LAJMI I FUNDIT:

Tri ligjet urgjente që presin miratimin në Kuvend

Tri ligjet urgjente që presin miratimin në Kuvend

Me të mbaruar pushimet dimërore, deputetët e Kuvendit të Kosovës thonë se i pret një punë tejet dinamike dhe ngjeshur. Miratim i Projektligjit për buxhetin e vitit 2019, ai për dialogun me Serbinë dhe Projektligjit për pagat, janë vetëm disa nga 50 ligjet të cila janë në proces për t’u miratuar.

Deputetë nga partitë në pushtet dhe në opozitë thonë se janë të vetëdijshëm për dinamikën e punës që e pret Kuvendin, duke pas parasysh edhe numrin e madh të ligjeve që nuk arritën t’i miratojnë gjatë sesionit të kaluar.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, partia e të cilit është pjesë e koalicionit qeverisës, tha për Radion Evropa e Lirë, se sesioni pranveror, ashtu siç njihet në Rregullore të Punës së Kuvendit, duhet të ketë një dinamikë të shtuar dhe se sipas tij, duhet të miratohen shumë ligje që janë të nevojshme për institucionet dhe qytetarët.


“Ndër ligjet më me prioritet janë ai për dialogun me Serbinë, i cili është përcaktuar të shqyrtohet në leximin e parë, e po ashtu Ligji për pagat, i cili po ashtu është shumë i rëndësishme për shkak të nevojës që ekziston si në administratë, si për rregullimin e pagave në të gjithë sektorët. Po ashtu, edhe ligjet e tjera që kanë të bëjnë me integrimet evropiane, e që duhet të jenë pjesë e legjislaturës në shqyrtim”, tha Isufi.

Puna në Kuvendin e Kosovës që nga nisja e konstituimit të tij, është përcjellë me zvarritje të shumta dhe ndërprerje të herë pas hershme të punës, për shkak të mungesës së deputetëve në sallë.

Si pasojë e dinamikës së ulët të punës në Kuvendin e Kosovës, një numër i konsiderueshëm i ligjeve kanë mbetur të pa miratuara.

Deputetja Arbërie Nagavci nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, tha se gjatë gjithë vitit të kaluar në Kuvendin e Kosovës kanë ndodhur gjëra të cilat nuk kanë qenë të planifikuara më herët, duke praktikuar metodën e punës “aty për aty”.

Sipas saj, si pasojë e mungesës së planifikimit të duhur, ka pasur raste që deputetët janë ftuar në seancë ku në rend të ditës kanë qenë mbi dyzet pika.

“Konsideroj se përpos Ligjit për buxhetin që është i paraparë si shumë i rëndësishme dhe tregon edhe faktin se sa Qeveria po arrin t’i realizojë planifikimet e veta, për shkak të rrethanave të krijuara dhe kushtëzimeve, është shumë i rëndësishëm edhe Ligji për pagat për shkak të grevave, si në sektorin e shëndetësisë po ashtu edhe paralajmërimet për sektorin e arsimit, apo edhe sektorë të tjerë siç janë zjarrfikësit dhe minatorët”, tha Nagavci.

Ajo ka kritikuar partitë në pushtet, të cilat sipas saj, nuk kanë arritur të sjellin deputetët e tyre në Kuvend gjatë punës dhe miratimit të ligjeve, çka si pasojë ka rezultuar shpesh me ndërprerjen e seancave për shkak të mungesës së kuorumit.

“Natyrisht që është përgjegjësi e mazhorancës (shumicës) që të sigurojnë të paktën minimumin e numrave, në mënyrë që të kalojnë ligjet apo objektivat që i ka përcaktuar Qeveria, gjë që nuk ka ndodhur”, tha deputetja Nagavci.

Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se Projektligji për buxhetin e vitin 2019, ai për dialogun me Serbinë, por edhe shumë ligje të tjera duhet të jenë çështjet e para me të cilat duhet të merren deputetët me fillimin e punës.

“Po ashtu ka pika të rendit të ditës, të cilat kanë mbetur të papërfunduara nga seancat të cilat kanë filluar qysh në muajin shtator (të vitit 2018). Ka po ashtu ligje të cilat kanë kaluar leximin e parë dhe pritet të votohen në leximin e dytë. Për me tepër, kemi edhe Rregulloren e Punës së Kuvendit e cila është miratuar në leximin e parë dhe do të duhej të trajtohej tutje, pasi që Kuvendi po vazhdon të funksionojë me Rregulloren e vjetër”, tha Murati.

Konform Rregullores së Kuvendit, sesioni pranveror fillon të hënën e tretë të muajit janar, përkatësisht më 21 janar, 2019.

Kuvendi i Kosovës deri në fund të vitit 2018 nga 177 ka miratuar 75 ligje, kurse në proceduar janë 56 projektligje,ndërsa në pritje janë edhe 46 projektligje të tjera./rel/Telegrafi/