LAJMI I FUNDIT:

VV: Grupi kosovar i dialogut, grup për Thaçin dhe Serbinë

VV: Grupi kosovar i dialogut, grup për Thaçin dhe Serbinë

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas votimit në Kuvendin e Kosovës të Rezolutës ku përfshihet edhe delegacionit shtetëror për dialogun me Serbinë, duke ka vlerësuar se ky grup i dialogut me Serbinë nuk është kurrfarë delegacioni shtetëror, por eventualisht një ekip qeveritar dhe si i tillë ai është i pavlerë dhe i papranueshëm për Vetëvendosjen.

VV duke analizuar disa nga pikat e rezolutës, ka thënë se rezoluta e mbrëmshme është defansive.

Sipas VV-së, Serbia nuk ka pse i frikësohet asaj. “Përkundrazi, kjo rezolutë është edhe më e dobët se disa prej atyre në legjislaturën e katërt e të pestë të Kuvendit të Republikës”.


“Vasaliteti i presidentit të Kosovës nga Serbia mbrëmë fitoi një kaskadë me këtë rezolutën urgjente. Ky grup i dialogut me Serbinë, është grup për Thaçin dhe për Serbinë. Si i tillë ai është i pavlerë dhe i papranueshëm për Lëvizjen Vetëvendosje”, thuhet në komunikatën e VV-së, përcjell Telegrafi.

Komunikata e plotë e Lëvizjes Vetëvendosje:

Kaskada e vasalitetit

Grupi për dialog me Serbinë i votuar mbrëmë në Kuvendin e Kosovës nuk është kurrfarë delegacioni shtetëror por eventualisht një ekip qeveritar të cilin e përshëndeti edhe presidenti një natë përpara si dhe një orë pas votimit. Aty dominon qeveria e pakicës për nga përbërja dhe mënyra e presidentit për nga fryma. Në gjithë tekstin e kësaj rezolute, fjala ‘shqiptar’ nuk figuron askund. Në gjithë tekstin e kësaj rezolute fjala ‘reciprocitet’ nuk figuron askund.

Dy bashkëdrejtuesit e grupit do ta zëvendësojnë ministren e dikurshme pa portofol, znj. Edita Tahiri, në dialogun i cili përsëri njësoj quhet: “dialog për normalizimin e marrëdhënieve”. Grupi për dialog me Serbinë është shprehje e sprapsjes së kryeministrit karshi presidentit, meqenëse kryeministri do të duhej ta udhëhiqte këtë proces në shtetin tonë që është republikë parlamentare. Po ashtu, ky grup për dialog me Serbinë është shprehje e dëshirës së presidentit për një mbështetje formale nga Kuvendi, meqenëse atij i nevojitet zbutja e vetmisë së madhe në aventurën e tij personale me Serbinë.

Dihet se kaluan pesë muaj prej kur raporti qeveritar për dialogun paraprak gjashtëvjeçar (2011-2017) po mbahet i bllokuar dhe nuk po shqyrtohet në mbledhje plenare të Kuvendit. Dihet se qeveria e bojkotoi Kuvendin kur opozita deshi të distancohej me rezolutë nga ndërmarrja e presidentit për “korrigjim të kufijve” me “kompromis të dhimbshëm”. Prandaj, rezoluta e mbrëmshme, para së gjithash, është gabim në hapa. Nuk ka “proces të mirëpërgatitur” pa shqyrtuar dialogun paraprak dhe pa u distancuar nga presidenti aktual. Nuk po nxjerrim mësime nga e kaluara, nuk po e marrim vesh se ku tamam ndodhemi sa i përket zbatimit të 33 marrëveshjeve dhe ndikimit të tyre, dhe, nuk u bë distancimi nga e kaluara dhe e tashmja e presidentit. Gabimet e reja do të jenë gabime të vjetra. Grupi i votuar dje në Kuvend kësisoj merr përgjegjësinë për dialogun e mëparshëm dhe për akrobacitë aktuale e të ardhshme të presidentit. Mbrëmë ata u bë në bashkëfajtorë.

Nxitimi me seancë urgjente në ditë pushimi mund të ketë qenë i induktuar veçse nga Serbia, meqë Beogradi u shqetësua tejet shumë nga entuziazmi i qytetarëve të Kosovës me rastin e miratimit të tri ligjeve për ushtrinë e Kosovës dhe Ministrinë e Mbrojtjes. Po ashtu, dihet që dialogu i Kosovës me Serbinë pakrahasimisht më shumë i nevojitet Serbisë sesa Kosovës. Ajo nuk përparon dot në integrimet evropiane pa marrëveshje me Kosovën, ndërkaq për ne as liberalizim të vizave nuk ka. Zaten nuk është e rastësishme që në arsyetimin e kërkesës për seancë të jashtëzakonshme të nënshkruar nga një ish deputet i VETËVENDOSJE!-s, njëherë përmendej Republika e Serbisë e pastaj Republika e Kosovës!

Te pjesa ‘Parimet…’ e kësaj rezolute, nuk ka parime: flitet për rezultatet në fund e jo për premisat e fillimit, të pikënisjes. Aty thuhet se “Procesi i Dialogut do të jetë i pranueshëm vetëm nëse përfundimi i tij do të rezultojë në…” dhe mandej përmenden njohja e ndërsjelltë, anëtarësimi në OKB dhe integrimi i përshpejtuar në BE dhe NATO. Kjo është alogjike. Nuk mund të hysh në një proces për të cilin në fund do të mund të thuash se ka qenë i papranueshëm për shkak të përfundimit të tij! Eventualisht kanë mundur të thonë se Marrëveshja do të jetë e papranueshme nëse nuk e ka këtë rezultat të caktuar.

Te pjesa “Përkufizimi dhe korniza…” askund nuk ka referencë te populli dhe vullneti i tij. Dallimi midis popullit dhe qytetarëve është si dallimi midis vetëvendosjes dhe vetëqeverisjes. Po ashtu, ritheksohen kushtetuta e sovraniteti, integriteti territorial dhe karakteri unitar, në mënyrë defansive, pa përmendur obstruksionet aktuale të Serbisë dhe borxhin e saj nga e kaluara, për okupimin, krimet dhe dëmet e luftës. Askund nuk shprehen qëllimet tona progresive dhe kërkesat ofansive ndaj Serbisë si borxhliu më i madh yni.

Te pjesa “Platforma dhe ligji…” askund nuk thuhet që ato do të miratohen me 2/3 e deputetëve të Kuvendit të Kosovës paçka se flitet që konsensusi sa më i gjerë është qëllimi. Kësisoj, Platforma dhe ligji për procesin e dialogut do të mund të kalojnë me 31 vota në një seancë ku ndodhen 61 deputetë!

Te pjesa “Delegacioni shtetëror…” i jepet përparësi qeverisë karshi opozitës në raportin 6 me 4. Po ashtu, flitet për emra të përveçëm të delegacionit shtetëror në mënyrën e vjetër të rehatimit të njerëzve, porsi me rastin e formimit të qeverisë në të cilën ka dyfish më shumë parti në koalicion sesa deputetë të partisë së kryeministrit.

Te pjesa “Roli qendror i kuvendit…” thuhet se marrëveshja përfundimtare i nënshtrohet një referendum konsultativ. Pra, shpërfillja e popullit të Kosovës jo vetëm që po ngjan qysh në fillim e tërë kohën, por ajo madje sanksionohet edhe në fund. Ta pyesësh popullin për marrëveshjen me Serbinë dhe të thuash se kjo nuk paraqet verdiktin përfundimtar është antidemokratike dhe antikombëtare.

Rezoluta e mbrëmshme është defansive. Serbia nuk ka pse i frikësohet asaj. Përkundrazi, kjo rezolutë është edhe më e dobët se disa prej atyre në legjislaturën e katërt e të pestë të Kuvendit të Republikës e të cilat nuk ishin të mjaftueshme dhe të pranueshme atëbotë për Grupin Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Kosova e ka kaluar një dekadë prej se është shpallur shtet i pavarur. Mirëpo, pushteti në Kosovë është pushtet vasal i Serbisë. Dueteve Thaçi – Vuçiq e Haradinaj – Radojçiq po i shtohet edhe një tjetër duet i bashkëdrejtuesve të këtij grupi me Gjuriqin.

Vasaliteti i presidentit të Kosovës nga Serbia mbrëmë fitoi një kaskadë me këtë rezolutën urgjente. Ky grup i dialogut me Serbinë, është grup për Thaçin dhe për Serbinë. Si i tillë ai është i pavlerë dhe i papranueshëm për Lëvizjen VETËVENDOSJE!. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Lajme
Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Lajme
Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Lajme
Qendrat e emigrantëve bosh prej javësh, policia italiane dhe punonjësit socialë largohen nga Shqipëria - The Guardian sjell detajet

Qendrat e emigrantëve bosh prej javësh, policia italiane dhe punonjësit socialë largohen nga Shqipëria - The Guardian sjell detajet

Lajme
Targat RKS, banorët e Leposaviqit përballen me vonesa për vazhdimin e regjistrimit të automjeteve

Targat RKS, banorët e Leposaviqit përballen me vonesa për vazhdimin e regjistrimit të automjeteve

Lajme
Raste të shumta për fajde dhe detyrim, Policia shpeshton aksionet

Raste të shumta për fajde dhe detyrim, Policia shpeshton aksionet

Drejtësi
Kalo në kategori