LAJMI I FUNDIT:

Kur Shqipëria ndërtohej nga austro-hungarezët (Foto)

Kur Shqipëria ndërtohej nga austro-hungarezët (Foto)

Në kuadër të vitit kulturor Austri -Shqipëri 2018, në datat 26-27 janar 2018, pranë Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë u organizua një konferencë dhe një ekspozitë me temë: “Monarkia Austro-Hungareze dhe Shqipëria 1916-1918”.

Konferenca shkencore solli në kujtesë periudhën e viteve 1916-1918, periudhë në të cilën Austro-Hungaria administroi më tepër se gjysmën e territorit të Shqipërisë.


Akademikë nga Austria dhe Shqipëria kujtuan ngjarjet e asaj kohe, të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejt në formimin dhe influencimin e marrëdhënieve mes dy vendeve prej Luftës së Parë Botërore e deri në ditët e sotme.

Konferenca shkencore trajtoi gjithashtu tema të tilla si: “Aneksim ose protektorat” dhe ndikimin austriak në infrastrukturë, politikë, administratë, ekonomi, kulturë dhe arsim.

Padyshim, arti dhe kultura kanë treguar se shërbejnë si ura komunikimi mes popujve dhe njerëzve dhe si instrumentet më të mirë për t´i bërë bashkë ata. Bashkëpunimi kulturor dhe ekonomik mes Shqipërisë dhe Austrisë ka një traditë të gjatë dhe mund të cilësohet si një ndër pjesët më të rëndësishme të marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve.

E veç kësaj, dokumentet historike dhe imazhet fotografike të Shqipërisë dhe monarkisë austro-hungareze gjatë viteve 1916-1918, u prezantuan në një ekspozite fotografike. Ekspozita në fjalë përmban foto të Shqipërisë së asaj kohe realizuar nga ushtarët dhe regjentët austriakë. Në ekspozitë bëhen të njohura për publikun imazhe të ndryshme, të cilat të rikujtojnë një marrëdhënie e cila ka lënë gjurmë në kujtesën e atij brezi që e ka përjetuar, por dhe brezi i ri, i cili me anë të këtij organizimi, mëson shumë nga ajo periudhë. Ndër fotot më interesante të ekspozuara ishin fotografitë e grave dhe burrave shqiptarë me veshjet karakteristike popullore, në të cilat ndërthuret tradita dhe folklori.

Gjithashtu e veçanta tjetër në këtë ekspozitë mbeten dhe imazhet e disa prej qyteteve si Tirana, Durrësi, Elbasan etj., gjatë ndikimit të monarkisë Austro-Hungareze në periudhën mes viteve 1916-1918. /GSH/