LAJMI I FUNDIT:

A do të jenë pjesë e qeverisë së re, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa? (Video)

A do të jenë pjesë e qeverisë së re, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa? (Video)

Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa rikonfirmuan gatishmërinë për ta mbështetur Zoran Zaevin në marrjen e mandatit për formimin e Qeverisë. Të dyja partitë pohuan se do të negocionin me LSDM-në për koalicionim të mundshëm, por vetëm nëse plotësohen kushtet e tyre.

Ziadin Sela nga Aleanca betonoi edhe në njëherë qëndrimin se nuk do të jetë pjesë e një koalicioni që nuk do ta barazonte shqipen me maqedonishten.

”Drafti për ligjin për gjuhën shqipe është i përgatitur me kontributin tonë dhe janë gjërat kryesore, të cilat ne i mendojmë se duhet të jenë në ligj dhe akoma do të punohet në mënyrë që të jetë një ligj i mirëfilltë për përdorimin e gjuhës shqipe dhe i barabartë” – deklaroi Zijadin Sela, Aleanca për Shqiptarët.


Ndërkaq, nga Lëvizja Besa thonë se nuk kanë njohuri rreth përmbajtjes së propozimligjit për shqipen.

”Sa i përket propozim ligjit për gjuhën shqipe, ne ende nuk e kemi parë, nuk e dimë brendinë dhe përmbajtjen e atij ligji anadaj edhe nuk mund të deklarohemi rreth atij ligji. Natyrisht që ne kemi propozime dhe sugjerimet tona se si do të duhej të duket ai ligj, por për këto gjëra do të flasim atëherë kur nga LSDM-ja të na vijë ofertë konkrete për bashkëqeverisje dhe kur të fillojnë bisedimet për formimin e qeverisë” – tha për Alsat-M, Orhan Murtezani, Lëvizja BESA.

Nga Besa ritheksuan qëndrimin se nuk do të bëhen pjesë e Qeverisë nëse në të marrin pjesë persona të inkriminuar si dhe kërkojnë publikimin e programit për koalicion dhe hapjen e debatit për ridefinimin e shtetit./Telegrafi/