LAJMI I FUNDIT:

Zyrtare: Tronditet Milani, përjashtohet nga garat evropiane

Zyrtare: Tronditet Milani, përjashtohet nga garat evropiane

Milani është përjashtuar përfundimisht nga Evropa për sezonin e ardhshëm për shkak të thyerjes së rregullave të Fair Playt Financiar (FFP) në atë që konsiderohet një prej dënimeve më të mëdha të shqiptuara nga UEFA për këto rregulla.

Ky dënim vjen pasi UEFA refuzoi edhe dy marrëveshje të propozuara nga Rossonerët dhe organizata më e madhe e futbollit evropian konstatoi se stabiliteti financiar i klubit ishte i paqëndrueshëm.

“Klubi është i përjashtuar nga pjesëmarrja për sezonin e ardhshëm në garat që organizohen nga UEFA”.


“Ky vendim mund të apelohet në Gjykatën për Arbitrim Sportiv (CAS), në akordim me nenin 34, pika 2, të rregullave procedurale të Bordit të Kontrollit Financiar të UEFA-s, ashtu sikurse edhe të nenneve 62 dhe 63 të statutit të UEFA-s”.

“Vendimi i plotë i arsyetuar do të publikohet në ndërkohë në faqen zyrtare të UEFA-s”, thuhet në një komunikatë të UEFA-s.

Tifozët e Milanit të zhgënjyer, Foto: EPA

Milani ishte kualifikuar për fazën grupore të Europa League, por tash është përjashtuar nga gara kështu që Atalanta do të zëvëndësojë klubin Rossoner.

Teorikisht, Rossonerët mund të rikthehen në garat evropiane në sezonin 2019/2020 nëse kualifikohen, por edhe ky kualifikim do të ishte subjekt i kontrolleve financiare.

Mbetet të shihet nëse Fiorentina do t’i plotësojë kushtet që të hyjë në fazën e kualifikimeve për të zënë vendin e Atalantas.

Tashmë Milani ka konfirmuar se do të apelojë këtë vendim, por raportohet se UEFA ka qenë shumë e kujdesshme në verdiktin e saj që ta bëjë apelimin edhe më të vështirë.

Ky mund të konsiderohet dënimi më i rëndë i shqiptuar ndonjëherë nga rregullat e FFP-së dhe sugjerohet se UEFA po shfrytëzon Milanin si precedent për të tërhequr vërejtjen te klubet tjera si PSG që të kenë kujdes në vazhdim. /Telegrafi/