LAJMI I FUNDIT:

Dokumentarin e Serbisë kundër Kosovës në UNESCO, Qeveria e quan racist (Video)

Dokumentarin e Serbisë kundër Kosovës në UNESCO, Qeveria e quan racist (Video)

Qeveria e Kosovës e vlerëson të ulët, racist dhe të paprecedent filmin dokumentar të qeverisë së Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.

“Shfaqja e filmit dokumentar përpara ambasadorëve të vendeve anëtare të UNESCO-s, me përmbajtje fyese për Kosovën, në kuadër të fushatës kundërshtuese ndaj anëtarësimit në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare, është përpjekje në vazhdimësi për ta denigruar shtetin e Kosovës”, thuhet në reagimin e Qeverisë së Kosovës.


Në reagim theksohet se prezantimi i trashëgimisë kulturore në Kosovë si pjesë të trashëgimisë së Serbisë është synim për të përvetësuar pasurinë kulturore e fetare të Kosovës dhe për ta transformuar atë.

“Pengesat e rrugës së Kosovës për pranim ndërkombëtar dhe anëtarësim në organizmat ndërkombëtar, që vazhdojnë t’i bëhen nga Serbia, janë në kundërshtim me parimet e politikave të fqinjësisë së mirë, në shpërputhje me procesin e normalizimit të marrëdhënieve në kuadër të dialogut që lehtësohet nga BE-ja dhe kundër procesit të pajtimit të popujve pas një periudhe të rëndë të historisë”, thuhet në fund të reagimit.