LAJMI I FUNDIT:

Pacolli mbështet zonën ekonomike për investimet amerikane në Kosovë

Pacolli mbështet zonën ekonomike për investimet amerikane në Kosovë

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka dalë pro idesë për një zonë të lirë ekonomike për investitorët amerikanë dhe kjo mbështetje e tij vjen pasi një kërkesë të tillë e ka bërë drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Arian Zeka.

Pacolli me anë të një postimi në profilin e tij zyrtar në Facebook ka shkruar se “Mbështes fuqishëm idenë për krijimin e zonave ekonomike e në këtë rast, më theks tē veqantë një zonë për investitorët amerikanë në Kosovë, e cila do të ishte shtyllë e shtuar e marrëdhënieve strategjike midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara dhe do të tërheqë kompanitë amerikane për të ardhur në Kosovë”, përcjell Telegrafi.

Lidhur me këtë, shefi i diplomacisë ka thënë se ka interesim nga Amerika për investime në Kosovë.


“Ka shumë kompani amerikane në Kosovë dhe shumë më tepër mund të vijnë nëse krijojmë kushte që do ta bënin Kosovën më tërheqëse në rajon dhe në Evropën Lindore. Unë do të shtyj në qeveri këtë ide që së shpejti të marrim vendimin për të krijuar një zonë ekonomike për investitorët amerikanë dhe për të organizuar një Forum Ekonomik-Investimesh midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara që do të bashkonte komunitetin e biznesit të dy vendeve tona”, ka shkruar ai.

Zeka: Të jetësohet zona e veçantë ekonomike amerikane
Lexo po ashtu Zeka: Të jetësohet zona e veçantë ekonomike amerikane

Interesimin e amerikanëve për të investuar në Kosovë e ka thënë edhe vetë drejtori i OEAK-ut, Zeka.

“Investitorët amerikanë janë të interesuar për një zonë të veçantë ekonomike në Kosovë ku do të mund t’i gjenin kushte minimale infrastrukturore për të shtrirë investimin e tyre. Institucionet e Kosovës do të duhet ta mos neglizhojnë këtë zonë dhe të jetësohet”, ka thënë ai.

Postimi i plotë i Pacollit

Zonë Ekonomike për investimet amerikane në Kosovë

Për një kohë të gjatë kam promovuar idenë e zonave ekonomike në Kosovë që do të tërheqin më shumë investime të huaja, do të sjellin kapital të huaj dhe ekspertizë në Kosovë dhe do të krijojnë vende të reja pune për rininë tonë, duke u dhënë atyre një të ardhme më të ndritur. Ne mandatin qeverisës 2011/2014 arritem të bëjmë pregaditjēn ligjore por më vonë nuk u bë asgjë.

Mbështes fuqishëm idenë e lansuar për krijimin e zonave ekonomike e në këtë rast, më theks tē veqantë një zonë për investitorët amerikanë në Kosovë, e cila do të ishte shtyllë e shtuar e marrëdhënieve strategjike midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara dhe do të tërheqë kompanitë amerikane për të ardhur në Kosovë.

Ka shumë kompani amerikane në Kosovë dhe shumë më tepër mund të vijnë nëse krijojmë kushte që do ta bënin Kosovën më tërheqëse në rajon dhe në Evropën Lindore.

Unë do të shtyj në qeveri këtë ide që së shpejti të marrim vendimin për të krijuar një zonë ekonomike për investitorët amerikanë dhe për të organizuar një Forum Ekonomik-Investimesh midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara që do të bashkonte komunitetin e biznesit të dy vendeve tona.

Besoj se do të kemi rezultate konkrete duke sjellë më shumë investime, duke krijuar më shumë vende pune dhe duke pasur një të ardhme më të mirë për vendin tonë. /Telegrafi/