Një valë sulmesh ukrainase me dronë të premten shkaktoi zjarre dhe dëme në objekte industriale në disa rajone të Rusisë.

Sulmet vijnë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, njoftoi intensifikimin e tyre në territorin rus.


Në qytetin industrial Volzhsky, në rajonin e Volgogradit, një burrë humbi jetën në një fabrikë të fibrave sintetike, ndërsa një grua pësoi lëndime të rënda dhe u dërgua në spital, deklaroi guvernatori Andrey Bocharov.

Ai raportoi gjithashtu për një zjarr në një objekt energjetik në jug të rajonit, si dhe për dëmtime në një ndërtesë banimi.

Autoritetet në rajonin e Jaroslavlit konfirmuan se depot industriale të karburantit u goditën gjatë një sulmi të madh me dronë. Sipas guvernatorit, Mikhail Yevrayev, zjarri u shua dhe nuk pati të lënduar. Rruga që lidh rajonin me Moskën u mbyll përkohësisht.

Në qytetin portual Temryuk, në Detin Azov, mbetjet e një droni të rrëzuar shkaktuan zjarr, por autoritetet lokale njoftuan se nuk ka persona të lënduar.

Të dyja palët raportuan për qindra dronë të përdorur gjatë natës. Sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes, sulmet ukrainase kishin në shënjestër 13 rajone ruse. Ministria tha se janë rrëzuar 208 dronë, por nuk dha detaje për goditjet e suksesshme apo për numrin total të mjeteve të lëshuara.

Nga ana tjetër, forcat ajrore ukrainase njoftuan se Rusia sulmoi Ukrainën gjatë natës me një raketë balistike Iskander dhe 232 dronë. Ukraina pretendon se neutralizoi 217 dronë, megjithatë u regjistruan edhe disa goditje. Ushtria nuk publikoi informacione për lokacionet e goditura apo përmasat e dëmeve.

Zelensky kishte deklaruar më herët se synimi i sulmeve ndaj objekteve të lidhura me industrinë ruse të naftës është ulja e të ardhurave të Moskës nga eksporti i energjisë, të cilat përdoren për financimin e luftës.

Ai shtoi se fushata e sulmeve të shtuara ndaj Rusisë synon gjithashtu të ushtrojë presion mbi Kremlinin për ta sjellë Moskën në tryezën e negociatave dhe për të siguruar, siç tha ai, një përfundim të drejtë të luftës. /Telegrafi/