Gjykata më e lartë e Zvicrës është Gjykata Federale - në gjermanisht Bundesgericht, në frëngjisht Tribunal fédéral. Në webfaqen e gjykatës thuhet: “Gjykata Federale siguron zbatimin unik të së drejtës federale në Zvicër.

Ajo mbulon në parim të gjitha fushat e së drejtës: të drejtën civile dhe penale, të drejtën kushtetuese dhe administrative, duke përfshirë të drejtën e sigurimeve shoqërore, si dhe të drejtën e mbledhjes së borxheve (përmbarimit) dhe të falimentimit.


Gjykata Federale mbron veçanërisht edhe të drejtat kushtetuese të qytetareve dhe qytetarëve. Në selinë e saj në Lausanne dhe në degën në Luzern punojnë 40 gjyqtare e gjyqtarë, si dhe rreth 370 punonjës të tjerë. Ajo merr vendime në mbi 7000 çështje në vit”.

Ka disa javë që Gjykata Federale e Zvicrës është duke dominuar raportimet mediale, por jo me vendime të stërholluara e mirëmeduara juridike, por me një rast të pazakontë: është zbuluar një lidhje e fshehtë dashurie mes dy gjykatësve federalë.

Tani ekzistojnë dyshime të bazuara për përgjime të paligjshme, spiunazh dhe shkelje të rënda të privatësisë.

Gjithçka nisi kur revista “Weltwoche”, botuesi i së cilës kritikohet si adhurues i Vlladimir Putinit, Viktor Orbanit dhe Aleksandar Vuçiqit, publikoi një seri artikujsh ku zbulonte se gjykatësja federale Beatrice van de Graaf dhe kolegu i saj, gjykatësi federal Yves Donzallaz, kishin një lidhje dashurie.

Ky fakt përbën shkelje të ligjit zviceran, i cili ndalon një “bashkëjetesë të përhershme” nëse personat ushtrojnë njëkohësisht detyrën në gjykatën më të lartë. Qëllimi është që kështu të mbrohet pavarësia e institucionit.

Përmes një komunikate për mediat, Gjykata Federale konfirmoi se të dy gjykatësit e kanë pranuar ekzistencën e lidhjes. Sipas tyre, lidhja kishte nisur pas vitit 2024 dhe kishte përfunduar përpara se “Weltwoche” të publikonte artikullin e parë më 30 prill 2026.

Në mes të këtij muaji, Asambleja Plenare e të gjithë gjykatësve federalë vendosi se marrëdhëniet e tilla romantike mes anëtarëve të gjykatës “bien në parim ndesh me rregullat dhe zakonet në fuqi të gjykatësve”.

Për këtë arsye, gjykata ka urdhëruar një hetim të jashtëm të pavarur, rezultatet e të cilit pritet të publikohen në fund të qershorit.

Megjithatë, hulumtimet e fundit mediale kanë zbuluar një dimension të ri dhe mjaft delikat të kësaj ngjarjeje. Në fillim të prillit - vetëm pak javë përpara se të shpërtente skandali në media - gjykatësi federal Yves Donzallaz zbuloi një kamerë të fshehur në gardhin me shkurre të pronës së tij në rajonin e Unterwallisit.

Gardhi shërbente për të izoluar shtëpinë e tij nga rruga e lagjes, ndërsa kamera ishte fshehur në pjesën e jashtme të tij, e drejtuar saktësisht nga hyrja e makinës në oborr. I tronditur nga ky zbulim, gjykatësi federal dorëzoi menjëherë një padi penale në policinë e kantonit të Wallisit, duke u dorëzuar atyre edhe pajisjen e spiunazhit.

Më 30 prill, një gazetar i “Weltwoche” publikoi shkrimin me titull “Dashuri e ndaluar”. Në tekst përmendeshin dëshmi të ndryshme për të vërtetuar lidhjen mes dy gjykatësve, duke specifikuar se redaksia posedonte edhe “prova me fotografi”. Ky fakt ngre dyshime të mëdha nëse fotot në fjalë janë realizuar pikërisht nga kamera e fshehtë në gardh – dhe nëse po, si ranë ato në duart e gazetarëve? - shkruan gazeta “Tages Anzeiger”. Autori i tekstit në “Weltwoche” tha se nuk jep asnjë informacion për burimet e tij.

Kryeprokurorja e kantonit të Wallisit konfirmoi se ka pranuar një padi penale nga gjykatësi Donzallaz.

Juristët dhe avokatët e specializuar të pyetur mbi rastin vlerësojnë se kushdo që ka vendosur atë kamerë ka marrë përsipër një rrezik të madh ligjor. Eksperti i të drejtave themelore, Viktor Györffy, theksoi për “Tages Anzeiger” se ky veprim përbën një shkelje të rëndë të mbrojtjes së personalitetit, shkelje të ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale, si dhe ka një dimension penal.

Nga ana tjetër, profesori i së drejtës së mediave, Urs Saxer, shtoi se duke qenë se gardhi ndodhej në pronë private, këtu ka vend edhe për akuzën e shkeljes së pacenueshmërisë së banesës. /Telegrafi/