LAJMI I FUNDIT:

Letrat më të famshme të dashurisë: Alpet dhe oqeani do të na ndajnë vetëm nëse ti këtë e dëshiron

Letrat më të famshme të dashurisë: Alpet dhe oqeani do të na ndajnë vetëm nëse ti këtë e dëshiron

Kanë pushtuar popuj me miliona banorë, por kanë qenë robër të një njeriu të vetëm. Kanë qenë të lavdishëm e të papërkulshëm, po një njeri i vetëm i ka bërë aq sa melankolikë dhe të thyeshëm. Si e shprehnin dashurinë mbretërit, perandorët e shkrimtarët e njohur?

***

Napoleoni i shkruan bashkëshortes së tij, Josephine, 1795


Kam ecur me mendjen mbushur me mendimet për ty. E ëmbla ime, e pakrahasueshme, ç’efekt të çuditshëm ke mbi zemrën time. Por, çfarë mbetet akoma kur nga buzët e tua, zemra jote merr një dashuri që më tret si zjarri? Je e zemëruar? Pse më dukesh e trishtuar? Je e shqetësuar?… Sa dhimbje ndjej në shpirt! Ti do të largohesh në mesditë. Do të të shoh brenda tri orëve. Deri atëherë, e dashura ime e ëmbël të dërgoj njëmijë puthje, por mos më jep asnjë si shkëmbim, pasi ato ma ndezin gjakun më keq.

***

Victor Hugo për Adele Foucher, 1821

E dashur! Kur dy shpirtra të cilët kanë kërkuar njëri-tjetrin për aq kohë për t’u rigjetur në më fund… një bashkim i furishëm dhe i pastër si vetë ato… fillon në tokë dhe vazhdon përjetë në Parajsë. Ky bashkim është dashuri, dashuri e vërtetë… një besim i cili hyjnizon të dashuruarin, një bashkim jeta e të cilit rrjedh nga përkushtimi dhe pasioni dhe për të cilin edhe sakrificat më të mëdha janë kënaqësi të ëmbla. Kjo është dashuria që ti më bën të ndiej… Shpirti yt është krijuar për të dashuruar me pastërtinë dhe pasionin e engjëjve.

***

Robert Schumann për bashkëshorten e tij Clara Schumman, 1838

E dashur, kam qarë nga gëzimi duke e ditur se e je e imja dhe shpeshherë e pyes veten nëse të meritoj. Dikush mund të mendojë se në zemër e në mendje asnjë burrë nuk mund të grumbullojë në zemër aq shumë gjëra në një ditë… Por sa i lumtur ndihesha dje e pardje! Nga letrat e tua buronte një shpirt fisnik, një besim e një mal me dashuri. Çfarë nuk do të bëja për dashurinë tënde!

***

Winston Churchill për bashkëshorten e tij, Clemmie Churchill, 1894

E dashura ime Clemmie! Në letrën që më dërgoje nga Madras shkruaje disa fjalë shumë të dashura për mua, se si unë e kisha bërë më të mirë jetën tënde. Nuk mund të ta përshkruaj kënaqësinë që më dhe sepse gjithnjë jam ndjerë aq shumë në borxh me ty, gjithnjë nëse në dashuri mund të mbahen llogari… Se ç’do të thotë të jetoj gjithë këto vite në zemrën dhe praninë tënde, nuk ka fjalë që ta përshkruajnë. Koha kalon shpejt, por nuk ka asgjë më të gëzueshme se sa të shohësh sa i madh dhe si shtohet thesari që ne kemi grumbulluar së bashku nëpërmjet stuhive e trishtimeve të miliona viteve tragjike, të tmerrshme e plot ngjarje.

***

Lord Byroni  drejtuar Teresa Guicciolit, 1819

Nga ajo fjalë e bukur në të gjitha gjuhët, por mbi të gjitha në gjuhën tënde “amor mio” përbëhet ekzistenca ime këtu e më vonë kudo që të jem. Unë e ndjej se ekzistoj këtu ku jam dhe e ndjej se do vazhdoj të ekzistoj për atë qëllim që di të përcaktosh; fati im gjendet në duart e tua. Unë të dua dhe ti më do, të paktën ashtu siç më thua dhe siç vepron, çka të paktën është një ngushëllim i madh. Por ajo që ndjej për ty është më shumë se dashuri. Unë nuk mund të pushoj së dashuri ty. Mendo për mua ndonjëherë, nëse Alpet dhe oqeani do të na ndajnë, por ato nuk do të munden asnjëherë, vetëm nëse ti e dëshiron një gjë të tillë.

***

Ronald Reagan për bashkëshorten e tij Nancy, 1983

E dashur Zonjë e Parë! E di se sipas traditës këtë mëngjes unë duhet të vendos kartolina të tipit “Gëzuar Përvjetorin!”, në tabakanë ku ndodhet mëngjesi yt. Por, gjërat janë disi të ndërlikuara. Unë i zëvendësova ato me një dhuratë të cilën e dorëzova disa javë më parë. Sidoqoftë kjo mbetet dita që shënon 31 vite lumturie, të tillë që rrallë burrave u ndodh. Të kam thënë njëherë që kjo ka qenë njësoj siç e ëndërron një adoleshent martesën. E akoma mendoj njësoj. Ti e di se unë e dua fermën, por këto dy ditët e fundit ma kanë bërë më se të qartë se unë e dua atë vetëm kur ti je aty. E kjo është e vërtetë për çdo vend, në çdo kohë. Kur ti nuk je aty, unë nuk jam askund, vetëm një i humbur në kohë e hapësirë. Unë ndjej më shumë se dashuri për ty, unë nuk jam i plotë pa ty. Ti je jeta në mua. Kur ti nuk je pranë meje, unë pres kthimin tënd që të filloj të jetoj sërish. Gëzuar përvjetorin dhe faleminderit për 31 vitet e mrekullueshme! Të dua Bashkëshorti yt mirënjohës, Ronald

***

Voltaire për vajzën e shtresës së varfër Olympe Dunover, 1713

Unë jam burgosur këtu në emër të mbretit; ata mund të më marrin jetën, por jo dashurinë që ndjej për ty. Po, e adhuruara ime, sonte unë do të të shoh ty edhe nëse do të më duhet të lë kokën për këtë gjë. Për hir të Zotit, mos mu drejto me terma të tillë shkatërrimtarë kur shkruan; ti duhet të jetosh dhe të jesh e kujdesshme; ki kujdes nga zonja, mëma jote, duke qenë se ajo është armikja jote më e tmerrshme. Çfarë duhet të them? Ki kujdes nga të gjithë; mos beso askënd; ji gjithnjë në gjendje gatishmërie në çdo moment, sapo të dalë hëna; unë do të largohem fshehurazi nga hoteli, merr me vete kaloshin pasi do të largohem si veriu për në Sheveningen; unë do të marr letër e bojë me vete; ne do të shkruajmë letrat tona. Nëse më do binde veten; dhe mblidh gjithë fuqinë e mendjes që të të vijë në ndihmë; mos lejo që nëna jote të vërejë ndonjë gjë, përpiqu të marrësh pikturat e tua dhe ji e bindur se asnjë kërcënim, apo dhe torturat më të mëdha nuk do të më ndalojnë që të të shërbej ty. Jo, asgjë nuk ka fuqinë që të më ndajë nga ty; dashuria jonë është ngritur me virtyte dhe do zgjasë për sa të jemi gjallë. Lamtumirë, nuk ka asgjë që unë nuk do guxoja të bëja për hirin tënd; ti meriton shumë më shumë se aq! Lamtumirë zemra ime e dashur! Volter

***

Theodore Roosevelts drejtuar bashkëshortes së tij Edith, 1943

E dashur Bunny! E di se çfarë është kjo – një letër për përvjetorin e martesës. Unë mendoj se duhet të mbërrijë në kohën e duhur. A të kujtohet ajo ditë e nxehtë qershori para tridhjetë e tre vitesh? Kisha e tejmbushur me njerëz, babai me atë jelekun e mrekullueshëm me pika blu, turmat në rrugë, velloja jote e bardhë, mamaja jote me një prej atyre kapelave të mrekullueshme. Dhe, a e mban mend si ishte bota atëherë, e vogël dhe e rregullt, një rend ndryshe. Gjërat kanë ndryshuar shumë që atëherë. Asgjë s’ka ndodhur ashtu siç e imagjinonim se do të ndodhte përveç fëmijëve tanë. Ne s’e menduam asnjëherë se do t’i binim botës kryq e tërthor. Ne nuk e menduam kurrë se profesionet dhe interesat tona do të shkonin aq larg. Ne nuk e menduam kurrë se tridhjetë e tre vjetori i martesës sonë do të na gjente të zhytur në Luftën tonë të Dytë me mua sërish në front. Epo e dashur, duhet thënë se ne kemi jetuar sipas pjesës më të rëndësishme të ceremonisë “Në të mirë e në të keq, në pasuri e varfëri deri sa vdekja të na ndajë”. Me shumë, shumë dashuri, Th. R

***

Pjesë nga letra e Mozartit dërguar të shoqes Constanze, 1790

P.S: Ndërsa po shkruaja faqen e fundit, lotët më kullonin mbi letër. Por duhet të mbushem me gëzim. Një numër i madh puthjesh po vijnë drejt meje. Dreq! Shikoj një turmë të madhe! Ha! Ha!…Sapo kapa tre. Janë shumë të ëmbla. Ti mund t’i përgjigjesh kësaj letre, por duhet ta adresosh përgjigjen tënde: Linz, Poste Restante. Kjo është adresa më e sigurt. amadeusNdërkohë nuk e di me siguri, nëse do të shkoj në Regensburg. Nuk mund të ta them përfundimisht. Vetëm shkruaj mbi zarf se letra mund të mbahet deri sa ta kërkojnë. Mirupafshim, e dashura gruaja ime e vogël. Kujdesu për veten! Më shkruaj dhe më thuaj si të pëlqejnë shtëpitë tona të reja. Mirupafshim. Të puth miliona herë!

***

Ludwig van Beethoven për gruan e panjohur që e “E pavdekshmja, e dashura ime”, 1806

Vetëm pak fjalë sot, dhe këto me penën tënde. Nuk do shkruaj deri nesër, pasi do lëviz nga shtëpia me qira. Çfarë humbje kohe. Përse gjithë kjo brengë kur nevoja flet? A mund të rezistojë dashuria jonë përveçse me sakrifica? A mund ta ndryshosh faktin se ti nuk je tërësisht e imja, se unë nuk jam tërësisht yti? O Zot! Shiko jashtë bukuritë e natyrës dhe qetësoje veten me atë çfarë është. Dashuria kërkon gjithçka dhe kjo është shumë e drejtë. Nëse do ishim tërësisht të bashkuar, ti do ta ndjeje dhimbjen po ashtu si unë. Tani një ndryshim të gjërave të brendshme nga gjërat e jashtme. Me siguri do e shohim njëri-tjetrin. Aq më tepër që unë s’mund të t’i tregoj vëzhgimet që kam bërë gjatë këtyre ditëve të fundit, të cilat kanë prekur jetën time. Nëse zemrat tona do të ishin bashkë, nuk do të kishte ndodhur asgjë nga këto. Zemra ime është e mbushur plot me gjëra që dua të t’i them ty. Ah! Ka momente kur ndjej se fjalët s’janë asgjë. Gëzohu, bëhu e vërteta ime, thesari im, gjithçkaja ime, ashtu sikurse unë jam i yti. Perënditë duhet të na japin pjesën tjetër, e cila do të jetë më e mira për ne. I yti besnikërisht. /Tirana Observer/

Në trend Kultura

Më shumë
Xhubleta dhe marrëzia jonë atdhetare

Xhubleta dhe marrëzia jonë atdhetare

Kulture
GJUHA SHQYPE

GJUHA SHQYPE

Poezi
ASHIK QERIBI

ASHIK QERIBI

Fjala+
HISTORIA E DY NJERËZVE QË PANË NJË ËNDËRR

HISTORIA E DY NJERËZVE QË PANË NJË ËNDËRR

Fjala+
Historia e çuditshme dhe befasuese e këngës “Non, Je ne Regrette Rien”

Historia e çuditshme dhe befasuese e këngës “Non, Je ne Regrette Rien”

Kulture
Viti i Naim Frashërit

Viti i Naim Frashërit

Kulture
Kalo në kategori