LAJMI I FUNDIT:

Identiteti dhe estetika, nëpërmjet artit të veshjes popullore

Identiteti dhe estetika, nëpërmjet artit të veshjes popullore

Elda Shabani

Edhe pse shumë mendojnë se veshja ka origjine estetike, ajo së pari lindi si nevojë, për të mbrojtur trupin nga faktorët klimatikë, për t’u ndjerë më i mbrojtur nga faktorë të ndryshëm. Ashtu si veglat e punës apo ushqimi edhe veshjet konsiderohen ndër mjetet kryesore të jetës së njeriut. Veshjet mund të interpretohen si një gjuhë që komunikon një numër funksionesh. Këto funksione shprehin qëndrime brenda komunitetit lidhur me idealet sociale, estetike, morale dhe nacionaliste. Gradualisht në procesin e zhvillimit të shoqërisë njerëzore u krijuan veshje në përshtatje me stinën, me gjininë, me vendin, me moshën, statusin social.

I gjithë zhvillimi i veshjeve, është i lidhur ngushtë me historinë e zhvillimit të një vendi. Një nga aspektet e rëndësishme të mënyrës së jetesës janë veshjet popullore të cilat me larminë e tyre pasurojnë Identitetin dhe trashëgiminë kulturore të një vendi. Veshja popullore i referohet veshjeve të popullatave rurale të angazhuara në bujqësi, blegtori, peshkim etj. E quajtur ndryshe si veshje fshatare, rurale ose rajonale, mund të konsiderohet edhe veshje etnike në rajonet më me shumë se një grup etnik.


Në të gjitha rastet, veshja popullore identifikoi njerëzit me një vend. Ende sot e nderojmë fustanin tradicional të vendit, duke e veshur atë shpesh nëpër festivale kombëtare dhe raste të veçanta ceremoniale. Vendet e Ballkanit kanë një histori të gjatë dhe të pasur të veshjes popullore.

Shtresa e mesme dhe e lartë e shoqërisë në shekujt e shtatëmbëdhjetë dhe tetëmbëdhjetë, mbanin një stil kombëtar, me elemente të pasura zbukurimesh e me motive gjeometrike, disa prej të cilave ishin simbolet fetare-fisnore, e tokës dhe e pjellshmërisë; përdorimi i monedhave metalike si varëse në qafë dhe në kokë. Konkurrueshmëria e grupeve etnike dhe fetare, veshja e të cilëve ndryshon nga njëri-tjetri në formë ose dekor, kishte ndikim të fortë të veshjeve turke, pasi këto vende dikur ishin pjesë e Perandorisë Osmane.

Gjithashtu, modelet e këtyre veshjeve kishin ndikim edhe nga kulturat perëndimore si dhe vendeve të tjera lindore. Për shkak të pozicionit gjeografik të Shqipërisë dhe kushteve të zhvillimit historik apo dallimeve klasore, tipologjia veshjeve popullore shqiptare nuk ka asgjë të përbashkët me ato të huajat. Komponentë të tjerë të veshjes popullore shqiptare kanë gjurmë shumë më të hershme.

Ato filluan të marrin pamjen e tyre në kohën e formimit të principatave feudale, në shek. XII. Midis tyre, ndër më të vjetrat konsiderohen këmishët e gjata, xhubleta, fustanellat e burrave, pelerinat etj., ku mjaft elemente vijnë nga periudha më të hershme të kulturës ilire. Kështu xhubleta përfaqëson veshjen më të hershme në Shqipëri dhe në Ballkan. Ajo sjell mesazhet e qytetërimit ilir në kulturën popullore shqiptare gjë që përcakton përkatësinë etnike të tyre. Lulëzimi i vërtetë i veshjes popullore ndodhi në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë dhe në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë.

Disa nga përdorimet më të vjetra rituale të veshjes popullore mbizotëruan, në ceremonitë e martesës dhe mbulimi i nënave të reja me shamitë mëdha prej liri. Veshja popullore, përdorej në një ditë të veçantë, siç është e diela, festat. Ajo tregonte statusin social dhe pasurinë, përkatësinë fetare etj. Duke krijuar atë pasuri e larmi të madhe veshjesh të kostumeve popullore, gjurmët e të cilave u ruajtën deri në shek. XX.

Etnologët e hershëm nisën mbledhjen sistematike të këngëve, legjendave, miteve dhe shembujve të veshjes rajonale për të forcuar argumentin për ekzistencën e një Identiteti kombëtar. Ndërkohë në Shqipëri koleksionet e para muzeale u krijuan mbas Luftës së Dytë Botërore. Priftërinjtë françeskanë grumbulluan 300 veshje nga krahina të ndryshme të vendit.

Sot me anë të zhvillimit të aktiviteteve të ndryshme etno-kulturore, veçanërisht për zhvillimin e turizmit kulturor në Shqipëri, por mbi të gjitha në promovimin e traditave dhe trashëgimisë kulturore të vendit janë duke u rijetëzuar shtëpitë e artizanatit të cilat gjatë këtyre dekadave të fundit ishin në zhdukje.

Një model i muzeut të artit të veshjes tradicionale shqiptare është “Tradita Folk.” Ky muze është pjesë e aktiviteteve të ndryshme të zhvilluara brenda dhe jashtë vendit i cili ka tërhequr vëmendjen e shumë vizitorëve të huaj.

Muzeu jo vetëm ruan dhe koleksionon veshjet popullore që datojnë që nga shek XIX- të , por gjithashtu fal pasionit dhe dëshirës, përkushtimit dhe përvojës 15- vjeçare të zj. Edlira Sulaj, në studimin teknik të tyre, sot muzeu riprodhon veshje popullore nga të gjitha krahinat e Shqipërisë me të njëjtën teknikë duke ruajtur kështu jo vetëm origjinalitetin e veshjes por shpirtin dhe kulturën e një kombi.

Ky Muze, në muajin e Trashëgimisë Kulturore Evropiane, ka zhvilluar shumë aktivitete artistike. Më e fundit ishte aktiviteti i Ditës Ndërkombëtare të grave dhe vajzave rurale, organizuar në bashkëpunim me Presidencën e Republikës me pjesëmarrjen e diplomatëve të huaj në Shqipëri. Në këtë event, u bë prezantimi i veshjeve tradicionale origjinale të punuara mbi 100 vite më parë si dhe ato të riprodhuara me mjeshtëri nga drejtuesja e muzeut se bashku me stafin e saj, e cila ka ngritur një laborator të mirëfilltë brenda ambienteve të këtij muzeu.

Studimi dhe ruajtja e veshjeve popullore ka rëndësi jo vetëm për të njohur këtë pasuri të madhe kulturore, elementet e të cilave vijnë nga lashtësia dhe nga periudha mesjetës, por për të njohur njëkohësisht marrëdhënien kulturore me popujt e tjerë gjatë shekujve.