LAJMI I FUNDIT:

Salihaj: Thaçi po i frikësohet arrestimit nga Gjykata Speciale (Video)

Salihaj: Thaçi po i frikësohet arrestimit nga Gjykata Speciale (Video)

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Adem Salihaj, ka akuzuar presidentin e vendit se “po e luan djalin e keq që kërcënon me kallje të shtëpisë nëse ka veprime ndaj tij”.

Ai, në emisionin InfoBox të RTV Dukagjinit, u shpreh se veprimet e Hashim Thaçit tregojnë shqetësimin e qartë se ai mund të jetë në listat për arrestim të Gjykatës Speciale.

“Duket një shqetësim i qartë dhe mungesë kontrolli e veprimeve të presidentit. Ka ndonjë informatë që ai mund të jetë në listë për arrestim, prandaj veprimet e tij dalin të pakontrolluara, duke u shitur si një personalitet që mund ta ruajë stabilitetin e Kosovës dhe se mund ta destabilizojë atë”, ka thënë deputeti.


Një nga veprimet që dëshmon këtë, sipas tij, është “insistimi i presidentit për Ushtrinë, me të cilin Thaçi po mundohet ta hedh LDK-në si kundërshtare të krijimit të saj”. E gjithë kjo, për Salihajn, po bëhet që ai ta dërgojë vendin në zgjedhje të parakohshme.

“Mund të jetë thjesht një lojë e Thaçit, që ai të japë dorëheqje, gjoja nëse nuk formohet Ushtria, por me pretekstin që ta ndryshojë ligjin për zgjedhje, që presidenti të zgjidhet nga qytetarët. Pra, kjo është tendenca që ai po e paraqet: të marrë një vendim për shpërndarjen e Parlamentit, ndoshta të japë dorëheqje, e që të shkojmë në zgjedhje parlamentare e presidenciale”, tha ai.

Deputeti i LDK-së nuk pajtohet me krijimin e Ushtrisë, pa përkrahjen e Amerikës. Ai foli edhe për zhvillimet e fundit në të cilat i plagosur mbeti avokati Azem Vllasi, veprime për të cilat u shpreh kundër, por që tha se duhet të gjykohen të gjithë për të kaluarën e tyre.

“Unë mendoj se duhet të ketë gjykim publik transparent për të gjithë ata që ne mendojmë se i kanë tradhtuar interesat kombëtare të shqiptarëve dhe se i kanë bërë dëme shqiptarëve, për secilin – edhe për mua nëse kam qenë në pozita dhe kam bërë veprime të kundërta me interesat dhe aspiratat popullit”, tha ai.

Për vrasjet e pasluftës, Salihaj tha se presidenti aktual e di se kush i ka bërë – pa përjashtim. /RTV D/Telegrafi/

https://youtu.be/x9aGuBpqT-o?t=3593