LAJMI I FUNDIT:

Gramoz Berisha rrëfen si i kishte shpëtuar masakrës mbi familjen Berisha në Suharekë në 1999

Gramoz Berisha rrëfen si i kishte shpëtuar masakrës mbi familjen Berisha në Suharekë në 1999

Gramoz Berisha është një prej tre të mbijetuarve të masakrës të forcave policore e ushtarake serbe mbi familjen Berisha nga Suhareka, që ka ndodhur 20 vjet më parë, në 1999.

Në kohën kur ka ndodhur masakra mbi familjen 51 anëtarëshe, Gramozi ka qenë tetëvjeçar. Ai bashkë me të ëmën e tij, Vjollcën, dhe gruan e axhës, Shyhreten, kanë mbijetuar.

“Është shumë e vështirë, por po mundohemi që ta përballojmë dhimbjen. Po mundohemi ta tregojmë atë që ka ndodhur”, ka thënë Berisha për Info Magazine të Klan Kosovës.


“Kanë kaluar 20 vjet, s’po duam të besojmë se ka kaluar kjo kohë, sepse malli dhe mërzia janë më të mëdha. Por, duhet t’i përballojmë të gjitha”, ka theksuar ai, njofton .

Në rrëfimin e tij për ngjarjen e dy dekadave më parë, ku u masakruan barbarisht 48 anëtarët e familjes së tij të ngushtë dhe anëtarë të farefisit, Berisha ka treguar me detaje ngjarjen, edhe pse atëkohë kishte qenë vetëm tetë vjeç.

“Më 26 mars të vitit 1999, diku rreth orës 12:00, kemi qenë me familjen e ngushtë dhe familjet e axhallarëve kur erdhën forca të shumta policore. Erdhën dhe na thanë se duhet të dalim të gjithë jashtë. Thanë se burrat duhet të ndalen në oborr, kurse për gratë dhe fëmijët thanë: ‘Ecni për Shqipëri!’. Në momentin që jemi larguar, i kemi dëgjuar krismat e para. S’kemi guxuar ta kthejmë kokën pas, por vetëm kemi vrapuar nëpër rrugë të ndryshme. Gjatë rrugës u bashkuan edhe familjarë të tjerë”.

Ai ka rrëfyer se si u futën në një lokal afër objektit të Komunës së Suharekës, porse forcat serbe nuk i kursyen as aty.

“Është shumë e rëndë, sepse m’i kthen të gjitha kujtimet që i kam përjetuar në këtë lokal. Ky është vendi ku kam qenë edhe unë. Secili kemi qenë në qoshe të ndryshme. Kanë ardhë policia para lokalit, jemi shtri përtokë, kanë filluar gjuajtjet nga jashtë. Kanë gjuajtur me gjithçka, plumba e bomba”.

“Mami më ka mbuluar me xhaketën e babait. Jemi shtri përtokë. Ata nuk kanë kursyer pavarësisht moshës a gjinisë. Ju ka penguar zhurma e fëmijëve që qanin. Në një moment e kam ndje një dhimbje të madhe dhe e kam vërejt që po gjakos. Jam bërë sikur kam qenë i plagosur. U plagosa, por nuk lëviza. Tërë kohën kemi qëndruar të shtrirë përtokë. Gjuajtjet kanë vazhduar tërë kohën derisa s’ka lëvizë më askush. Pastaj kanë hyrë dhe kanë kontrolluar nëse dikush ka qenë gjallë kanë gjuajtur prapë”.

“Jam bërë si i vdekur”, ka thënë Gramoz Berisha në rrëfimin e tij.

“Kanë filluar secilin me radhë të na nxjerrin nga lokali. E kanë marrë Shyhreten [Gruaja e axhës së Gramozit] dhe Altinin [Djali i axhës]. e kanë vërejt se është gjallë dhe e kanë gjuajtur prapë. Më kanë kapur edhe mua, por për fat në krahun që s’isha i plagosur sepse do të reagoja. Jam bërë si i vdekur. Më kanë hedh në kamion me trupa të familjarëve të tjerë. Kamioni është nisë në drejtim të Prizrenit. S’kam guxuar të lëviz. Gjatë rrugës mami ka filluar të bisedojë me Shyhreten”, rrëfen ai.

“Nëna ma ka njohur xhaketën dhe ka thënë: ‘T’ia shoh fytyrën djalit’ – ka menduar se jam i vdekur. Kur më ka kthyer kah vetja i kam çelë sytë. Me ka thënë: ‘A je gjallë?’, iu kam përgjigjë me ‘Po’. Ka thënë se po kërcejmë, sepse do të na groposin. Ka kërcyer Shyhretja. Nëna më ka kapë mua dhe një djalë tjetër që ka qenë gjallë. Ai kërkoi ndihmë: ‘Ju lutem ma hiqni këtë trup përmbi, se s’po mund të marr frymë’. Ai nisi të bërtiste: ‘Dua të shkoj me mamin’. Ia kemi larguar trupin dhe ne pastaj kemi kërcyer. Kamioni ka qenë me shpejtësi të madhe. Zoti na ka dhënë forcë, jemi ngritë menjëherë. Kemi hyrë nëpër livadhe”, tregon ai.

I mbijetuari i masakrës së familjes Berisha në Suharekë, Gramoz Berisha, ka thënë se ka pasur procese gjyqësore për rastin e krimeve të serbëve ndaj familjes së tij, por i kanë kundërshtuar.

Ai ka thënë se ky refuzim ndaj këtyre proceseve është bërë pasi është kërkuar që ato të mbaheshin në Beograd.

”Ka pasur një proces gjyqësor, por prej fillimit ne si familjarë kemi kundërshtuar, sepse e kemi ditur që ai proces do të jetë farsë”.

”Kemi kërkuar që çdokund të bëhet gjykimi – por vetëm në Beograd jo, sepse dihet që po bëhet për sy e faqe”.

”Ata që kanë marrë pjesë në krim, shumica janë liruar. Disa janë dënuar me vendime qesharake për ne dhe secili tashmë mund të jetë i lirë e të jetë diku nëpër botë”.

”Kjo është e vështirë, sepse ka ndodhur krim i dyfishtë. Pasi janë varrosur, janë zhvarrosur prapë dhe janë vendosur në vende të ndryshme”, tha ai.

Në trend Lajme

Më shumë
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Gazeta zvicerane citon Kurtin: Kosova të përgatitet për hakmarrje nga Serbia, s’është koha për bashkim me Shqipërinë

Gazeta zvicerane citon Kurtin: Kosova të përgatitet për hakmarrje nga Serbia, s’është koha për bashkim me Shqipërinë

Lajme
KFOR-i nuk e pohon as nuk e mohon nëse policët e Kosovës hynë në Serbi

KFOR-i nuk e pohon as nuk e mohon nëse policët e Kosovës hynë në Serbi

Siguri
Sekuestrohet një Lamborghini në Prizren, po e voziste një fëmijë 11-vjeçar

Sekuestrohet një Lamborghini në Prizren, po e voziste një fëmijë 11-vjeçar

Kronika e Zezë
Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Lajme
Hovenier: Sistemi i drejtësisë në Kosovë ende me dënime të buta

Hovenier: Sistemi i drejtësisë në Kosovë ende me dënime të buta

Drejtësi
Kalo në kategori