 600 vende të punës, industri të ndryshme prej gastronomisë, inxhinierisë, administratës, prej punëve më të vogla deri tek punët më të larta. Interesimi është bukur i madh në këtë rast, rinia ka nevojë për punë dhe bizneset kanë nevojë për punëtorë”, u shpreh ai.

Jashari ka treguar se cilat janë kërkesat e të rinjve të Kosovës që shkojnë për të kërkuar punë në këto panaire.

“Rinia po kërkon kryesisht punë pak më të lehta, të themi administrative. Kërkesat e tregut janë të ndryshme, si arkitektura, dizajni, inxhinieria. Kemi shumë kompani që po hasin probleme gjatë panairit, ka mjaftueshëm njerëz që vijnë për të kërkuar punë, por në atë moment kur e shohin që po kërkohet një inxhinier dhe nuk e kanë kualifikimin e duhur, jemi duke punuar në atë drejtim që me e përshtat se çka është në treg për momentin dhe çka po kërkohet”, tha ai.

Panairi i Punës do të organizohet edhe në Komunën e Ferizajt, Pejës dhe në Mitrovicë./kp/