Dokumentet e Arkivit të Ali Pashës, duke iu referuar kronologjisë së tyre, zënë fill që nga viti 1747, por që prej këtij viti dhe gjer aty nga vitet 1880 ato janë të rralla dhe sporatike. Pas kësaj kohë, e cila përkon me marrjen e fronit të Pashait në Janinë, dokumentacioni në tërësi dhe korrespondenca që gjendet në këtë thesar historik shtohet dhe intensifikohet, duke u bërë një praktikë e rregullt e veprimtarisë së administratës së Pashait.
Irakli Koçollari
Në radhën e dokumenteve të para të këtij fondi të madh gjenden letra, korrespondencë dhe informacione që bëjnë fjalë për lëvizjen e rusëve në brigjet jonianë, vendosja e tyre e parë në Korfuz dhe në Shtatë Ishujt e Jonit (Prill 1788). Krahas tyre po këto kohë fillojnë e bëhen të pranishëm në dokumentacionin e Ali Pashës edhe francezët me përfaqësues zyrtar Pol Tozanin. Rivaliteti dhe synimet franceze fillojnë e bëhen intensive duke u bërë kështu një pasqyrë e ekspansionit bonapartesk nëpër tërë Evropën në tërësi.
Por, korrespondenca dhe informacionet që zënë pjesën më të madhe të fillimit të viteve 1800, janë ato kushtuar operacioneve ushtarake për nënshtrimin e Sulit, për gjendjen në radhët e suljotëve, njoftime periodike nga fronti i luftimeve, për avancimet dhe dështimet, prapaskenat dhe kulisat e organizuara nga njerëzit e Aliut etj. Po, ç’ishte kjo krahinë dhe cilët qenë banorët e saj që u bënë aq të njohur dhe mbetën aq domethënës në faqet e historisë, jo vetëm të viteve kur ata u shfaqën por vazhdojnë të jenë të tillë, të fokusuar në histori, edhe mbas dy shekujsh?
SULI, KRAHINA MALORE E ÇAMËRISË
Suli në vështrimin gjeostrategjik përmbledh territoret malore të krahinës së Thesprotisë. Ai është i vendosur në një pozicion shumë të favorshëm natyror, i rrethuar dhe mbrojtur nga tërë shpatullat e tij prej terrenesh të pjerrëta, humnera dhe gryka të frikshme dhe të pakalueshme. Nga perëndimi ai ka kontakte me detin Jon, zbritja për në brigjet e të cilit mund të arrihet vetëm përmes shtigjeve të ngushta e të rrezikshme. Këto rrethana natyrore dhe qëndresa e popullsisë së shtatë fshatrave të tij, i kishin siguruar krahinës së Sulit autonomi relative ndaj Portës, që prej viteve kur osmanët zbritën në këto anë.
Lumi Aheron duke u bashkuar me Kokytun, në rrjedhjen e tij të poshtme, formon një liqen kënetor, duke e bërë ambientin përreth kaq të dëmshëm saqë konsiderohet rruga më e shkurtër për në mbretërinë e vdekjes.
Që prej shekullit XVI, veç autonomisë, kjo krahinë kishte fituar shumë herët dhe një numër të drejtash të tjera ndaj Portës. Një ndër këto të drejta ishte armëmbajtja. Në vitin 1730, numri i familjeve suljote që kishte privilegjin të mbante armë vlerësohej në njëqind.
SULJOTËT, BANORËT SHQIPTARË TË PANËNSHTRUAR
Suliotët ishin një degë e popullsisë shqiptare të Çamërisë, një nga tre ndarjet e mëdha të toskeve. Organizimi i komunitetit të tyre meriton të veçohet. Suloitët banonin në një krahinë që përbehet nga një hapësirë e zhveshur, e pjerrët dhe me male të thikët.
Suliotët e armatosur ishin rojet e këtij distrikti të vogël kristian, mbi të cilin ushtronin autoritetin superior të feudalit. Pronësia e tyre ishte e vogël, por ata formuan një kastë ushtarake dhe përbuznin të gjithë punëtorët që ata mbanin për punët e tyre. Toka në pjesë të pasura të territorit të tyre kultivohej nga fshatarët që ata mbanin me mëditje, të cilët ishin me kombësi greke.
Emri i suliotëve ishte i rezervuar për luftëtarët shqiptarë të cilët qeverisnin dhe mbronin fshatarësinë si spartanët e lashtë. Fshatarët dalloheshin nga emri i fshatit ku banonin. Banorët e kësaj krahine të vogël të gjithë së bashku nuk i kalonin 5,000-6,000 vetët dhe forca ushtarake nuk kishte më shumë se 1,500 burra. Konfliktet lokale, midis prijësve të fiseve ishin të ashpra dhe xhelozitë e pashueshme të shoqërisë shqiptare i kishin sjellë suliotëve ndarjen e territoreve të tyre në gjashtë fshatra të spikatur, që quhen Kakosuli, Qafa, Avariko, Vëra, Kuqi dhe Samonedha. Emri i Kakosulit të kujton atë të Kakoilio tek Odisea. Në Shqipëri ai ishte një emër terrori, që paralajmëronte gjithmonë urrejtjen dhe vdekjen.
Konsolidimi i dominacionit politik mbi Janinën dhe Pashallëkun në tërësi nga ana e Ali Pashës, ëndrra e tij për zgjerimin e pushtetit apo themelimin e një shteti të bashkuar shqiptar, nxitën në mënyrë të natyrshme këmbënguljen dhe përpjekjet inatçore të Pashait për nënshtrimin me çdo kusht të të gjithë vatrave të rezistencës në atë pjesë të territoreve që kundërshtonin autoritetin, vullnetin dhe hierarkinë e pushtetit të tij dhe gëzonin autonomi të pjesshme prej pushtetit qendror osman.
SYNIMET E ALIUT MBI SULIN DHE SULJOTËT
Këto synime politike yshtën dhe ndërsyen shumë herët vrullin ushtarak të Aliut që të komandonte forcat e tij në marshime direkt ndaj kësaj krahine të panënshtruar. Por, në fundin e shekullit të XVIII dhe fillim të shekullit të XIX suljotët kishin ndërmarrë një sërë lëvizjesh politike dhe diplomatike jo vetëm duke kontaktuar por edhe u lidhur nga afër me ushtarakët rusë që kishin në zotërim Shtatë ishujt e Jonit dhe më pas me ata francezë. Suljotët kishin marrë prej tyre ndihma të konsiderueshme ushtarake dhe financiare dhe jo rrallë rebelimet e tyre qenë yshtur prej tyre dhe për interesat e tyre politike. Rrezistenca, organizimi, armatimi dhe fuqia e tyre financiare qenë rritur ndjeshëm.
Goditja dhe nënshtrimi përfundimtar i Sulit do t’i priste udhën një prapavije të rëndësishme konspirative që shfrytëzohej dhe përdorej aktivisht prej fuqive të huaja, të cilët fusnin hundët dhe përziheshin në punët e brendshme të Pashallëkut dhe brigjet e Ballkanit perëndimor. Nga ana tjetër, Aliut, për të shkuar drejt misionit të mëvehtësimit që ai ëndërronte, i duhej të kishte një situatë stabile të brendëshme. Prandaj për të vënë plotësisht nën kontroll këtë krahinë katërqind vjeçare të pavarur dhe nën izolim indipendist, Aliu u përgatit gjatë për të siguruar me çdo lloj çmimi fitoren.
OPERACIONET USHTARAKE PËR NËNSHTRIMIN E SULIT
Për të shtypur këtë separatizmin mëvetësor por edhe rebelimet, mosbindjen dhe kundërshtitë ushtarake të suljotëve ndaj autoritetit ligjor të Ali Pashës, ky i fundit kishte ndërmarrë më parë dy fushata ushtarake, kundër tyre (e para më 1792 dhe e dyta më 1796), por të dyja ato kishin dështuar me pasoja dhe humbje të konsiderueshme jo vetëm njerëzore dhe ushtarake por ato kishin lëkundur rëndë prestigjin dhe autoritetin e vetë Pashit.
Në këto rrethana tepelenasi u përgatit dhe mobilizua seriozisht për fushatën e tretë (më 1803), e cila padyshim ishte edhe më e ashpra dhe më e gjata në radhën e tërë misioneve ushtarake të ndërrmara prej tij. Në këtë mënyrë Aliu synonte të rikuperonte prestigjin e tronditur dhe konsolidonte përfundimisht autoritetin e tij të padiskutueshëm nëpër tërë territoret e Pashallëkut që zotëronte.
FUSHATA E TRETË DHE FUDI TRAGJIK I SULIT
Fushata e tretë për marrjen e Sulit ishte një ndërmarrje ushtarake me shumë përgjegjësi, por jo pak e tillë ishte edhe nga pikëpamja politike dhe morale pasi ajo do të vinte në vend prestigjin, autoritetin dhe krenarinë ushtarake, ose do ta godiste rëndë e pse jo keq atë. Në këtë fushatë, ai aplikoi, përdori dhe demonstroi një arsenal të tërë veprimesh taktike dhe teknike ushtarake, forcash dhe mjetesh të pamobilizuara ndonjëherë më parë. Por, në thelbin e saj, fushata e tretë për marrjen e Sulit është një kompleks i tërë dhe masiv operacionesh agjenturore, kurthesh sekrete të përgatitur me mençuri të admirueshme profesionale, presionesh morale, familjare dhe psikologjike. Aty u përdorën me mjeshtëri spiunë dhe informatorë të kualifikuar, që të befasojnë me artin dhe shkallën e lartë të maskimit dhe penetrimit. Ryshfeti dhe premtimet, miklimi dhe joshja, ofertat dhe pazaret u ofruan dhe servirën me shumë mençuri dhe efektivitet. Mbas dy fushatave të para të dështuara, Aliu kishte kuptuar fare mirë se ngjitja në shpatet e egër dhe të vështirë të suksesit, drejt majës së Sulit të panënshtruar, nuk mund të kërkohej dhe arrihej përmes forcës së armëve. Një mënyrë dhe mjet tjetër duhej aplikuar; kurthet, konspiracioni, dinakëria, dredhia e pastaj forca, spiunët e futur brenda radhëve të qëndresës, pastaj formacionet e ushtrisë dhe armët e tyre.
Në këtë kuptim fushata e tretë është më shumë se një kompleks i tërë operacionesh sekrete dhe agjenturore së një lufte frontale e planifikuar nga ushtarakët dhe strategët e Aliut.
KOMPROMETIMI I KRYEKAPEDANIT KIÇO BOÇARI NGA ALI PASHA
Në situatat delikate, Aliu del qartë që i ka filluar operacionet kundër Sulit duke përdorur pikërisht njeriun më me influencë të qëndresës suljote Kiço Boçarin i cili tanimë ishte kompromentuar prej Aliut. I rënë në kurthin e këtij Pashai, ne e gjejmë atë të shkojë në Sul për të bindur bashkëpatriotët të tërhiqen nga rezistenca. Këto indicie që gjer dje kanë qënë të tërthorta tanimë shfaqen nga ky dokumentacion qartaz. Kështu, në një informacion që i dërgon nga fronti i Sulit, kapedan Hysen Shahe, Ali Pashës i thotë:
“… Të bëj me dije dhe të mësosh, nga këtu ku ndodhem (në Sul), se punët gjer më tani, shyqyr, dhe falë Zotit shkuan mirë. Por tani zuri dimri dhe na pengon për më tej…
Duhet të dish gjithashtu se edhe Kuconika ( një tjetër kapedan suljot që i shërben Pashait) nuk e di që suljotët e tij ja kanë me hile dhe ai akoma nuk kupton gjë dhe “fle gjumë”….
Bisedat dhe fjalët që ua thashë në sy suljotëve, ata as që bënë kabull t’i merrnin në konsideratë prandaj duhet të dërgosh Kiço Boçarin që të urdhërojë Thanasin dhe Pilo Dushin të shkojn lart në Sul, pranë njerëzve të fisit të tyre, të bisedojnë dhe ti bindin sepse ata na mbajnë të gozhduar fort dhe nuk lëvizim dot…”
Ndërsa, në një letër personale, sekrete, që vetë Kiço Boçari, personalisht, i shkruan Ali Pashës, e njofton për punën që ka bërë për të bindur një tjetër kapedan të rezistencës suljote për t’u tërhequr nga rezistenca dhe të shkojë në Janinë përpara Pashait për t’u rrëfyer, kërkuar ndjesë dhe vënë në shërbim të tij. Në rreshtat e kësaj letre thuhet:
“I Madhërishëm dhe shumëndriçuar, Vezir dhe zoti ynë,….!
Unë skllavi yt i bindur… sikurse të kam shkruar edhe pardje, i dërgova lajm Tusha Zervëz, i cili ishte këto ditë në Tepovo (fshat në Çamëri), të vijë e të më takojë. Me të mbërritur tek unë, kuvendova gjatë me të dhe e binda të vijë përpara teje dhe të të bjerë në gjunjë dhe të të falet përpara për të gjitha… do të kërkojë falje edhe për qëndrimet e tij të kaluara….
Zoti të dhëntë ty ymër, fuqi dhe zëmër…
Skllavi yt i bindur
Kiço Boçari.”
Dhe në fakt, në një letër të pas disa ditëve, që gjendet në Arkiv, shkruar nga një tjetër njeri në shërbim të Aliut, Pallaska, gjejmë që ky i fundit ti shkruajë Pashait për Tusha Zervën sa më poshtë:
“I madhërishmi dhe i shumëndriçuari Vezir AliPasha!
…Dje erdhi këtu (në Janinë) Tusha Zerva dhe sot nuk proftasi do të të takonte në Perama (fshat ne afëri të Janinës) ndërsa ti ikje për Tepelenë. Ai nuk donte që ta merrte vesh njeri informacionet që më dha mua dhe që unë ti përcolla ty. Këto biseda që më tha fshehtas porositi që të jenë vetëm për ty, dhe të mos i tregohen njeriu tjetër sepse për këto çështje ai u trembet shokëve të tij. (suljotëve që vazhdojnë rrezistencën kundër Aliut).
Sidoqoftë, unë jam sipër tij dhe atë e kam nën vehte dhe e vërtis si të dua, akoma më shumë”.
…Kiçua ( Boçari ) dhe unë të lutemi dhe kemi një kërkesë, – të lirosh Suliotët të cilët ndodhen nën haps (burg). Pas këtij lirimi do të shohësh se do të ndryshojë qëndrimin e tyre edhe tërë Radovishti – Çamëri. Me këtë rast mund tu merren të liruarve edhe 1000 grosh…”
Dhimitër Pallaska kishte marrë për grua motrën e Kiço Boçarit, njërit prej krerëve kryesorë të qëndresës së Sulit. Në dy fushatat e para ushtarake të organizuara kundër Sulit, gjatë të cilave Pashai dështoi, Kiçua ishte një nga krerët kryesorë që drejtoi rezistencën suljote. Ndërsa, Pallaska ishte një komit i regjur, i cili ishte kapur prej Aliut dhe në shpërblim të faljes së jetës u përdor prej Pashait për të hyrë në Sul dhe vepruar për interesat e Aliut, si konspirator i tij. Me porositë personale të Pashait, ai, me shumë kujdes arriti të krijojë lidhje personale me familjen më me influencë të kësaj krahine, atë të Boçarajve dhe mandej mundi të marrë motrën e Kiços për grua.
Në këto rrethana Aliu ngarkoi me detyrë Pallaskën të punonte për të kompromentuar me parë Kiço Boçarin dhe mandej, pas këtij akti ta afrojë tek Aliu. I tërë ky plan i tij arriti të realizohej. Kiçua pas një kompromentimi gradual dhe i zënë ngushtë pranoi të takohet me armikun e tij të betuar, Ali Pashën dhe mandej ti shërbejë interesave të tij për thyerjen e rezistencës suljote.
Duke qënë brenda kësaj familjeje, e cila drejtonte qëndresën suljote, ai filloi t’i dërgojë informacione të rëndësishme Aliut, për, krerët kryesorë dhe më me influencë të qëndresës suljote, rezervat e tyre të luftës dhe vendndodhjen, kontaktet e tyre sekrete me rusët dhe mandej me francezët, rrugët sekrete nga ku ata fusnin në krahinën e Sulit armatimin dhe ndihmat ushqimore, pikat e dobëta ku mund të godiste ushtria, njerëzit e lëkundur, etj. Në fushatën e tretë dhe përfundimtare të rënies së Sulit, të vitit 1803, Dhimitër Pallaska së bashku me Kiço Boçarina, siç del tanimë qartë dhe konkretisht nga këto dokumente, luajtën rolin kryesor për përçarjen e krerëve suljotë, tërheqjen e disa prej tyre nga rezistenca, kompromentimin e një pjese tjetër, gjer në nënshtrimin përfundimtar të Sulit.
KOMPROMETIME TË TJERA QË ÇUAN NË RRËZIMIN E QËNDRESËS SË SULIT
Se sa intensive kanë qënë veprimet e Pashit për përçarjen e suljotëve, për kompromentimin e tyre dhe nxitjen e konfliktit mes fiseve, gjer në tërheqjen përfundimtare nga rezistenca e tregojnë edhe shumë dokumente të tjera, një nga të cilat e shkruar përsëri nga Pallaska, për kompromentimin e një kryekapedani tjetër të fisit Kuconika, nënvizon: “…gjatë vajtjes time të fundit në Sul, siç e dini takova Dhimon (Kuconika) dhe rashë dakord me të për shpërblime të majme…. U dhashë të dyve dhe ata më dhanë fjalën se do të veprojnë sipas porosive të mija…. Më dhanë fjalën! Pasi, gjer tani, sipas hesapeve të shënuara në defter, për të dy kam dhënë një shpërblim prej 17 pujash (qese florinj)…..”
Në dokumentet e panjohura të Arkivit të Ali Pashës gjendet edhe një numër i madh informacionesh rreth një figure tjetër, tepër interesante dhe kryesore suljote, ajo e Foto Xhavellës, i cili u muar peng, në moshë të vogël prej Pashit dhe u mbajt për disa vite si i tillë për ti bërë presion të jatit Kiço Xhavellës, të tërhiqej nga qëndresa.
Në njërën prej tyre bëhet me dije se kreu i policisë së Ali Pashës, Tahir Abazi e ka marrë pengun, Foto Xhavella, me vehte dhe e ka shpënë në Sul, që ky tu bëjë thirrje, suljotëve të ndërpresin rezistencën dhe të largohen prej andej. Në të shkruhet: “I Madhërishëm dhe i shumëshkëlqyeri.. Vezir…! Letrën dhe porositë tuaja i muarrëm dhe kuptuam qartë të gjitha urdhërat… Pa u vonuar, ne, së bashku me Foto Xhavellen për pesë apo e shumta dhjetë ditë do të kemi realizuar synim tonë ndaj suljotëve…të kini durim dhe bindje të plotë…..”
Por, duket që goditja finale e kësaj qëndresë ka mbërritur në fillim të dhjetorit të vitit 1803, kur pas një presioni të gjithanshëm, ushtarak dhe politik, paqësor dhe violent, kërcënimi dhe miklimi, ofertash dhe kompromentimesh, Ali Pasha, me një mençuri dhe dinakëri të admirueshme, duke përdorur njerëzit e vënë plotësisht në shërbim të tij ariti të bindë krerët e qëndresës për pazare në këmbim të idealit të tyre.
Në një nga letrat e fundme që Veli Pasha, i biri i Aliut, nga fronti i luftimeve në Sul, i shkruan të atit, Aliut:
“I Madhërishëm Vezir, Zoti im!
…sipas porosive që më dergoje, kuvendova me Foto Xhavellën dhe së bashku vendosëm e i dhamë një letër dervish Hasanit për ta çuar lart në pozicione, tek suljotët që rezistojnë. Pasi u kthye prej andej devishi më solli një letër nga Kuconika, Tusha Zerva. (kapedanët kryesorë të rezistencës suljote). Ata kërkonin që tu dërgoja lart Kiço Boçarin.
Dje në darkë, në të ngrysur, u nisa Kiçon (Boçarin), të cilit, në biseda ata i kishin thënë se – Ishin dakort të dorëzonin kështjellën e Qafës, pa qënë nevoja të zbrezen më dyfekë, por me kushtin që të lejohen të gjithë të rrethuarit të dalin të sigurt dhe të shkojnë në Pargë. Por, ata kishin edhe një kusht tjetër, kërkuan pazar për dorëzimin e kështjellës dhe shuma që ata donin ishte gjashtëqind puja…. dhe unë sot ua dërgova aty që ta mbyllim përfundimisht ….” (11)(Insituto Neoelinikon Spudhon, Arhio Ali Pasa, Athina 2010, Letra nr.199, Vol A, f.365)
8 Dhjetor 1803 Skllavi yt, Veliu”
Dhe, vërtet, të nesërmen e shkrimit të kësaj letre, suljotët, pasi kishin kërkuar kompromiset e mësipërme u larguan në rrugën që të shpinte në qytezën bregdetare të Pargës dhe prej andej një pjesë e tyre në Korfuz ku u pritën dhe mandej u përdorën prej francezëve.
DOKUMENTET E ARKIVIT IMPONOJNË RISHIKIMIN E HISTORISË SË SULIT
Dalja në dritë e dokumenteve që përmendim më sipër, por edhe shumë të tjerëve që nuk renditen në këtë shkrim, hedh një dritë të re për të riparë shumë çështje që lidhen me Sulin, rezistencën suljote, shkaqet e qëndresës, lidhjet e krerëve suljotë me të huajt dhe interesat e tyre, por edhe shkaqet e rënies së kësaj rezistence, mekanizmat, mjetet, njerëzit dhe mënyrat që u përdorën. E thënë me pak fjalë këto dokumente të shumta tanimë ndriçojnë thellësisht këto ngjarje e për rrjedhim ofrojnë nevojën e rishqyrtimit të kësaj pjese të historisë së suljotëve dhe të heronjve që morën pjesë në këtë rezistencë… që siç thotë Bartoldi, “e parë brenda interesave dhe synimeve që kishte Ali Pasha për një shtet të pavarur dhe sovran, qëndresa dhe heroizmi suljot nuk duket se është aq heroik sa shfaqet.” Dhe ndoshta Bartoldi ka pasur të drejtë sepse pendimi suljot u shpall në ditët e fundit të jetës së Ali Pashës. Një përfaqësi e tyre, ndërsa Pashi luftonte çastet e fundit kundër Hurshid Pashës, shkoi dhe i ra në gjunjë duke i kërkuar ndjesë dhe kërkuar rreshtimin e tyre përfundimtar përkrah tij…. por ndoshta atëherë ishte tepër vonë!
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëXhubleta dhe marrëzia jonë atdhetare
ASHIK QERIBI
GJUHA SHQYPE
Kush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?
Parashqevi Qiriazi, Kongresi i Manastirit dhe “Himni i Alfabetit” me burim nga Kolegji Yale
Fuqia e fjalës së Fishtës në Kongresin e Manastirit dhe reagimi i hoxhës Hafiz Ibrahimi
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje