LAJMI I FUNDIT:

“Historia e shqiptarëve gjatë shekullit të XX-të”: Arkivat serbe dhe greke bllokojnë studiuesit shqiptarë (Video)

“Historia e shqiptarëve gjatë shekullit të XX-të”: Arkivat serbe dhe greke bllokojnë studiuesit shqiptarë (Video)

Një punim i 43 historianëve pretendon të japë në një përmasë më të plotë se deri më tani historinë e popullit shqiptar në shekullin XX. Në një intervistë për TemA TV, historian Beqir Meta, një prej autorëve, thotë se ka të dhëna të reja dokumentare që pasurojnë historinë.

Vëllimi i parë shkon deri në vitin 1920 dhe nuk merret vetëm me historinë e Shqipërisë, por përfshin edhe shqiptarët që banojnë jashtë territorit të shtetit të parë të shqiptarëve, pra Shqipërisë. Por, Meta deklaron se kërkesat e historianëve shqiptarë për arkivat serbe dhe greke kanë hasur në kundërshtime, duke dëshmuar një konservatorizëm të dalë disi nga koha.


“Ka edhe për Kosovën të dhëna shumë të rëndësishme në arkivat maqedone, bullgare, serbe, që nuk kanë qenë të sintetizuara më parë për të gjitha aspektet. Po kështu është zgjeruar shumë informacioni për Çamërinë, për shqiptarët e Greqisë. Janë dhënë me saktësi në bazë të të dhënave arkivore gjendja e tyre, politikat e shtetit grek. Kemi patur shqetësim me arkivat e Beogradit ç’është e vërteta. Në arkivat e Beogradit kemi marrë atë pjesë që kemi marrë përmes Kosovës dhe Maqedonisë. Arkivat greke janë një mangësi. Kemi bërë tentativa, kemi shkuar në Athinë, kemi çuar grupe pune”, ka thënë ai.

Madje, jo vetëm arkivat, por edhe bibliotekat ishte shumë e vështirë t’i shfrytëzoheshin. Ndaj, Meta thotë se plotësimi tjetër mbetet për botimet e ardhshme.

“Jemi të ndërgjegjshëm që një botim nuk mund t’i realizojë të gjitha pritshmëritë. Arkivat tona janë shumë të hapura ndaj studiuesve grekë, por ata nuk përdorin të njëjtin standard”, shton Meta. /Tema/