Si ia doli Gjergj Kastrioti Skënderbeu të jetë fitimtar në një çerek shekulli, në një vend të vogël, ku princër kishte disa, e përballë tij qëndronte një perandori e madhe? Përtej mitit që kemi krijuar për të, prej nevojës për një mit, ka të dhëna historike që argumentojnë imazhin e tij në piedestalin ku e kemi vënë. Prof. Dr. Irakli Koçollari, në një studim që paraqiti javën e kaluar në Konferencën Albanologjike kushtuar heroit në vitin Mbarëkombëtar, u ndal në një prej këtyre argumenteve-fakte: është pikërisht ai që sot do ta quanim shërbimi sekret i Skënderbeut, rrjeti i informatorëve që duke e vënë në dijeni në kohë për lëvizjet e ushtrive osmane, i jepte mundësinë të ndërtonte strategjitë e tija ushtarake, apo të mendonte taktikat e luftës.
Fatmira Nikolli
Vetë Koçollari tha se nuk ishte vetëm forca e shpatës apo ushtria famëmadhe që i fituan betejat, sepse betejat qenë produkt dhe mishërim sa i mjeshtërisë dhe artit të luftës që ai aplikoi, aq edhe i aftësive të tij për të krijuar aleanca dhe aleatë, i optikës brilante për të aplikuar një diplomacie aktive dhe multidimensionale, rajonale ballkanike dhe më gjerë evropiane; i rivlerësimit të situatave politike në vend, i ndryshimeve dhe reformave juridike dhe fiskale, i vlerësimit të institucioneve dhe botës religjioze të popullsisë arbërore, i ngritjes së strukturave informative dhe rrjetit që do të parandalonte kurthet dhe pabesitë fatale të kohës.
KUR SKËNDERBEU IKTE NGA OBORRI
Teksa është marrë gjatë me figurën e tij, Koçollari shënon se nëpër dokumentacionin arkivor ka gjetur gjurmë që tregojnë qartë se në rrugën drejt braktisjes së Oborrit perandorak Osman, dhe kthimit drejt atdheut heroi ka mundur të shmangë një kalvar të tërë rreziqesh dhe të aplikojë me një intuitë perfekte rrugëdaljet sfidante përmes projekteve konspirative. Prej Barletit, vë në dukje se kur Skënderbeu mbahej peng dhe shërbente në Oborr, qe përballur me kërcënime permanente, me rreziqe të cilat dukej se ai i vëzhgonte me shumë kujdes, për të evituar çdo pasojë. “Meqë këto pusira dhe kurthe të Tiranit, (Sulltanit) kundër Skënderbeut, po zbuloheshin pak e nga pak… vendosi më në fund të vinte në zbatim planin e tij” – citon profesori nga Barleti duke pyetur nëse kishte pasur një plan të fshehtë Skënderbeu për çlirimin e mbretërisë atërore? – A kishte ngritur vërtet pusi dhe kurthe Sulltani kundër Skënderbeut sikundër pretendohet? Tek e fundit shtrohet pyetja, thotë Koçollari, – përse Sulltani duhej ta ndiqte dhe të ngrinte kurthe kundër Skënderbeut, nëse ky ishte njeri besnik i Oborrit? “Në mënyrë logjike duhet pranuar se Skënderbeu do të duhej të vihej në ndjekje dhe të ngriheshin kurthe vetëm nëse ai kishte ndërmarrë veprime konspirative që vinin në dyshim besnikërinë e tij kundër Sulltanit. Por, a kishte Porta e Lartë fakte të tilla të dyshimta për Heroin? Njëri nga kronistët osmanë të kohës, sikundër Idrisi Bitlisi na sjell njoftime interesante dhe na bën me dije çuditërisht për këtë Plan të fshehtë, fakt se – Skënderbeu kishte komunikim të fshehtë dhe konspirativ me shqiptarë të panjohur, të cilët, vazhdimisht kishin punuar për t’i mbushur mendjen atij të vinte në trojet e të atit”, tha Koçollari në Konferencën Albanologjike.
Nga dokumentet e konsultuara, profesori nxjerr si përfundim se turqit kanë pasur informacione për Skënderbeun dhe kontaktet e tij periodike me njerëz “të pafe dhe ngatërrestarë”, ose e thënë më shkoqur osmanët kanë pasur informacione për kontakte të Skënderbeut me shqiptarë kristianë të panjohur dhe elementë që i luteshin të kthehej në atdheun e të Atit. Në vijim, Koçollari shton se Skënderbeu jo vetëm është survejuar dhe vëzhguar me kujdes, por edhe e ka ditur këtë ndaj siç thotë Barleti: “Ai nuk ja shfaqi askujt këto plane dhe dëshirat e tij mbeti e fshehur dhe nuk u muar vesh as me fjalë dhe as me ndonjë mënyrë tjetër…”.
Heshtja e heroit vijon deri kur më datë 3 nëntor 1443 me 300 kalorës “Skënderbeu, duke parë se kishte ardhur koha, kur ai mund të plotësonte ato që kishte menduar, pra Planin e tij të hartuar qysh më parë, me zellin më të madh gatitej për disfatën e turqve. Së pari, filloi së bashku me legjionet e veta t’i lëshonte dalëngadalë vend armikut e të kthente shpinën frontit, mandej me shembullin e tij tu ngjallte frikën të tjerëve dhe t’u mbushte mendjen që të braktisur frontin”.
Koçollari sqaron se nuk ishte vetëm arratisja nga fronti i luftimeve qëllimi dhe thelbi i konspiracionit të planifikuar të Skënderbeut. Një tjetër fazë e këtij plani të fshehtë do të duhej të realizohej prej tij. Për historianin, ajo ishte ndoshta më delikatja ndër hapat e hedhur gjer atëherë. Ato çaste të anarkisë në front, ndërsa trupat osmane merrnin goditjet shkatërruese, biografët e Heroit, sa ata shqiptarë Barleti, Noli, dhe Frang Bardhi dhe latinë Biemmi, por edhe kronistët osmanë, bëjnë me dije se: “Ato çaste Skënderbeu gjente momentin dhe kurajën e një strategu… për t’u rrëfyer planin që e kishte menduar që më parë miqve të tij. Mes të tjerëve aty gjendej edhe nipi i tij, Hamzai… Kur pa se fati i turqve në këtë betejë po perëndonte, iu vu pas Sekretarit këshilltar të Pashait, të cilin e vëzhgonte më vëmendje dhe e këqyrte për këtë qëllim me kujdes”. Viton më tej një tjetër moment: “Pasi e kapi, e vuri në pranga dhe i shkuli shpejt e shpejt një letër për qeveritarin e Krujës, me anë të së cilës ky urdhërohej, në emër të Sulltan Muratit, t’i dorëzonte Skënderbeut, të caktuar si sundimtar i ri, qeverisjen dhe të gjithë kujdesin e qytetit të Krujës. Në letër u shkruan edhe shumë gjëra të tjera me qëllim që të krijohej siguria dhe besimi më i madh tek qeveritari turk i Krujës.(meqë ai nga frika e vdekjes nuk bënte asnjë kundërshtim). Koçollari shënon se me t’u shkruar letra, sekretari u vra aty për aty me shokët e tij, me qëllim që të mos merrej vesh kjo çështje, për një kohë sa më të gjatë nga Sulltani Murati.
Sigurisht, ky ishte një akt i menduar mirë, së pari – që të mos përhapej lajmi se Skënderbeu kishte në duar një dokument të falsifikuar me anë të të cilit do të merrte në mënyrë të paligjshme Krujën; dhe së dyti – të kishte në dispozicion kohën e mjaftueshme për të mobilizuar trupat dhe popullsitë e krahinave arbërore për konfrontimet e afërta ushtarake që e prisnin, – gjersa Porta e Lartë të mësonte “tradhtinë e Skënderbeut dhe të mobilizonte trupat për hakmarrje”.
SKËNDERBEU NGRE RRJETIN INFORMATIV
Profesor Irakliu shton se mbërritja në Krujë me treqind kalorësit e tij të besuar është një tjetër sfidë dhe skenar i përgatitur me mjeshtëri nga kryetrimi. Burimet bëjnë me dije se Skënderbeu dekretin perandorak (të falsifikuar) ja dha në duar, nipit të tij Hamzait, për t’ia dorëzuar komandantit turk të garnizonit të Krujës. Ai në tërë aparencën e tij karakterizohej si një profil tipik turk dhe jo vetëm kaq, por që fliste në mënyrë perfekte osmanishten. Pas marrjes së Krujës, Skënderbeu iu përvesh punëve për të përballuar sfidat e mëdha që e prisnin. Më 2 mars të vitit 1444, sikurse bën të njohur G. Biemmi, ai organizoi Kuvendin e Lezhës, kryeqendra e Dukagjinëve, që asokohe ishte në zotërimin e venecianëve.
“Një ndër vendimet e këtij Kuvendi ishte edhe ngritja e rrjetit të informatorëve në të gjitha rrugët dhe shtigjet, që drejtonin karvanët apo kalorësit nga Edreneja në territoret e Arbërisë. Kjo strukturë e rëndësishme do të ishte syri dhe veshi që do të njoftonte apo paralajmëronte afrimin e rreziqeve dhe kërcënimeve osmane në kohën e duhur. Dhe për ta vënë këtë strukturë në jetë, ‘Menjëherë pas përfundimit të Kuvendit ai doli personalisht fshat më fshat dhe bëri regjistrimin e ushtarëve, – u shpjegoi fshatarëve rëndësinë e mobilizimit, – meremetoi dhe forcoi kalatë në të cilat vuri roje të forta, – vendosi vëzhgues të shtigjeve, të grykave, të luginave në të cilat vendosi informatorë detyra e të cilëve ishte të lajmëronin sa më parë, përmes lajmëtarëve të fshehtë, ose përmes shenjave si zjarre, tym, etj., afrimin e armikut”, u shpreh Koçollari në konferencën albanologjike, duke cituar dokumentet e marra në shqyrtim. Sipas tij, ngritja e një rrjeti permanent informatorësh në tërë arteriet dhe rrugët që sillnin lëvizjet e ushtrive osmane nga lindja drejt perëndimit, pra drejt territoreve të Arbërisë, ishte aq efektiv dhe duket se funksionoi aq saktësisht, sa në të tëra fushatat ushtarake që ndërmori Perandoria Osmane kundër Skënderbeut, të gjitha u paragoditën para se ato të hynin në territoret e Arbërisë. Asnjëra prej tyre – tha Irakli Koçollari – nuk mbërriti në muret e Krujës apo në destinacionin e përcaktuar si fushëbetejë pa marrë ndëshkime të rënda përpara mbërritjes në këto anë. Të gjitha këto, Koçollari ia atribuon informacionit të saktë që kishte kryetrimi prej rrjetit të tij informativ.
BETEJA QË U FITUA NGA INFORMACIONI
Vetëm tre muaj pas Kuvendit të Lezhës, në qershor të vitit 1444, Skënderbeu do të provonte ndeshjen e parë të përgjakshme me forcat osmane. Koçallari vëren se Sulltani dërgoi një ushtri të përbërë nga 25 000 trupa nën komandën e Ali Pashës, por Skënderbeu kishte marr informacion përpara kohe për përgatitjen e fushatës osmane kundër tij. Në fjalën e mbajtur në Kuvendin e princave shqiptarë, ai bën me dije se ka informacion rreth forcës së kundërshtarit kur thotë: “… Ne s’kemi pse të trembemi dhe s’duhet të trembemi për ardhjen e tij (Sulltan Muratit). Për këtë më kanë njoftuar mirë njerëzit e mi të brendshëm … para pak ditëve…”. Pra, duket qartë – thotë Koçollari – se Skënderbeu përsërit edhe një herë faktin se ai ka pasur burime informacioni në zemër të Perandorisë Osmane. Heroi nuk i identifikon ata, por thotë se “i ka bërë për vete mirësia dhe çështja e jonë e drejtë…”, duke na qartësuar se cili qe motivi që i bënte këto burime sekrete, pra këta njerëz të panjohur, të bashkëpunonin dhe të informonin Skënderbeun me të dhëna sekrete të karakterit ushtarak. Për Koçollarin, në thelbin e tij ky pohim nuk është asgjë më shumë sesa ai parim që aplikojnë sot shërbimet sekrete në rekrutimet e tyre dhe që në terminologjinë e profesionale thirret “motivi dhe baza e bashkëpunimit sekret”.
Duke shfrytëzuar pikërisht këto informacione të sakta, Skënderbeu më 29 qershor 1444, u doli përpara trupave osmane, në trevat e Dibrës së Poshtme. Pas përplasjes së parë, ushtria shqiptare u tërhoq me mjeshtëri sikur të ishte thyer, duke e futur kundërshtarin në fushën e ngushtë të Torviollit. Pikërisht, kur Ali Pasha kujtoi se e kishte zënë ushtrinë shqiptare në atë ngushticë në kurthin e tij, papritmas ai pa se gjendej i rrethuar nga të katër anët nga forcat shqiptare që ishin fshehur, maskuar në mënyrë perfekte në pyjet përreth. Nën komandën e sulmit, shqiptarët u lëshuan me shpejtësi duke shpartalluar tërësisht trupat osmane, duke vrarë mbi 7 000 vetë dhe zënë rob mbi 500 të tjerë. Operacionet ushtarake që ndërmori Skënderbeu kundër ushtrive osmane që i drejtoheshin territoreve arbërore u realizuan pothuaj të gjitha ende pa mbërritur në territoret arbërore, falë informacioneve të sakta të këtij rrjeti.
“Duhet të bëjmë të njohur faktin se vetëm në një rast Skënderbeu u gjend i painformuar dhe për pasojë u godit në befasi duke pësuar një disfatë të dhimbshme. Ishte rasti i betejës për marrjen e Beratit. Ushtritë e Skënderbeut në këtë rast u gjendën të papërgatitura pasi ushtritë osmane nuk ishin afruar nga rrugët e njohura, ku ishte ngritur dhe funksiononte rrjeti informativ i Skënderbeut”, vëren Koçollari, për të treguar edhe anën tjetër.
VENDIMI PËR TA VRARË
Historiani që ka shqyrtuar disa të dhëna për këtë studim, i referohet edhe një tjetër rasti rrëfen dukshëm efektivitetin e aftësive informative që kishin strukturat dhe autoriteti i Skënderbeut. Më 1447 heroi vendosi të ndërmarrë veprime luftarake kundër forcave veneciane. Rrethoi Danjën dhe Durrësin dhe u ndërmorën disa sulme kundër mureve të fortesave. Në situata të vështira, dhe për të dalë nga gjendja kritike, Këshilli Sekret i Rrogëtarëve të Republikës Venecjane, më 4 maj 1448, duke analizuar situatën, miratoi vendim për të ndërmarrë dy veprime: I pari shpërblimin e dikujt që nuk i përmendet emri për të vrarë Skënderbeun dhe i dyti një propozim që turqit dhe venecianët ta sulmonin njëherësh heroin. Koçollari vëren se për këto vendime dhe përpjekje konspirative të venecianëve, duket se Skënderbeu kishte marrë dijeni të plotë. “Natyrisht, ne nuk jemi në gjendje të mësojmë se cili ka qenë burimi i informacionit për të dhëna kaq konfidenciale. Sikundër bëhet e njohur gjithashtu, për këto plane të rrezikshme të Këshillit Venedikas, ishte vënë në dijeni edhe vetë Papa. Ky i fundit, i kishte vlerësuar ato si akte me pasoja të rënda është fjala për atentatin e mundshëm ndaj Skënderbeut, për të penguar ngjarjen e rëndë dhe përçarjen e madhe, Papa ngarkoi me mision urgjent Pal Ëngjëllin për të komunikuar me venedikasit”, vëren historian, duke shtuar se Pal Engjëlli, ia doli me sukses duke mbetur një ndër miqtë më besnikë të Heroit tonë gjer në fund të jetës së tij…
Koçollari vëren edhe se Skënderbeu, ishte vënë në dijeni edhe për letërkëmbimin dhe marrëveshjen e fshehtë veneto-turko. Rrethanat që na bindin për këtë është fakti se qysh në fundin e muajit Korrik të vitit 1448 – Skënderbeu kishte dërguar në kufijtë lindorë të territoreve të tij, në krahinën e Dibrës, reparte të përzgjedhura ushtarake, të përbërë nga 4 000 vetë, nën komandën e Kont Uranit.
Duket qartë, shënon Koçollari se Skënderbeu e ka njohur mirë praktikën, që ndiqnin shtabet ushtarake osmane kur niseshin në operacione luftarake, dinte faktin se çfarë materiali dhe dokumentacioni mbanin me vete ata. Vlerësimi dhe këqyrja e dokumenteve që ushtarakët e lartë osmanë mbanin me vete ka shërbyer si një burim informacioni për të, çka do të haset edhe në operacionet e tjera ushtarake që ai kreu.
INFORMACION, DIZINFORMACION, MASKIM
Në dokumentacionin arkivor, del edhe një tjetër aftësi, cilësi apo mjeshtëri e rrallë e tij. Koçollari nënkupton përdorimin e dizinformacionit, maskimin dhe befasinë e goditjes. Ngjarja kur këto mjeshtri të Skënderbeut u shfaqën në mënyrën me mbresëlënëse ishin operacionet e gjata dhe sfilitëse që çuan në Betejën e Albulenës. “Për këto skenare ushtarake maskimi që zgjatën përreth tre – katër muaj, do të thoshim se është shkruar shumë. Është fjala operacionet e mëdha ushtarake të ndërmarra nga turqit në verën e vitit 1457, kur Hamza Kastrioti, nën komandën e Isak Evrenoz Pashës, me një forcë prej 50 000 osmanësh, iu drejtua territoreve të Arbërisë”, vëren profesor Koçollari. Ai shton se pasi u sigurua nga krahët (venedikasit) Skënderbeu u drejtua me forcat e rregullta të ushtrisë së tij, menjëherë në kufijve lindorë të Arbërisë, nga ku kishte informacione për afrimin e shpejtë të një ushtrie osmane.
Duke ditur se në krye të kësaj ushtrie ishte Isak Evrenoz Pasha dhe Hamzai Kastrioti, i cili i njihte të gjitha mënyrat e luftimit dhe të maskimit të Skënderbeut, ky i fundit u shtrëngua të përdorte një taktikë dhe strategji të re kamuflimi dhe dizinformacioni ushtarak. Pas përplasjes së parë ushtarake me ushtrinë turke, Gjergj Kastrioti bëri sikur u tremb dhe u tërhoq me të shpejtë me të gjithë trupat e tij. Gjurmët që la krijuan përshtypjen se ai u fut i trembur në zotërimet e Lezhës, por ky ishte vetëm një dizinformacion ushtarak. Informacionet që kishin grumbulluar ushtarakët venecianë në zotërimet e tyre në territoret e Arbërisë, sikundër ata në Shkodrës, Danjë dhe Baili, Marko Diego në Durrës, bënin me dije Senatin Venedikas se “Skënderbeu ishte shpartalluar keq”, se “Kastrioti ishte trembur, larguar dhe fshehur nga frika e ndëshkimit”. Por, në fillim të muajit shtator, kur ushtria turke e sfilitur fizikisht dhe e dërrmuar nga një kalvar i pafund kërkimesh dhe udhëtimesh pa rezultat, e bindur se Skënderbeu kishte marrë arratinë së bashku me familjen e tij, e vendosur në Albulenë, pranë Lumit Mat, në perëndim të Malit të Tumenishtit, e shkujdesur, me disiplinë tanimë të shthurur, Skënderbeu shfaqet papritur me formacione të rregullta të ushtrisë së tij dhe nën një konspiracion perfekt merr dominimin e Tumenishtit. Me kujdes e pa zhurmë, në errësirën e natës kishte ndarë ushtrinë e tij në tri formacione, në të parin qëndroi vetë, ndërsa dy formacionet e tjera i la nën komandën e Moisiut të Dibrës dhe të tretin Gjergj Stres Balsha me Pjetër Emanuelin”.
“Në heshtje dhe në një maskim që nuk kishte lënë askund gjurmë, trupat shqiptare, më datën 7 Shtator 1457, në mesin e një dite më vapë përvëluese, kur ushtria osmane ishte shthurur plotësisht, pasi kishte kapur rojtet periferike turke, nën oshëtimin e trumpetave dhe kërcëllimat e armëve luftëtarët shqiptarë të organizuar në formacione dhe nën komandën e vetë Skënderbeut u lëshuan mbi trupat osmane duke bërë kërdinë… Ishte një betejë e tmerrshme – thotë Barleti. “Një befasi e llahtarshme. Rreth 20 000 u vranë, 1 500 u kapën rob, nga radhët e ushtrisë turke, ndërsa pjesa e mbetur e trupave mori arratinë. Midis robërve ishte edhe Sanxhak bej Mesidi dhe vetë Hamza Kastrioti…”. /GSH/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëKush e vrau Ismail Qemalin?
Thënie të gjeniut që jetonte me 40 mijë libra në shtëpi: Mit’hat Frashëri dhe paradokset shqiptare
ÇIFTI MË I LUMTUR
Izraeli, Libani dhe mirazhi i Lindjes së re të Mesme
Ali Pasha ndikohej nga Revolucioni Francez, donte shtet të pavarur shqiptar, me Kushtetutë perëndimore!?
Harta e shteteve të Evropës, gjatë 2400 vjetëve
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Man United ofron 60 milionë euro dhe kartonin e Zirkzees për transferimin e yllit të Interit
"Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket", paralajmërimi i Musk për të ardhmen e njerëzimit
Klubi rumun shkruan pas ndeshjes ndaj Rahovecit: Pritje shumë e mirë, ju falenderojmë për këtë gjë
Serwer: Kthimi i Grenellit, mund të çojë në ndarje të territoreve në Ballkan
Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të Big Brother VIP Albania
Hap historik për ushtrinë amerikane: SHBA fillon prodhimin e eksplozivëve TNT në tokat e saj