LAJMI I FUNDIT:

Pse teknologjia e favorizon tiraninë?

Pse teknologjia e favorizon tiraninë?

Yuval Noah Harari

Shfaqja e demokracive liberale lidhet me idealet e lirisë dhe barazisë, që mund të duken në pamje të parë të vetëkuptueshme dhe të pakthyeshme. Por, këto ideale janë shumë më të brishta nga sa besojmë ne. Suksesi i tyre në shekullin XX varej nga kushtet unike teknologjike, që mund të dëshmohen si kalimtare. Në dekadën e dytë të shekullit XXI, liberalizmi ka filluar ta humbasë besueshmërinë e tij. Shkaqet e këtij ndryshimi politik janë komplekse, por duket se janë të ndërthurura me zhvillimet aktuale teknologjike. Teknologjia që favorizon demokracinë po ndryshon, dhe mënyra se si zhvillohet inteligjenca artificiale, mund të ndryshojë më tej.

Në kushte të tilla, demokracia liberale dhe ekonomia e tregut të lirë mund të bëhen të vjetruara.


Njerëzit e zakonshëm, nuk mund të kuptojnë dot në asnjë detaj inteligjencën artificiale dhe bioteknologjinë, por ata mund ta ndiejnë se e ardhmja po i tejkalon. Në shekullin XX, masat u revoltuan kundër shfrytëzimit, dhe synuan ta përkthejnë rolin e tyre jetësor në ekonomi, në pushtet politik. Tanimë masat kanë frikë se mos janë të parëndësishme dhe po synojnë të përdorin me shpejtësi fuqinë e mbetur politike, para se të jetë tepër vonë.

Brexit-i dhe rritja e Donald Trumpit mund të shfaqin një trajektore të kundërt me atë të revolucioneve tradicionale socialiste. Ndoshta në shekullin XXI, revoltat populiste nuk do të organizohen kundër një elite ekonomike që shfrytëzon njerëzit, por kundër një elite ekonomike që nuk ka më nevojë për ta. Kjo mund të jetë një betejë e humbur. Revolucionet në teknologjinë e informacionit dhe në bioteknologji janë ende në fazën e tyre të hershme, dhe shkalla në të cilën ato janë përgjegjëse për krizën aktuale të liberalizmit është e diskutueshme. Sidoqoftë, është e padiskutueshme që në dekadat e ardhshme ato do të përballen ashpër me njerëzimin.

Frika nga makinat që i nxjerrin njerëzit nga tregu i punës, nuk është një gjë e re, dhe në të kaluarën një frikë e tillë ka rezultuar e pabazë. Por, inteligjenca artificiale është e ndryshme nga makinat e vjetra. Në të kaluarën, makinat garonin me njerëzit kryesisht mbi aftësitë manuale. Tani ato kanë filluar të konkurrojnë me ne mbi aftësitë njohëse. Dhe ne nuk dimë për asnjë lloj aftësie të tretë – përtej manuales dhe konjitives – në të cilën njerëzit gjithmonë do të kenë një avantazh. Të paktën edhe për disa dekada të tëra, inteligjenca njerëzore ka gjasa të tejkalojë inteligjencën kompjuterike në fusha të shumta.

Rrjedhimisht, ndërsa kompjuterët marrin përsipër gjithnjë e më shumë punë njohëse, për njerëzit do të vazhdojnë të shfaqen punë të reja krijuese. Bota e shahut shërben si një shembull se ku mund të shkojnë gjërat. Për disa vite, pasi kompjuteri i IBM “Deep Blue” mundi Gari Kasparovin në vitin 1997, lojtarët njerëz ende lulëzuan; Inteligjenca Artificiale u përdor për të trajnuar aftësitë njerëzore, dhe ekipet e përbëra nga njerëz dhe kompjuterë u dëshmuan më superiorë se sa kompjuterët që luanin vetëm. Megjithatë, vitet e fundit kompjuterët janë bërë aq të aftë në lojën e shahut, sa që bashkëpunëtorët e tyre njerëzorë kanë humbur vlerën e tyre dhe së shpejti mund të bëhen krejtësisht të parëndësishëm.

Ajo që po ndodh sot me shahun mund të ndodhë edhe me bashkëpunimin e njeriut me kompjuterët në fushën e rendit publik, mjekësi, sistemin bankar dhe shumë fusha të tjera. Dhe, ndërsa shumë njerëz e humbasin vlerën e tyre ekonomike, shumë shpejt mund të humbasin edhe fuqinë e tyre politike. Të njëjtat teknologji që mund t’i bëjnë të parëndësishëm ekonomikisht miliarda njerëz, mund ta bëjnë më të lehtë monitorimin dhe kontrollin e tyre.

Shumë vende në mbarë botën, përfshirë edhe disa demokraci, janë të angazhuara me ndërtimin e sistemeve të pashembullta të mbikëqyrjes. Për shembull, Izraeli është një lider në fushën e teknologjisë së mbikëqyrjes dhe ka ndërtuar në Bregun Perëndimor modelin e një regjimi të mbikëqyrjes totale. Tashmë sa herë që palestinezët bëjnë një telefonatë, postojnë diçka në Facebook apo udhëtojnë nga një qytet në tjetrin, ka të ngjarë të monitorohen nga mikrofona, kamera, dronë ose spiunë izraelitë. Shumë pak ushtarë izraelitë kontrollojnë në mënyrë efektive afro 2.5 milionë palestinezë që jetojnë në Bregun Perëndimor. Ajo që palestinezët po përjetojnë sot në Bregun Perëndimor mund të jetë vetëm një shembull fillestar i asaj që miliarda njerëz do të përjetojnë përfundimisht në të gjithë planetin.

Në fund të shekullit XX, demokracitë i tejkalonin zakonisht diktaturat, pasi ishin shumë më të afta në përpunimin e informacionit. Ne kemi tendencë të mendojmë për konfliktin midis demokracisë dhe diktaturës si një konflikt midis dy sistemeve të ndryshme etike, por në fakt është një konflikt midis dy sistemeve të ndryshme të përpunimit të të dhënave. Demokracia e shpërndan fuqinë për të përpunuar informacion dhe për të marrë vendime, në mesin e shumë njerëzve dhe institucioneve, ndërsa diktatura e përqendron informacionin dhe fuqinë në një vend të vetëm.

Çfarë duhet të bëjmë? Si fillim, duhet të vendosim një prioritet shumë më të lartë në kuptimin e mekanizmit se si funksionon mendja njerëzore, veçanërisht se si mund të kultivohet mençuria dhe dhembshuria jonë. Nëse investojmë shumë mbi AI-në dhe shumë pak në zhvillimin e mendjes njerëzore, inteligjenca artificiale shumë e sofistikuar e kompjuterëve, mund të shërbejë vetëm për të fuqizuar budallallëkun natyror të njerëzve, dhe për të ushqyer impulset tona më të këqija, mes tyre lakminë dhe urrejtjen.

Për të shmangur një rezultat të tillë, për çdo dollar dhe çdo minutë që investojmë në përmirësimin e AI-së do të ishte e mençur të investonim nga një dollar dhe nga një minutë në eksplorimin dhe zhvillimin e vetëdijes njerëzore. Ndërkohë, më urgjentisht duhet të rregullojmë pronësinë e të dhënave.

Në kohërat e lashta, pasuria më e rëndësishme ishte toka; në epokën moderne, makinat dhe fabrikat; ndërsa në shekullin XXI, të dhënat, dhe politika do të jetë një luftë për të kontrolluar rrjedhën e të dhënave. Gara për të grumbulluar të dhënat ka filluar dhe kryesohet nga gjigantët e teknologjisë, si Google dhe Facebook në SHBA dhe Baidu dhe Tencent në Kinë. Deri më tani, shumë prej këtyre kompanive kanë vepruar si “tregtarët e vëmendjes” – ata tërheqin vëmendjen tonë, duke na dhënë informacione, shërbime dhe argëtim të lirë, dhe pastaj e rikthejnë vëmendjen tonë tek reklamuesit.

Megjithatë, biznesi i tyre i vërtetë nuk është vetëm shitja e reklamave. Përkundrazi, duke tërhequr vëmendjen tonë, ata arrijnë të grumbullojnë sasi të mëdha të të dhënave mbi ne, të cilat janë me vlerë më shumë sesa çdo e ardhur nga reklamat. Ne nuk jemi klientët, por produkti i tyre. Njerëzit e zakonshëm do ta kenë shumë të vështirë t’i rezistojnë këtij procesi. /bota.al/

Në trend

Më shumë

"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë

Magazina
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Politikë
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost

“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin

Lajme
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës

Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës

Azia
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Lajme
Fejohet Majk, publikon fotografi nga propozimi që i bëri partneres

Fejohet Majk, publikon fotografi nga propozimi që i bëri partneres

Magazina
Kalo në kategori