LAJMI I FUNDIT:

Koncepti i OJQ-ve u degradua, disa prej tyre keqpërdoren fonde

Koncepti i OJQ-ve u degradua, disa prej tyre keqpërdoren fonde

Koncepti i organizatave joqeveritare ka degraduar dhe se një pjesë e madhe e tyre kanë keqpërdorur donacionet.

Kështu u tha sot në Komisionin për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, ku u shqyrtua Projektligji për lirinë e asociimit në Organizata Joqeveritare.

Anëtarja e këtij Komisioni, Shqipe Pantina tha se koncepti i OJQ-ve është degraduar.


“Organizatat mikrofinanciare, sinqerisht unë kam thënë dhe nëpër seanca, aty  dikush  është dashur me  shkuar në burg. Nuk po e ekzagjeroj.  Nëse është bërë diku jo vetëm keq përdorim. Por koncepti i OJQ-ve është degraduar. Koncepti i mikrofinancës, sepse ai që e ka zbuluar këtë sistemin e mikrofinancave, ka fituar çmim Nobel për paqe, se e ka mund varfërinë. Por, këtu për shkak se ata kanë bërë shumë pare, është lobi i madh nuk e di qysh kanë me përfunduar. Është keqpërdor,  është shfrytëzuar  në maksimum,  koncepti i të qenit jo për përfitim”, tha ajo.

Ndërkaq, deputeti nga Nisma Socialdemokrate, Milaim Zeka tha se një pjesë e madhe e OJQ-ve  kanë keqpërdor donacionet.

“Nën rrogozin e një pune,  gjoja për të mirën e publikut OJQ-të, s’po  them 100 për qind, por një pjesë e madhe, sidomos ka fakte, ka dëshmi  që donacionet që janë dhënë milionëshe për zhvillimin e mediave, janë keqpërdor dhe njerëzit në vend që me i dërguar paratë te mediat, kanë blerë vila, kanë blerë makina. Kështu që ne do të mundohemi si komision, me qenë rigoroz dhe me pas një kontroll”, tha ai.

Kryetari i këtij Komisioni, Nait Hasani foli për gjobat për OJQ-të, të cilat nuk lajmërojnë kur bëjnë bartjen nga një organizatë te tjetra, apo kur ndryshojnë veprimtarinë e vet.  Ai tha se gjobat ekzistuese janë tejet të vogla, andaj kërkoi që ato të rriten 50 për qind.

Propozimi i tij mori ‘dritën jeshile’ dhe u votua që gjobat për OJQ-të të rriten 50 për qind.

“Informimi i departamentit për ndryshimin e OJQ -ve, kur ato bëjnë bartjen nga një organizatë në një organizatë tjetër. Paragrafi 3 dhe 4. Kemi p.sh. ndryshimi 3 dhe 4, OJQ-të, të cilat nuk përmbush detyrimin sipas paragrafit 1 të këtij neni, gjobitet në shumën prej 150 euro. Ndërsa përfaqësuesi i autorizuar gjobitet në shumën prej 40 euro.  Kemi 10 mijë organizata joqeveritare të regjistruara në Kosovë. Prej 10 mijë, 5 i kemi pasur në dëgjim publik. Kështu që ato le ta nënshkruajnë shuarjen apo mbylljen e tyre e jo të deklarohemi në emër të tyre dhe të dalin njerëzit e të mos vijnë në dëgjim publik, ku është ligji për ta. Nuk është ligji për neve. Unë mendoj që është pak kjo për organizatën 150 euro. Unë veç e kisha shtuar një zero, e kisha bërë 1500 edhe ata ishin aktivizuar, se ia kishin qit drynin e kishin mbyll. Jo, me krijuar opinione të rrejshme”, tha ai.

E deputeti Imet Rrahmani tha se gjobat duhet të jenë më të larta.

“Jo vetëm në këtë ligj, por dhe në ligje tjera janë paraparë gjoba të tilla, që në raport me shkeljet janë qesharake dhe ato absolut nuk e parandalojnë shkeljen e ligjit. Unë konsideroj që gjobat duhet të jenë të larta. Më të larta dhe të prekin thellë në xhepin e atij që e shkel ligjin. Përndryshe s’kanë kuptim të vendosen”, tha ai.

Por, me këtë nuk u pajtua deputetja Shqipe Pantina, e cila insistonte që këto gjoba mos të rriten.

E për ata që e ndërrojnë emrin dhe veprimtarinë pa lajmëruar fare, sipas deputetit Arban Abrashi gjobat duhet të rriten, sepse ato ekzistuese  janë tejet të vogla.

“Unë jam për me parandaluar formën, kur dikush e kish keqpërdor atë OJQ, me ia ndërruar emrin, me shfrytëzuar atë bilanc të punëve që i ka kryer, me konkurruar diku, por me emër tjetër. Dhe mandej i vjen era njëfarë lloj mashtrimi. Ai që e ka mendjen me mashtruar për diçka të madhe, këto gjoba shenjë s’ia lënë. Realisht, më lehtë i paguan 40 euro dhe 150 se sa me ndryshuar, me shkuar me u lajmëruar diku tjetër”, tha ai.

Hasani po ashtu tha se kanë kërkuar që dhe regjistrimi dhe shuarja e OJQ-ve të bëhet me noter. Ndërsa tha se për këtë  model kanë marrë ligjin gjerman.

“Ne kemi kërkuar që regjistrimi i tyre kur të bëhet, me u bë me noter. Është modeli gjerman i ligjit. Aty parashihet që OJQ- të, të regjistrohen te noteri. Por mund edhe përmes gjykatës. Që i ka plotësuar të gjitha kushtet për me u shuar si OJQ”, tha ai.

E edhe për këtë kundër ishte deputetja Shqipe Pantina.

“Unë jam kundër. Nait, mos e banalizo. Sinqerisht e kam. Po të paralajmëroj se ka me pas reagime të institucioneve relevante për mënyrën se si shteti i Kosovës,  po do me kontrolluar sektorin e shoqërisë civile, që është matësi i demokracisë. Kam dhjetë fish vërejtje më shumë se ju për mënyrën e operimit të organizatave individuale. Por nuk mund me dënuar sektorin pse disa keqpërdorues po  keqpërdorin  hapësirën. Shteti duhet me u marr me ata njerëz. Sikur a mund me thanë që krejt deputetet janë hajna, pse dy a tre janë të këqij. Njëjtë po dëshirojmë me bë kështu. Me thanë krejt OJQ-të janë të këqija, pse disa prej tyre kanë keqpërdor. Nuk guxojmë sektorin me dënu”, tha ajo.

Ndryshe, Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, shqyrtoi dhe Raportin vjetor të  statistikave zyrtare, për vitin 2017. /KP/

Foto: Arkiv