LAJMI I FUNDIT:

Arben Bajraktaraj, për rrënjët, bjeshkët dhe retë…

Arben Bajraktaraj, për rrënjët, bjeshkët dhe retë…

Një studim shkencor ka zbuluar se dhitë arrijnë ta ndiejnë kur një njeri është i lumtur dhe tërhiqen drejt fytyrave të qeshura. “Kur interpretoja Besnikun ato kohë, isha njëmend i lumtur”, thotë duke qeshur, duke iu referuar bariut të dhive, krijuar nga regjisori Robert Budina, në filmin “Streha mes reve”, i cili erdhi premierë për publikun shqiptar në mes të muajit dhjetor.

Suadela Balliu

I gjendur sërish në Tiranë, në ditët e para të vitit, për xhirimet e një filmi me metrazh të shkurtër, me portretin e skalitur, vështrimin e thellë nga sytë blu, mjekrën gjysmë të pluhuruar me fije të argjendta, Arben Bajraktaraj, duket sikur është brenda rolit, me thellësinë dhe peshën që i jep fjalëve, por pa e trazuar rehatinë e ngrohtë të një bisede të çlirët, përpara një kapuçinoje.


“A e di se, dhitë lidhen shumë pas prijësit?!”, më thotë, ndërsa kryefjala është akoma tek ato kafshë alpine, me një inteligjencë të pazakontë (lexojnë portretet dhe gjendjet shpirtërore të njerëzve!) dhe me një organizim të rrallë. “Njerëzit mendojnë se kreu i tufës është një cjap, por jo. Zakonisht janë femrat. Ma tha Besniku”, vijon Bajraktaraj, ndërsa kësaj here nuk e ka fjalën për personazhin të cilit i dha jetë në filmin artistik me metrazh të gjatë, por për një bari të vërtetë, të Bjeshkëve, që e shoqëroi gjatë ditëve, para se të niste puna në sheshxhirim dhe, i tregoi një a dy gjërave, që duhet t’i dinte rreth dhive.

Shpejt dhitë u mësuan me zërin dhe fërshëllimat e Besnikut tjetër, pjellë e fantazisë kinematografike, i cili në atë botën e tij magjike, mes reve, të shtrirë mes Dragobisë dhe Valbonës, fëmijët dhe dhitë i ka miqtë më të mirë.

“Në skenën e parë, pasi Besniku kryen lutjen, çohet dhe thërret dhitë. E provova njëherë, por kur më erdhën të gjitha pas, jam habitë. Lumni mà t’madhe nuk kam pas’ ndonjëherë!”, rrëfen aktori, i cili në karrierën e tij ka interpretuar në prodhime gjigante në Evropën ishullore, si saga e filmave Harry Potter apo ato kontinentale si filmi “Taken”, që e bëri të njohur si “Marko from Tropoja”.

Ngjitjet në skena xhirimi në male i sjellin thuajse, kurdoherë, ndjesinë e shtëpisë e aq më shumë Bjeshkët, që i ndërmendën fëmijërinë dhe kohët idilike kur nxirrte lopët në kullotë. Ia kish thënë këtë hollësi menjëherë regjisorit Robert Budina, kur ky i fundit i dha skenarin dhe i propozoi rolin.

“Ishte fshehtësia e tij”, thotë që e bëri t’i thoshte ‘po’ rolit të bariut. “Kishte shumë të fshehta, mistere…Dhe, për një aktor, nuk ka sfidë më të madhe sesa të përballet me fshehtësinë”.

Besniku është një bari dhish, i ndrojtur dhe fjalëpakë, i zhytur në botën e tij, që lëviz nga magjia e alpeve tek diç e përtejme, mistike, gati-gati e shenjtë. I lënduar nga një dashuri e prerë në mes, me një vajzë që vinte nga një familje e persekutuar prej regjimit komunist, ai jeton vetëm me të atin, i cili qe edhe shkaku i moskurorëzimit të dashurisë, për shkak të besnikërisë që kishte ndaj ideologjisë së Partisë, por kjo nuk e ka penguar të gjejë prehje në besimin Islam. Besniku është besimtar i devotshëm dhe frekuentues i rregullt i xhamisë së fshatit.

“Por nuk do të thotë se ai mister duhet treguar krejt”, shton Bajraktaraj, duke shtuar se aktori hyn në një lidhje intime me personazhin. “Po u shpalosën të gjitha, ç’ngeli pastaj?!”

Besniku, mendon aktori, sillte me vete një lloj poezie.

“I ishte thyer diçka në jetë, por nuk ishte thyer krejtësisht nga jeta. Ishte ky ballafaqim, mes thyerjes dhe tejkalimit, që më tërhoqi.”

Të njëjtët elementë që e bënin personazhin tërheqës, e bënin gjithaq të vështirë për ta konkretizuar, për ta sjellë të gjallë.

“Tek e fundit, kemi kapur një fije, të atij ‘budallait të shenjtë’”, thotë, ndërsa i sheh disa tipare të personazhit si të një lloj profeti.

Besniku është i aftë të ruajë thuajse të paprekur anën e tij fëminore, në kontrast nga e motra dhe i vëllai, të cilët kanë krijuar familjet e tyre dhe që tranzicioni duket se ua ka shtuar – ose ua ka nxjerrë zbuluar – lakminë për të mirat materiale dhe krejt ndryshe nga i ati komunist, edhe pse ka një emër të lidhur fort me atë epokë, as materializmi dialektik, as ateizmi nuk e ka prekur e madje vetë regjimi duket sikur i ka kaluar pa e përfshirë brenda vorbullës.

“Ndoshta ngaqë nejti me natyrën, ngaqë vuajtjen e kaloi duke kenë me kafshët dhe duke u bâ mirë njerëzve. Ai kujdeset për babën dhe i bahet edhe infermier, edhe djalë edhe vajzë. Ky i ban’ të gjitha. T’njajtin raport ka edhe me fshatin. Nuk din me bâ keq kujt!”, thotë Bajraktaraj për Besnikun.

Filmi i Budinës shtrihet në tri linja kryesore; marrëdhënien e komunitetit mes vetes dhe religjioneve, lidhjen e familjes si një nga strukturat kryesore të shoqërisë shqiptare dhe botën e brendshme e një individi, i cili duket se ka krijuar një strehë brenda vetes, një mburojë prej të tjerëve dhe që duket i vetëmjaftueshëm në atë botën e tij.

“Ai beson në diçka dhe kjo ishte e fshehta e tij. Beson diçka që tejkalon atë që shihet në pamje të parë. Sheh pak mà tutje. Ata që i quajmë shenjtorë apo profetë, në jetën e tyne nuk kanë kenë shumë të vlerësuem, ose i kanë marrë për budallenj, ose për keqbërës”, thotë aktori.

Ishte kjo dhunti për të parë përtej asaj ç’ka sytë njerëzorë munden të dallojnë, që e bëri të shohë se pas gëlqeres dhe suvasë në atë xhami të vogël fshati, gjendej një afresk. Ishte kjo linja apo konflikti i parë i filmit “Streha mes reve”, që sjell nga Tirana ekipin e restauratorëve nga Instituti i Monumenteve të Kulturës e që gërmon ashtu si në atë murale, historinë që shkon deri në Mesjetë, ku një legjendë -pikënisja e frymëzimit të regjisorit dhe skenaristit Robert Budina – rrëfen se në shekullin e 15-të, në Kalanë e Shkodrës ka ekzistuar një kishë-xhami, e cila përdorej gjashtë ditë në javë nga besimtarët myslimanë dhe një ditë në javë nga besimtarët katolikë.

Ishte kisha e Shёn Stefanit, e cila u shndërrua nga Perandoria Osmane nё xhaminё e Sulltan Mehmet Fatihut. Në atë rrugëtim introspektiv që Besniku e fton shikuesin e kinemasë, të krijohet përshtypja se ai vetë vjen nga një tjetër kohë, e largët, e lashtë, e pacenuar nga moderniteti. Ndjesia përforcohet mbase edhe prej gunës së leshtë mbi supe, bastunit prej druri, në të cilin ai gdhend në ato kohët e vetmisë së gjatë hiret e një gruaje.

“Element qendror në ndërtimin e personazhit, i cili duket sikur nuk jeton në të njëjtën kohë me njerëzit e tjerë, është edhe gjuha. Ndoshta është ruajtur tek unë, sepse jam nisë 14 vjeç nga fshati dhe më kujtohej ajo gjuhë që flitej përpara. Për mua është interesante të prodhohet pikërisht ajo gjuhë, që e kanë përdor’ të parët e mi, nana, gjyshja… Ishte ajo që flisnin edhe banorët e Dragobisë dhe Valbonës”.

Kur ishte 14 vjeç, Arben Bajraktaraj largohet nga Kosova drejt Sllovenisë, tek dy vëllezërit e tij më të mëdhenj. I ati u nda herët nga jeta, duke lënë pas nëntë fëmijë dhe është kjo arsyeja pse ai i referohet shpesh në kujtimet e tij, gjyshes dhe mamasë. Pasi kreu shkollën e mesme, në moshën 20-vjeçare vendosi të ndiqte një shkollë teatri. Ishte pikërisht atje, në Slloveni kur hodhi hapat e parë të aktrimit, fillimisht në një film televiziv e më pas në teatër. Do të shpërngulej drejt Parisit, për t’i thelluar studimet në aktrim e ku, do të ndërtonte karrierën e tij ndërkombëtare, tashmë si qytetar francez. Pas disa filmave të realizuar brenda dhe jashtë Francës, herën e parë që interpretoi në një film shqiptar, Bajraktaraj do ta shihte si një përvojë që i ndryshoi jo vetëm mënyrën e aktrimit, por që e bëri të rizbulonte veten. Kështu do të përgjigjej ai në një intervistë telefonike, ndërsa fliste në një anglishte të rrjedhshme, mbi rolet e tij.

“Gjuha e ka një trup”, thotë ai, “po në shqip, ngaqë është gjuhë e vjetër theksohet edhe më shumë”.

Pa dashur të bjerë në atë që e cilëson si “patriotizëm lokal”, duke shtuar se njëlloj e do edhe labërishten e rrallë, që flitet në malet e jugut, thotë: “Personazhi duhet të kishte gjuhën e një kohe të caktuar. Ai ka mbete në çastin kur iu pre dashnia”.

Nuk ia cenon rendin e kohëve të tij as trazimi seksual që i sjell restauratorja, që me shpengimin e një metropolitaneje, nuk ia frenon vetes kënaqësinë e flirtit me një bari, në një fshat të vogël, në alpe, ku komuniteti e ka të vështirë të ndajë punën e tjetrit me të vetat.

Nga ajo kohë e pakohë, nga ku buron poezia e alpeve dhe e malësorëve, Besniku rreket të ruajë të pacenuar edhe strukturën familjare, edhe bashkëjetesën në fshat, edhe harmoninë mes feve. “Bashkëjetesa është një çast, që mund të prishet. Nuk e kemi të mirëqenë. Mjafton një grindje… Kjo që kemi sot në Shqipëri është shumë e rrallë dhe nuk ekziston askund në botë.

“Mbase, edhe tek ne nuk ka qenë gjithnjë kështu. Duke qenë mes kufijve t’dreqit, kemi pasë fatin e keq që na vinin thika, nga të gjitha anët”, thotë Bajraktaraj.

Kujton se ishin duke xhiruar në kohë Pashkësh dhe ndërsa banorët e fshatrave të vegjël bëjnë gjithnjë pyetje kureshtare për të ditur nga ç’fis apo vise vjen, ai u kish thënë se me prejardhje qe nga lugina e Shalës, do të dëgjonte nga banorët “më të afërt jemi me shaljanët sesa se me ata që vijnë nga Arabia apo nga Roma. Nuk kemi punë me ta, por mes vedi”, duke sjellë përmes kësaj metafore shqiptarizmën, që ka nxjerrë krye gjithnjë mbi religjionet. Besniku e shpreh shumë bukur këtë: “Njerëzit po e duen Zotin, por nuk po e dojkan njâni-tjetrin”.

Në Perëndim, shton aktori, një lloj islami si ai në Shqipëri, nuk e konceptojnë.

“Kjo është çështja e paragjykimeve dhe stereotipave”, thotë ai.

Bashkëjetesa fetare, ringjallet në kohëra, ku me ndërhyrjen e Besnikut – një figurë me gjithë heshtjen dhe mburojën që ka ngritur ndaj të tjerëve, gëzon respektin e të gjithë komunitetit, edhe kur i përkasin një besimi tjetër fetar -të krishterët e fshatit, njëherë në javë, si në shekullin XV, kryejnë ritualet e tyre në xhaminë, tashmë me një afresk që ka dalë në dritë falë restauratoreve. Por përtej kësaj bashkëjetese me nota romantike, personazhi i Besnikut shkon më përtej, duke e bërë shikuesin të reflektojë marrëdhënien e individit me të përtejmen, me hyjnoren, e cilësdo feje qoftë.

“Kujt Zoti i falen, Allahut apo Krishtit?”, kësaj pyetje që këmbehet mes dy fëmijëve, Besniku i përgjigjet “Zotit të Dhive”, duke të sjellë gati parafytyrimin e një Pani, perëndisë së barinjve e grigjave e duke përzier si në një porcion magjik (regjisori ka dashur të ndërtojë një vepër kinematografike të Realizmit Magjik), besime fetare, legjenda, epoka dhe përplasje të arkaikes me modernen.

“Secila fe, i ka të mirat dhe të këqijat dhe nëse bëhemi masë për të besuar vetëm një gjë, të gjithë, do të jetë tmerr, sepse do të shkatërrojmë ata që nuk besojnë tek ajo që beson shumica”, thotë Bajraktaraj e si për rastësi a providencë në sfond dëgjohen një prej këngëve mistike të “Enigma”, projektit muzikor gjermano-rumun, që në vitet ’90, ringjallën kantikët gregorianë.

Për marrëdhënien personale me religjionet, ai e konsideron veten laik fetar.

“Natyrisht, nana dhe gjyshja besonin në Zot. Kanë pasë marrëdhânie shumë t’bukur me ‘Atë’ naltë. Thoshin baje t’mirën, se e keqja t’kthehet! Ishte një lloj besimi universal, një lloj humanizmi kisha me thanë”.

Ishte ai lloj besimi që hasej dendur në fshatra.

“Si çdo burrë, tek të dyzetat nis një bisedë me veten, kupton se nuk jemi të pavdekshëm”, thotë dhe ndalet më gjatë tek përjetimit vetjak me shpirtëroren që, zbulon ai, nisi tre vite të shkuar.

“Fillimisht lexova Biblën të plotë, vulgatën e Shën Jeronimit. E lexova nga fillimi në fund, por u ndala në disa pasazhe, kryesisht tek Ekleziasti (Predikuesi). Thashë me vete: Si ka mundësi, e paska shkruejt, një ekzistencialist?!”, rrëfen duke qeshur. “Pastaj lexova Kuranin, në gjuhën frënge. Shumë interesant, pak më i habitshëm. Një pjesë e mirë dukej interpretim i Dhiatës së Vjetër, por ka një lloj poezie që del nga Kurani”.

Përtej dy librave të rëndësishëm të dy religjioneve abrahamite, kureshtja e çoi tek Libri i të Vdekurve, shkrimet e lashta egjiptiane, për ritualet e kalimit të shpirtit në botën e përtejme.

“Ka diçka vërtet interesante, si Buda, Muhamedi dhe Krishti kishin diçka të përbashkët. Ata u tërhoqën një periudhë nga bota. Krishti për mëse një vit, thuhet se qëndroi me komunitetin e esenianëve, sekt hebraik asketësh, Muhamedi u tërhoq në shpellë, ndërsa Buda në xhungël. Një tërheqje nga bota, për t’u rikthyer në botë, për gjetjen e një të vërtete…”

Tërheqja e Besnikut është në Bjeshkë, në shenjtëroren e natyrës. Kur drejtori i fotografisë, Marius Panduru, vizitoi luginën e Valbonës para se të nisnin xhirimet, tha se aty, kudo ta hidhje kamerën, nuk do të mund ta fshihje mrekullinë. Regjisori Budina e pa punën e tij si një prelud për natyrën, Arben Bajraktaraj thotë se natyra ishte personazh më vete , që shpaloste të gjithë fuqinë e saj. Duke u rikthyer tek biseda shpirtërore, thotë se e ka parë Besnikun si një lloj Zarathustre niçean.

“Nuk kam dashur ta mbingarkoj”, thotë. “Këto janë gjana që i sheh publiku”.

Besniku vjen me të gjithë thjeshtësinë që mund të vijë një bari, që jetën e kalon mes kullotave nën këmbë, kreshtave në supe e qiellit mbi krye e megjithatë arrin ta përçojë atë kumt që nga kohërat e kanë përcjellë herë profetët e herë filozofët.

“E gjithë vështirësia është që konkretja dhe metaforikja të bëhen bashkë. Gjallnia dhe poezia, të jenë bashkë, duke pasë secila pjesën e vet”.

Besniku, tashmë një nga rolet më të dashura të repertorit të Bajraktaraj, është nga ata personazhe të pasur e me shumë shtresa.

“E gjitha ishte që një shtresë të mos e mbulonte më tepër tjetrën apo të mos e fundoste me një lloj sforcimi. Ky është çelësi”, rrëfen aktori, duke shtuar se përtej punës aktoriale, thellësia e personazhit vjen përmes kameras dhe syrit regjisorial. “Tri gjëra janë themelore, kamera, aktori dhe regjisori. Pa këta nuk bëhet filmi.”

Thotë se gjatë procesit të punës, nuk i parapëlqen ta shohë veten, duke lënë besim të plotë tek regjisori.

“Kam memorie fotografike dhe kjo më pengon. Si i thonë Mos me t’hy vetja n’qejf!”, thotë duke qeshur.

Edhe ato detaje teknike që aktorët i kontrollojnë herë pas here, janë mprehur me përvojën dhe pastaj është besimi i ndërsjellë me regjisorin.

“Bashkë e vendosim deri ku e çojmë personazhin, në ç’ftohtësi e mbajmë apo ç’fizikalitet i japim”.

Përpara se të hyjë brenda një roli të ri, kujdeset të përgatisë edhe trupin. Për një aktor si Bajraktaraj fiziku është aspekt i rëndësishëm i aktrimit. Ndërtimin e karakterit e sheh si trungu i një peme dhe çdo zhvillim i lojës filmike i ngjet një fenomeni klimaterik mbi të; a kërruset nga dëbora e rëndë, a gjallërohet nga një shi i imtë që e përkëdhel?… Nuk e konsideron veten si Stanislavskian, në shkollën e aktrimit, përmes vetë-analizave dhe reflektimit artistik, si performuesi dhe teoricieni rus i teatrit.

“Mendja vjen më vonë në përgatitjen e një roli, ndonjëherë do të ishte mirë të mos e kishe fare, sepse të menduarit e tepërt, ndonjëherë bllokon”, do të thoshte në një intervistë të mëhershme Bajraktaraj.

Premiera në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit, “Tallin Black Nights”, në Talin të Estonisë, një ngjarje e rëndësishme kulturore, bëri që filmi të marrë komente pozitive nga audienca dhe kritika.

“Është një film, që do të zgjasë në kohë, për mënyrën që është filmuar dhe çfarë kalon personazhi. Ka vend për diskutim më të gjatë. Është një film që mund të flejë tek njerëzit”.

“Strehën mes reve” e sheh si ata filma që ka mbërthyer shpirtin e maleve.

“Është vërtetësi, jo promovim. Filmi ka qenë propagandë nga regjimi, por kjo që kemi bërë, do të ngelet në kohë”, thotë Bajraktaraj. “Do të mbesë në kohë dhe do të ketë njerëz që nuk do të munden ta konceptojnë pa e parë me sy. Ne e dimë, por edhe kjo mund të jetë e brishtë”.

Lidhja farefisnore ishte më e fortë se lidhja e besimit. Jemi fisnorë, ngado të shkosh të pyesin: “I çfarë fisit je? Në një mënyrë kjo na ka mbrojtur”.

Linja tjetër, po aq e rëndësishme, e zbërthyer në gjuhë filmike nga regjisori Robert Budina është struktura familjare. Për t’i qëndruar fabulës kryesore të bashkëjetesës fetare, në një lloj grotesku, brenda një familjeje vijnë të përfaqësuara të gjitha besimet fetare dhe dogmat ideologjike. Nëna e ndjerë e Besnikut i përkiste besimit katolik e prej saj, duket se ai ka trashëguar devocionin për hyjnoren, babai ateist tallet me të birin, i cili me familjen ka emigruar në Greqi, është konvertuar në besimin ortodoks dhe ka ndërruar emrin, në Jorgo.

“Personazhi i motrës, që vjen të kërkojë pronën është interesant. Në Malësi, për shkak të kodit, gratë janë të përjashtuara nga trashëgimia e pronës”.

Nga ana tjetër, motra është një myslimane e mbuluar me hixhab.

“Berti (Budina) e kishte studiuar gjatë dhe e shpjegonte se më e rëndësishme ishte struktura familjare. Mund ta ndryshoje fenë, ama gjakun mos e harro! Lidhja farefisnore ishte më e fortë se lidhja e besimit. Jemi fisnorë, ngado të shkosh të pyesin: “I çfarë fisit je’? Në një mënyrë kjo na ka mbrojtur”, mendon aktori.

Ajo çka do të shndërronte strukturën marrëdhënieve shoqërore në ato vise, sipas Bajraktarajt është arkitektura.

“Një antropologe norvegjeze ka shkruar një libër për fshatin tim, titulluar ‘Behind the Stone Walls’. Ajo përshkruan, më 1976-ën, për një kohë dhe një shoqëri që nuk do të ekzistojë më. Dhe, ka të drejtë, fshati im nuk është ai i që kam njohur, nuk ka rëndësi për të mirë apo për të keq”, thotë Bajraktaraj.

E ka fjalën për studimin antropologjik që studiuesja norvegjeze ka kryer duke vrojtuar shoqërinë tradicionale shqiptare, duke u fokusuar tek formacioni dhe evolucioni i shtëpive dhe strukturave familjeve mes shqiptarëve të Kosovës, në fshatin Isniq, në Perëndim të Kosovës. Studimi, i jep lexuesit perëndimor një vështrim magjepsës në një botë ekzotike, që shpejt do t’i përkasë së shkuarës. Sipas fjalës së Bajraktaraj, duket se parashikimi i sociologes është përmbushur. Megjithëse fshati i tij, të cilit i iku kur ishte ende fëmijë, ka pësuar ndryshimet e modernizmit, atë botë ende ekzotike, me kulla të gurta e gjen ende; në Valbonë për xhirimet e filmit apo në Theth, për edicionin e festivalit “Zâ Fest”, ku i ulur në livadhin pranë kishës, lexonte pasazhe nga libri i At’ Zef Pllumit, “Rrno për me tregue”.

Viti i shkuar ka qenë i ngarkuar, ku rrëfen se i është dashur të jetë paralelisht edhe në tre projekte. Mes punëve më interesante veçon rolin tek filmi “Tri ditë dhe një jetë”, një përshtatje e romanit me të njëjtin titull, i autorit Pierre Lemaitre.

“Personazh shumë i prekshëm, i cili drejton gishtin nga fajtorët, por vetë e di të vërtetën dhe nuk e tregon, sepse ai që kishte vrarë djalin, ishte i biri i ish të dashurës së tij”.

Subjekti sillet rreth enigmës së në vrasjeje në vitin 1999, në qytezën Beauval të Francës. Dymbëdhjetëvjeçari Antoine Courtin vret aksidentalisht djalin e fqinjit, në pyllin pranë shtëpisë. I tmerruar e fsheh trupin dhe nuk dyshohet kurrë se ka lidhje me zhdukjen e djalit të mitur. Një tjetër rol do ta kishte në filmin spanjoll “El Desentierro”, edhe ai një triller i vendosur në kohët e Spanjës Frankiste. Zhvillimi i ngjarjeve përfshin edhe personazhe nga Shqipëria, një prej të cilit e luan Bajraktraj.

“Është një triler rreth memories”, thotë ai, ndërsa shton se kasta e aktorëve ishte ndërkombëtare, ku veç regjisorit spanjoll kishte aktorë nga Argjentina e Turqia.

Në një tjetër kastë të përzier u gjend edhe në xhirimet e serialit “Besa”, me regji të britanikut Tony Jordan.

“Bashkëpunimi i parë ndoshta në Ballkan me një kastë të përbërë nga serbë, kroatë, boshnjakë, shqiptarë e sllovenë”.

Megjithëse thotë se ia kaluan mirë së bashku, nuk u shmangën as problemet organizative e as ato të egos.

“E pastruam skenarin maksimalisht nga ideologjia, megjithatë nuk e çfarë mund të bëjnë në montazh”.

Thotë se personazhi që interpretoi, ai i Dardan Berishës, iu duk sikur të kishte dalë nga një tragjedi e Esklit.

“Edhe pse ishte i përzier me banda e vrasje, personazhi dukej eskilian. Për këtë pranova.”

Projekti që e ka emocionuar shumë më 2018-ën, ka qenë sezoni i dytë i serialit fantashkencë “Missions”.

“E kanë blerë thuajse të gjitha stacionet e rëndësishme të Evropë, BBC, Rai, RTL.”

Seriali u shndërrua shpejt në hit, ndoshta për shkak se kinemaja evropiane nuk i ka rrokut shumë temat e fantashkencës.

“Franca mund të jetë më e njohur për gastronautët sesa autronautët, por drama gale në hapësirë, titulluar ‘Missions’, rreth ekspeditës së parë në Mars, po rezulton ushqim i shijshëm”, shkruan britanikja The Telegraph, ndërsa njofton lexuesit se seriali transmetohet në BBC.

Ndërsa presin të aterojnë pas dhjetë muajsh udhëtimi, ekipi i pëlqyeshëm evropian zbulojnë se janë mundur nga rivalët e tyre e poshtër amerikanë. Por, më drithëruesja, kozmonauti rus Vladimir Komarov, i cili interpretohet nga shqiptari Arben Bajraktaraj – i pari njeri që vdiq në hapësirë në një mision hapësinor, më 1967-ën, gjendet i gjallë, i pamoshë dhe i prirë të shfaqet beftë nëpër korridore. Në sipërfaqen e planetit të kuq, heroina e serialit dhe psikologia e anijes Jeanne Renoir (Hélène Viviès) lidhet psikikisht me enigmatikun Komarov.

Me kërkesë të tij, ajo aventuroret në një tempull të gdhendur nëndheshëm dhe bën disa zbulime mrekullibërëse: jo vetëm ujë i rrjedhshëm dhe ajër i thithshëm, por një fakt drithërues se njerëzit kanë shkelur në Mars shumë kohë më parë. Sipas gazetës Telegraph, seriali nuk e zhgënjen publikun nga ajo që pret prej një prodhimi francez: me stil dhe me performanca të fuqishme, edhe pse mund të ndërmendë filma si “Martian” i Ridley Scott apo “Interstellar” të Christopher Nolan. “Missions” është po aq dramë psikologjike sa edhe fantashkencë.

“Personazhi im, astronauti i parë që vdiq në hapësirë e që e dërguan në mision, për 50 vjetorin e Revolucionit Rus. Duke pasur shumë probleme, e dinte se nuk do të kthehej, e nëse nuk do të shkonte ai, do të shkonte miku i tij i ngushtë Juri Gagarin (nën hijen e të cilit kishte qenë gjithnjë). Kur flet me kryeministrin dhe ai e quan hero, Komarov i thotë: ‘Ti e shkërdhatë! Po vdes për gabimet e tua’. Është klithma e disidentit”, thotë Bajraktaraj, duke zbuluar se personazhi shfaqet i gjallë më vonë, në serial.

Ishte sfidë të bëje dikë që vjen nga përtej. E vetmja mënyrë ishte të kapesha në diçka që na kanë lënë të vjetrit dhe u fokusova tek Prometeu.

“Francezët e kishin konceptuar si shaka, por kur mora personazhin e ndërtova krejt ndryshe dhe, u bë personazhi më intrigues. Ishte njëlloj sfide të bëje dikë që vjen nga përtej; si ta bësh sa më konkret dikë që është abstrakt dhe e vetmja mënyrë ishte të kapesha në diçka që na kanë lënë të vjetrit dhe, u fokusova tek Prometeu. Nuk i thashë asgjë askujt dhe realisht doli diçka e tillë”, zbulon më tej aktori, duke shtuar se gjetja e arketipave për personazhet, është e rëndësishme në punën e tij.

“Gjërat janë të lëvizshme, por nuk mund t’i ikim arketipit. Është si bërthama, që pastaj e vesh me detaje. Pa bërthamë, nuk bëhet. Kam qenë shumë i ndikuar kur kam lexuar së pari Artuadin”, thotë, duke iu referuar dramaturgut, poetit, eseistit dhe një prej figurave të teatrit të avangardës evropiane Antonin Artuad. “Ndoshta ne, shqiptarët, jemi me fat, sepse duke e pasur një strukturë fisnore, kemi ende një lidhje me arkaizimin. Kemi një pjesë në fushën e kujtesës ndërbreznore që na lidh me diçka arkaike”.

Përtej kinemasë dhe televizionit, Bajraktaraj rrëfen se ka qenë i angazhuar edhe me teatër. Në verën e 2018-ës ishte në Avignon, për Festivalin e Teatrit, një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në botë, ku për tri javë vihen në skenë 1500 shfaqje.

“Ishim për shfaqjen ‘Atentati’. Njerëzit blenë edhe shkallët dhe nuk kisha as ftesa për njerëzit e mi”.

Në dhjetor do të risillte për publikun francez dramën “Le Pont”, dramatizimi i veprës “Ura me tri harqe” e shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare, së bashku me aktorin Rexhep Mitrovica dhe regji të Simon Pitaqajt.

“Nuk jeton njëra pa tjetrën”, thotë Bajraktaraj, ndërsa vë në peshore përvojën e aktorit në teatër dhe kinema. “Kamera është më e tmerrshme, para saj nuk fsheh dot asgjë. Në teatër, ashtu si në kinema personazhin e krijon më përpara, por ekzekutimi në kinema është i copëtuar, ndërsa në teatër integral. Të dyja janë të bukura”.

Prej vitit 2000, kur interpretoi në në filmin “Mekanika e grave” si Jérôme de Missolz, numëron dhjetëra role, ku ata që e bënë të njohur ndërkombëtarisht ishte roli i Antonin Dolohov “Ngrënësi i Vdekjes” në filmat “Harry Potter dhe Urdhri i Feniksit” dhe “Harry Potter, dhuratat e Vdekjes”; babai hebre i Sarah Stravinskit në “Emri i saj ishte Sara”; apo serialet “Eden Log” dhe “Sex Traffic”. Ishte pikërisht prej kësaj drame televizive, që i erdhi ftesa për filmat e sagës së magjistarit Potter. Producenti David Heyman, i premtoi se do të punonin sërish bashkë, pas serialin “Sex Traffic”. Dy vite më pas, mori një telefonatë nga Londra, ku Heyman i propozoi rolin e Dolohovit.

E kanë pyetur shpesh për ndjesinë që i lë portretizimi i personazheve negativë, siç ka qenë ai i Markos në filmin “Taken”. Edhe pse fillimisht e refuzoi, siç ka rrëfyer se ka bërë me disa role për arsye etike, me kohë mësoi të mos i gjykojë karakteret, por t’u japë jetë.

“Të gjithë jemi Marko! Të gjithë jemi nga Tropoja!”, janë gdhendur si shprehjet më ikonike nga ky film, me protagonist aktorin Liam Neeson, prodhim i Luc Bessonit.

Në secilin rast, shton Bajraktaraj, në fund ndarja me personazhin lë zbrazëti dhe vuajtje.

“Ke një mbushje konstante gjatë ekzekutimit dhe kur përfundon, bie në depresion. Nuk ka aktor në botë, që nuk e përjeton këtë ndjesi. Të zhdavaritë mendjen, thoshte Koliqi”, shton ai. “E tmerrshmja është kur ke realizuar një film dhe e gjen veten rrugës duke përsëritë frazën që mendon se nuk e ke thanë mirë. Teatri sikur të le mundësinë të korrigjosh.”

Pas pak, rrëfen se i duhet të kthehet në sheshxhirim për filmin e shkurtër të Erenik Beqirajt, me të cilin bashkëpunon për herë të dytë, pas “Bon Appetit”.

“Është një nga regjisorët e rinj të talentuar”, thotë, duke i trajtuar me respekt të gjitha ofertat që i vijnë për role edhe nga prodhime të vogla kinematografike.

Ndërsa, largohet drejt sheshit të xhirimit, diku në periferitë e Tiranës, e pyes edhe njëherë se cili ishte sekreti i Besnikut për të jetuar në të tashmen, pa u prekur nga pushteti i kohës, thotë: “Është lidhja me rrënjët. Vetëm me rrënjët fort në tokë, mund të shpëtosh”. /Gazeta Si/

Në trend Kultura

Më shumë
MOS U DORËZO KURRË

MOS U DORËZO KURRË

Poezi
Xhubleta dhe marrëzia jonë atdhetare

Xhubleta dhe marrëzia jonë atdhetare

Kulture
Fjalimi i Skënderbeut!?

Fjalimi i Skënderbeut!?

Fjala+
GJUHA SHQYPE

GJUHA SHQYPE

Poezi
ASHIK QERIBI

ASHIK QERIBI

Fjala+
Xhafer Deva, tmerri i Kosta Peçancit: Ky arnaut i vogël ka me na... deri në Nish!

Xhafer Deva, tmerri i Kosta Peçancit: Ky arnaut i vogël ka me na... deri në Nish!

Kulture
Kalo në kategori