Franca do të nisë një hetim mbi trajtimin e shtetasve të saj në bordin e flotiljes së Gazës.

Ky vendim, i njoftuar nga Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, vjen pas raportimeve se aktivistët iu nënshtruan poshtërimit, përdhunimit dhe akteve të torturës gjatë kohës që ishin në paraburgim.


“Bazuar në një raport që kërkova nga Konsulli ynë i Përgjithshëm në Turqi, i cili detajonte dhunën seksuale, ekspozimin ndaj të ftohtit, rrahjet dhe poshtërimet e përsëritura të shtetasve francezë - të gjitha akte që mund të përbëjnë vepra penale”, tha Barrot.

"Vendosa t'ia referoj çështjen Prokurorit Publik, në përputhje me nenin 40 të Kodit të Procedurës Penale. Kjo çështje tani është në duart e sistemit të drejtësisë", shtoi ai.

Italia, Irlanda dhe Spanja i kishin bërë thirrje BE-së të sanksiononte ministrin e sigurisë kombëtare të ekstremit të djathtë të Izraelit, i cili kishte postuar një video që tregonte aktivistë të ndaluar nga flotilja që shkonte në Gaza të detyruar të bien në gjunjë me duar të lidhura.

Ndryshe, Flotilla Global Sumud ishte nisur nga Turqia në një përpjekje të aktivistëve për të thyer bllokadën e Izraelit ndaj territorit palestinez, pasi forcat izraelite ndërprenë një konvoj të mëparshëm.

Izraeli kontrollon të gjitha pikat e hyrjes në Gaza, e cila ka qenë nën një bllokadë izraelite që nga viti 2007. /Telegrafi/