LAJMI I FUNDIT:

Haxhiu: Largimi nga EQAR-i, lajm i keq për arsimin e Kosovës (Video)

Haxhiu: Largimi nga EQAR-i, lajm i keq për arsimin e Kosovës (Video)

Nënkryetarja e Komisionit Parlamentar për Arsim, Teuta Haxhiu, e cila vjen nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka theksuar se largimi i Agjencisë së Kosovës për Akreditim nga Organizata Evropiane për Vlerësimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR), është një lajm i keq për vendin.

Ajo në një intervistë për Telegrafin, me gazetarin Muhamet Hajrullahu ka thënë se nuk i di arsyet se pse ka munguar ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi për të raportuar para deputetëve në Komisionin Parlamentar për largimin e AKA-së nga EQAR-i.


“Ministri dy herë e ka konfirmuar ardhjen, por më pas nuk ka qenë prezent në Komision, ndonëse ai ka qenë prej ministrave që vazhdimisht është përgjigjur pozitivisht ftesave tona”, ka theksuar Haxhiu.

Ajo ka komentuar edhe thirrjen e seancës së jashtëzakonshme, duke thënë se pret që nesër të ketë debat konstruktiv mbi temën e përjashtimit të Kosovës nga EQAR-i, duke shtuar se mendon se kjo temë nuk duhet të jetë e ndikuar nga agjendat politike.

“Unë pres nesër një debat konstruktiv. Dua të besoj se për herë të parë pozita dhe opozita ka nevojë për një debat të sinqertë. Problemet që i kemi në arsimin e lartë, nuk është interes as i opozitës dhe i askujt që Kosova të hiqet nga organizata që kanë emër në botë”, ka shtuar Haxhiu.

Ajo më tutje ka thënë se anëtarët e Bordit të AKA-së nuk duhet të jenë edhe mësimdhënës në universitet, sepse sipas saj, kjo ka të bëjë me konflikt të interesit./Telegrafi/