Moikom Zeqo flet për Ali Pashën, ushtarakun e zot që dinte të rrinte në korrent të ngjarjeve me rëndësi të kohës; për diplomatin që diti të krijonte marrëdhënie me një tjetër dinak si ai, Bonapartin e Francës, por edhe për burrin që joshi 14- vjeçaren e cila e dashuroi përjetë

Intervistoi: Jorida Pasku

“Hankoja, kjo grua provokuese, autarkike dhe e pangopur, vendosi te banorët taksa të rënda. Përveç kësaj, me ndihmën e trimave të saj, rrëmbeu dhe një fshat që i takonte kardhiqotëve. Ata ia mbajtën vathë në vesh dhe një natë hynë në Karjan të armatosur, zunë rob Hankon, Shanishanë dhe djaloshin Ali dhe i çuan në Kardhiq. Dhe aty, para syve të tiranit të ardhshëm, në shenjë hakmarrjeje, shpërthyen në orgji kolektive mbi trupat e nënës dhe të motrës së tij. Në shpirtin e tij primitiv, të egër dhe krenar, hodhi rrënjë urrejtja kundër njerëzve, si dhe etja e pashuar për t’u bërë i fuqishëm, me qëllim që të dënonte dhe të shpëlante këtë ofendim”. Ky është përshkrim që Spiro Mela ia ofron lexuesit qysh në hyrje të librit “Luani i Epirit- Ali Pasha dhe Suli” (Toena 2013).

Moikom Zeqo, që bëri një analizë të shkurtër por të hollë për librin bashkë me Aurel Plasarin, i solli ndër mend Aleksandrin e Madh, ”që u formësua nën ndikimin e s’ëmës së tij, Olimbisë, një grua e egër e cila e stërviste të bëhej një sundimtar që ambicia të mos kishte asnjë kufi”.

Kurse Hankoja e atij djalit që pa tmerre qysh në moshë të njomë, “mundohej ta rriste me frymën e një urrejtjeje dhe një vetëdije, madje edhe të një deliri që ai duhej t’i sundonte të gjithë të tjerët”. Ai nuk ia la hakun pa marrë nënës, duke i djegur dhe i shkretuar hormovitët, i shkoi në hell dhe i torturoi gra e fëmijë, aq sa Mela shkruan edhe që “u qethi flokët për të mbushur jastëkët”.

Zeqo do të kujtojë amanetin e dytë që Aliu nuk e çoi dot deri në fund, atë të dërgimit të një thesari në Mekë për shpëtimin e shpirtit të gruas pedante, Hankos. “Por, në Mekë duhet të çohej një thesar i fituar me djersën e ballit, jo i grabitur dhe Ali Pasha nuk e kishte atë”.

Nuk mund të nisë historia e njohjes së Aliut, pa njohur “këtë fshatar të pagdhendur, pa asnjë kacidhe”, një bandit i pamëshirshëm që nuk kurseu në vrasje mikun e tij, kunatin, krushqit, deri edhe vajzën e vet, më tej gruan e parë Eminenë e bindur. Tradhtoi bijtë: Myftarit i mbyti të dashurën, Veliut i vidhte pas krahëve Zejbedejën. Nuk ra në paqe derisa i shkretoi dhe bastisti suljotët trima me të cilët luftoi për vite, duke ditur fare mirë forcën dhe durimin e tyre. Nuk kishte grua që nuk i nënshtrohej po t’i hipte gjaku në kokë pashait plot fuqi. Mister ngelet edhe për studiuesin Moikom Zeqo historia e dashurisë me Vasiliqinë e njomë, 50 vjet më e vogël se ai, që nuk e tradhtoi edhe kur këtë e bënë të gjithë, dhe nuk u martua kurrë pas vdekjes së tij.

Një figurë hipnotizuese, Aliu, që krijoi marrëdhënie interesi me konsuj francezë e anglezë, gjithmonë aty ku e çonte ambicia. Shqetësimi i studiuesit Zeqo, që ka lexuar jo pak për figurën shqiptare më me rëndësi të shekujve XVIII- XIX, është varfëria që ekziston në burime, në botimin e dokumenteve. Deri më tani “janë botuar një pjesë fare e vogël e dokumenteve angleze; vetëm libri i Pukëvilit nga ato diplomatike franceze; po përgatiten greket, por materialet osmane nuk janë ende botuar, të Rusisë po ashtu, dhe ato të vendeve rreth e qark që kanë shkruar për Ali Pashën. Ato duhen botuar, pastaj duhet bërë një gjykim më gjakftohtë, më objektiv, ndoshta edhe më tolerant”.

– Si e vlerësoni botimin më të fundit për figurën e Ali Pashës, “Ali Pasha dhe Suli- Luani i Epirit” te akademikut grek Spiro Mela?

Ali Pasha është më i ndërlikuar nga ç’duket në shikim të parë. Është bërë edhe më i ndërlikuar për shkak të librave paradoksalë, shënimeve dhe përshkrimeve me kahe të ndryshme që janë shkruar për të. Nuk kemi një studim në bazë të dokumentave, janë më tepër studime në bazë të opinioneve dhe librave të bashkëkohësve të tij, kryesisht të huaj. Mungojnë dokumentet shqiptare për të, ose dëshmitë e shqiptarëve për të.

– Nga vjen kjo mungesë?

Mendoj se mungojnë një pjesë e shqiptarëve, përveç një shqiptari i cili ka lënë dëshminë më të madhe, poeti i tij zyrtar Haxhi Shehreti, që ka botuar poemën epike me titull “Alipashiada”. Ai ka të dhëna historike të cilat konfirmohen edhe nga dokumentet e kohës, por natyrisht, ka një qëndrim apologjik; bën apologjinë e Ali Pashë Tepelenës. Shumë të dhëna që ka te “Alipashiada”, të cilën e ka përkthyer në shqip Irakli Koçollari, janë tepër interesante dhe autentike. Haxhi Shehreti, poeti i tij i oborrit, e ka shkruar në një greqishte vulgare eposin e tij. Padyshim është një figurë e madhe kulturore e shekullit XIX. Kaq e vërtetë është kjo sa shumë shkrimtarë grekë të shekullit XX e çmojnë tepër veprën e tij.

– Mbi cilat fakte ka hedhur dritë, që nuk ka guxuar dhe arritur kush më parë?

Ai ka hedhur dritë përgjithësisht në faktet e kulmit të fuqisë së Ali Pashës; ka diçka nga fëmijëria. Por, përveç faktit të palëkundshëm që Ali Pasha është shqiptar dhe ka lindur në një fshat të Tepelenës, edhe disa elementëve që lidhen me fëmijërinë e tij, sidomos në raport me të ëmën dhe motrën, pjesa tjetër ku flitet për këtë fazë të parë të jetës është apokrife, nuk është e saktë. Madje edhe në këtë libër thuhet që gjoja Ali Pashë Tepelena pohon se e ka origjinën nga një fis i largët arab. Këto janë gjenealogji fantaziste të përhapura shumë në atë kohë. Të gjithë shpiknin gjenealogji të tilla. Ali Pasha është shqiptar i kulluar dhe është një lab, po ta quajmë në kuptimin krahinor, me një zgjuarësi të pazakontë.

– Cilët autorëve u referoheni kur pohoni se kanë shkruar pa u mbështetur në dokumente shkencore?

Po të marrim ambasadorin e Francës, Pukëvilin, ai ka shkruar mirë kur Ali Pasha kishte marrëdhënie të qeta me Francën, pastaj kur ai pati marrëdhënie të mira me Anglinë, pra u bë kundërshtar i Francës. Pukëvili ka shkruar gjërat më të mënxyrshme. Ai arrin të shkruajë edhe kundër Bajronit dhe Likut, nga urrejtja që ka për pashain e Janinës.

– Po çfarë duhet marrë me rezerva tek diplomati francez?

Pukëvili është një figurë minore e historiografisë; nuk është ndonjë dijetar i madh. Sot në Francë nuk e njeh askush. Për shkak se edhe pashai e mbajti gati-gati si të internuar, ka një urrejtje të kuptueshme dhe për këtë shkak ai i zmadhon të metat e Ali Pashës dhe i minimizon të mirat.

I dyti që ka shkruar keq për Ali Pashën është Manzur Efendiu, një prift i Zyrës së Shenjtë të Vatikanit, që ra rob në duart e Aliut, ndërroi fenë, u bë bektashian dhe për shkak të gjuhëve të shumta që dinte, u bë një lloj sekretari poliglot i administratës së tij. Të gjitha këto janë një pjesë e realitetit, por nuk janë realiteti i plotë. Që ta rindërtosh atë duhen botuar dokumentet origjinale.

Irakli Koçollari po përgatit për botim disa mijëra faqe, dekrete, urdhra, dokumente të administratës së tij, por më të rëndësishme ngelen ato të arkivave të huaja. Po ashtu janë botuar 50 syresh të panjohura të arkivave britanike. Interesante është se në këto dokumente, Ali Pasha ka pamjen e një diplomati të madh, të një figure shtetari, të një figure të respektueshme, aq sa britanikët, duke përfshirë edhe Lord Nelsonin, që është figurë me rëndësi e historisë së Anglisë, përdornin edhe kundrejt tij edhe titullaturën, gjë që ka shumë rëndësi në diplomaci. E quanin “madhëri”, “shkëlqesi” në një kohë kur ai nuk ishte sulltani i Turqisë, por thjesht pashai i një krahine.

– Çfarë thuhet për kontributin që ka dhënë për Shqipërinë në këto dokumente?

Ekziston një dokument i përpiluar në oborrin e Ali Pashës, një lloj promemorie ku tregohen edhe idetë e tij për kombin shqiptar, për krijimin e një shteti të pavarur, madje edhe për një kushtetutë. Dihet që dërgoi edhe njeriun e tij te konti Meterlik në Austri për t’i kërkuar propozimin e projektit të një kushtetute. Ai ka qenë i ndikuar nga idetë e revolucionit francez, por njëkohësisht edhe i lidhur me atë fuqi që ishte më përpara sesa Franca në pikëpamje të perspektivës historike. Në konfliktin midis Francës dhe Anglisë, në fund të fundit fitoi Anglia. Marrë nga një pikëpamje e perspektivës, ai e kuptoi që anglezët do të ishin fitues. Siç del nga dokumentet, britanikët e çmuan shumë rolin e Ali Pashës, por në momentet e fundit nuk e ndihmuan. Bënë diçka tjetër; i dërguan një mesazh ku i premtuan dërgimin enjë anije për të shpëtuar njerëzit e afërt dhe thesarin, sepse asokohe Londra nuk mund t’i shpallte luftë Perandorisë Osmane. Ai pranoi të sakrifikohet.

– Si i shërbeu ky diplomat dhe ushtarak Greqisë dhe Perandorisë Osmane?

Libri i Melës është një libër popullarizues; nuk është një studim historik. Është një biografi e letrarizuar dhe nga kjo pikëpamje ai të kujton më tepër librat e tipit të Stefan Cvajgut, Emil Ludvigut ose Andrea Moruasë. I thjeshtëzojnë faktet historike, i shkruajnë me një stil të bukur dhe ky ka një stil shkrimtari, tërheqës, grishës, me elementë romantikë. Ai thotë edhe disa të vërteta që janë me rëndësi. Në historiografinë greke ka libra në të cilët shahet, por ka edhe nga ata që e lavdërojnë sepse roli politik i Ali Pashës, kundër qendrës osmane, Stambollit, krijoi premisat për çlirimin e Greqisë. Dokumentet janë të sakta kur dëshmojnë që ai ka ndihmuar të ashtuquajturit komplotistë, që donin të krijonin pavarësinë e Greqisë. Ka pasur njohje dhe i ka ndihmuar me para, me armë. Pak a shumë ka bërë atë që ka bërë Bajroni për kryengritësit grekë. Aq më tepër që një pjesë e komandantëve të revolucionit grek qenë shqiptarë, madje disa të oborrit të tij. Ai kishte një koncept pak modern, kozmopolit, për administratën e pashallëkut të vet. Krijonte një barazi formale midis feve dhe etnive, i jepte shumë rëndësi tregtisë.

Libri më i mirë që kam lexuar është i një amerikaneje, Katherine Fleming, ai me titull: “Bonaparti Musliman”.

Është hera e parë që shikoj një studim që merret me të dhënat ekonomike, të tregtisë, të qarkullimit financiar, duke treguar që Aliu krijoi formën më moderne ekonomike në të gjithë Perandorinë Osmane. Nga kjo pikëpamje, elementët e tjerë të zhvillimit tregtar të lirë kanë qenë premisa pozitive të pushtetit të tij.

Kurse, libri që më ka tronditur më shumë është ai i një mendimtari amerikan që quhet Edward Said, “Orientalizmi”, i cili bën analizën e koncepteve të letërsisë evropiane, romantizmit, autorëve të shumtë. Koncepti i shtrembëruar i romantizmit ka ndikuar edhe te Ali Pasha; për shembull edhe Aleksandër Dyma nuk ka saktësinë historike. Kanë një prirje metaforike për ta bërë sa më interesante veprën, për ta bërë sa më mistike. Saidi bën kritikën e këtyre koncepteve.

– Po në dokumentet shqiptare çfarë thuhet për të?

Ne nuk i kemi të shumta, përveç disa mbishkrimeve të disa kishave që janë ndërtuar me mbështetjen e Ali Pashës, ndonjë kronike të thjeshtë të shekullit XIX- të. Interesant është korpusi i poezive popullore për fundin e tij, për vrasjen. Populli i ka ditur mizoritë e tij, ka ditur edhe faktin që ai ishte kundër Perandorisë Otomane. Nga kjo pikëpamje, natyrisht është shkruar edhe ndonjë biografi e letrarizuar.

I pari është Myfit Libohova, që veprën e ka shkruar turqisht. Pastaj Sabri Godo, por nuk ka sjellë risi të madhe. Studime historike të vërteta për Ali Pashën i ka shkruar vetëm Irakli Koçollari – dhe libri më i rëndësishëm është ai – për dokumentat angleze.

– Çfarë vlerësohet në marrëdhënien që krijoi me diplomatë të Francës dhe Anglisë?

Ai është produkt i kohës. Në një kohë që Perandoria Osmane po pësonte përçarje, kur ishin luftërat ruso-turke, kur revolucioni francez krijoi një klimë për lirinë e popujve, Anglia mundohej të luante rolin e saj parësor në kontinentin Evropian.

Të gjitha këto krijuan një personazh napoleonid – sepse Andre Morua por edhe Svajku thonë – që të gjithë personazhet e shekullit XIX janë napoleonide, dhe e vërteta është që këta ishin njerëz rebelë që donin pavarësinë, me një prirje të mëvetshme. Në këtë kohë shquhen tre shqiptarë të mëdhenj: më i madhi është Mehmet Ali Pasha i Egjiptit, i dyti është Ali Pasha i Janinës dhe i treti është Mehmet Bushatlliu i Shkodrës. Për fat të keq, Bushatlliu është lënë pak mënjanë. Të gjithë ishin fillimisht pjesë të Perandorisë Osmane. Më i suksesshmi qe Ali Pasha i Egjiptit, sepse ai e shkëputi dhe e bëri shtet modern. Kurse këta mbetën brenda kuadrit formal, politik të Perandorisë, kishin pushtet absolut brenda pashallëqeve të tyre, por përfunduan tragjikisht. Këto pashallëqe ishin forma fillestare që treguan aftësitë shtetformuese të shqiptarëve për të qenë të pavarur nga Perandoria. Aftësi që nuk qenë të plota, por përgatitëse, pjesë e një procesi. Mendoj se Lidhja Shqiptare e Prizrenit e vitit 1878, ndikimi i Ali Pashës dhe i Bushatlliut ka qenë thjesht një frymë, meqë shqiptarët donin të krijonin një shtet. Një shtet që u krijua më 1912.

– Po në lidhje me Perandorinë Osmane, thuhet që ai vendosi rregull në pikëpamjen administrative, paguheshin taksat, dënohej vjedhja, grabitja, imoraliteti edhe pse shumicën e ndëshkimeve e bënte për interesa të tjera tërësisht vetjake…

Perandoria Otomane në atë kohë ishte në kulmin e krizës. Në kohën e Ali Pashë Tepelenës, marrëdhëniet e pashallëqeve me qendrën qenë më tepër klienteliste.

Vlen të përmendet edhe që ai është krijues i shërbimit inteligjent shqiptar, pra rrjetit të spiunazhit, natyrisht për interesat e veta. Një pjesë e historisë është akoma konfuze. Megjithatë, këto lëvizje e dobësonin qendrën e Perandorisë Osmane.

Objektivisht ishin pozitive për pavarësinë e shqiptarëve, por ajo që pati rezultatin më të hershëm ishte pavarësia e grekëve. Mos të harrojmë që në revolucionin grek, një pjesë e madhe e kapedanëve qenë shqiptarë.

– Çfarë duhet riparë dhe rifreskuar në tekstet e shkollës së mesme, apo universiteteve kur shkruhet për këtë kohë?

Mendoj që Ali Pasha është ende si duhet i pastudiuar në Shqipëri. Asnjë historian shqiptar nuk është marrë seriozisht me të. Por, Irakli Kocollari ka bërë një vepër të jetës me studimet e tij shumëdimensionale mbi Ali Pashe Tepelenën dhe epokën e tij.

Librat që janë shkruar, si puna e Godos, hyjnë më tepër në letërsi.

Ka një libër historik, për Bushatllinjtë, që e ka bërë Stavri Naço, “Bushatllinjtë e Shkodrës”, i pajisur me dokumente.

Ka lënë disa monumente të mëdha që lidhen me emrin e tij, e para është Kështjella e Porto Palermos që është një mrekulli, e dyta është ajo e Gjirokastrës dhe e treta është Kështjella e Ali Pashës që është gati e shkatërruar.

Unë kam parë disa fotografi të viteve 1920; ishte një ndërtim i përsosur dhe i dihet edhe emri arkitektit, Petro Korçari.

Puthitja e gurëve në Tepelenë është mahnitëse.

Ne njëherë duhet të restauronim kështjellën e Tepelenës, se këto të tjerat janë deri diku në gjendje të mirë. Është bërë një monument nga Muntaz Dhrami, por përgjithësisht nuk kemi bërë ndonjë gjë për Ali Pashën.

Për Ali Pashën kanë folur kaq shpesh diletantët.

– Pashai mbetet i çuditshëm edhe në jetën intime…

Më e çuditshme është lidhja me gruan e tij Eminenë, që thuhet që ia vrau vajzën. Më e pashpjegueshmja, që hyn te dashuritë më të çuditshme, është dashuria për Vasiliqinë. Diferenca në moshë e tyre është shumë e madhe; ajo ka qenë 19 vjeçe, ai afro 70. Ky njeri mizor që kishte vrarë, që nuk pyeste për askënd, befas i beson në mënyrë më naive gruas, sepse vetëm ajo e qetësonte.

Madje kur ai, në momentin kur e vrasin, i jep urdhër Thanas Vajës që ta vrasë Vasiliqinë, për të mos rënë në duart e turqve, ajo nuk u vra.

Pjesa e dytë e jetës së saj është shumë e çuditshme; nuk pranoi të martohej me asnjeri tjetër, u dha pas pijes dhe duhanit dhe ka vdekur 50 e ca vjeçe.

Nuk e di ku qëndronte magjia midis tyre, do mbetet një enigmë e madhe.