LAJMI I FUNDIT:

Koloneli britanik, shqiptarëve më 1943: Veç bashkimi mund ta mbajë gjallë një popull!

Koloneli britanik, shqiptarëve më 1943: Veç bashkimi mund ta mbajë gjallë një popull!

Koloneli Dayrell Oakley-Hill si i ri është interesuar për çështjet ushtarake dhe ato policore. Para Luftës së Dytë Botërore ka shërbyer në Xhandarmërinë e Shqipërisë, ku kishte arritur të bëhet zëvendës i Policisë së regjimit të mbretit Zog. Në vitin 1940 është dërguar në Jugosllavi, ku është paraqitur se është shqiptar nga Shqipëria. Në vitin 1943 ai kërkon një front kombëtar të përbashkët shqiptar në të cilin do të bashkohen të rinj e të vjetër, malësorë e qytetarë, gegë dhe toskë.

Numri i britanikëve të cilët janë marrë me çështjen e Shqipërisë nuk është i paktë. Duket se britanikët më së shumti kanë qenë të interesuar për Shqipërinë para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Një ndër britanikët e tillë për të cilin dihet pak te ne, është kolonel Dayrell Oakley-Hill, i cili ka vdekur më 1985 në moshën 87-vjeçare. Konsiderohet të jetë ndër britanikët të cilët ka folur më së rrjedhshmi gjuhën shqipe.


Si i ri është interesuar për çështjet ushtarake dhe ato policore. Para luftës ka shërbyer në Xhandarmërinë e Shqipërisë, ku kishte arritur të bëhet zëvendës i policisë së regjimit të mbretit Zog. U lind në Afrikën e Jugut, më 1898. Pas kryerjes së Luftës së Parë Botërore ka hyrë në shërbim të “gurkave”, njësi speciale e forcave të armatosura të Britanisë së Madhe, dhe për një kohë të shkurtër, në kampanjën e Mesopotamisë, kishte arritur gradën e kapitenit.

Pas një kohe i është kthyer jetës civile, duke u angazhuar në redaksinë e “Encyclopaediae Britannica”. Më 1929 “mërzitet në punë të tillë” dhe vendos që të hyjë në shërbim të Xhandarmërisë shqiptare, të cilën punë detyrohet ta braktisë me okupimin e Shqipërisë nga Italia fashiste e Benito Mussolinit. Më 1940 është kthyer në Angli, duke u angazhuar përsëri në armatën e Britanisë së Madhe. Po atë vit është dërguar në Maltë nga ku ka ndihmuar në përgatitjet e misioneve kundër Italisë e cila kishte okupuar Shqipërinë, si dhe në Jugosllavi ku është paraqitur se është shqiptar nga Shqipëria.

Pas shkatërrimit të Jugosllavisë mbretërore zihet rob, por lirohet më 1943 dhe kthehet në Londër për të punuar përsëri në qendrën e “Special Operations Executive”.

Në fund të luftës ka udhëhequr misionin për Shqipëri të UNRRA (United Nations Relief and Rehabilitation Administration).

Më 1951 ka hyrë në shërbim të diplomacisë, duke u angazhuar përsëri në Ballkan, në Ambasadën britanike në Athinë, ku ka qëndruar deri në vitin 1957. Nga ky vit e tutje ka punuar pa ndërprerje, deri në moshën e tij 70-vjeçare, për “Encyclopaedia Britannica” dhe “Foreign Office”.

Koloneli Oakley-Hill, më 1943, nga Londra, me rastin e përvjetorit 31-të të pavarësisë së Shqipërisë, i dërgon një mesazh popullit shqiptar të cilin popull kishte patur rastin ta njohë më për së afërmi. Mesazhi është dërguar në kohën kur Shqipëria ka qenë e okupuar nga fashistët gjermanë e që deri diku ky mesazh mund të jetë fatkeqësisht i vlershëm edhe për situatën e sotshme në Shqipëri.

Telegrafi më poshtë ua sjell në tërësi versionin shqip të këtij mesazhi që iu është drejtuar shqiptarëve më 28 nëntor të vitit 1943.

aukleyhill
Dayrell Oakley-Hill

SHQIPËRIA PËR MUA ËSHTË ATDHEU I DYTË

Shqiptarë,

Sot është përvjetori i tridhjetenjëti i pavarësisë së Shqipërisë. Është për mua një kënaqësi shumë e madhe që t’ju flas juve në këtë ditë historike. Disa prej jush më mbani në mend. Unë jetova 10 vjet midis jush si një nga organizatorët e Xhandarmërisë Mbretërore të Shqipërisë.

Mora pjesë në jetën tuaj dhe Shqipëria për mua u bë një atdhe i dytë.

Më 1939 u dëbova nga vendi juaj, jo nga ju, por nga fashistët.

Më 1941 mora pjesë në veprimet e maleve të veriut për të çliruar Shqipërinë nga sundimi fashist. Ato veprime dështuan e unë u bëra rob lufte në Gjermani, ku qëndrova dy vjet e gjysmë. Tashti jam liruar dhe jam kthyer përsëri në Atdheun tim, ku kam marrë vesh me hidhërim të thellë mbi vuajtjet dhe përpjekjet tuaja gjatë katër vjetëve të kaluara. Jam njoftuar se ju, një popull me liri në gjak, nuk e keni harruar kurrë miqësinë dhe simpatinë që keni patur për popujt tjerë të Anglisë dhe të Amerikës, të cilët vërejnë se ju tashti po vazhdoni luftën kundër agresorit gjerman, i cili ka shkelur nën thundër pothuaj çdo vend të Evropës, nën thundër të çeliktë të një tiranie që s’është parë kurrë në botë.

Disa javë më parë i keni dëgjuar fjalët e z. Winston Churchill, kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, kur ai tha se Britania dëshiron pavarësinë e Shqipërisë dhe shikon me admirim kurajon e shqiptarëve të cilët tash po luftojnë për liri. Tashti e dini se kulmi i kësaj lufte gjaksore po afrohet. Çdo grusht që i jepni armikut afron lirinë. Jam i sigurt se çdo shqiptar i vërtetë tash do të dyfishojë ato grushte dhe do t’i drejtojë, kurdo dhe kudo që të mundet, kundër armikut të qytetërimit të të gjithëve dhe kundër lirisë gjermanëve nazistë.

Sot po ju bëj këtë thirrje për një gjë: t’i pushoni të gjitha grindjet dhe mosmarrëveshjet midis jush. Vetëm bashkimi mund të mbajë gjallë një popull; vetëm me bashkim një popull mund të kryejë veprime që kanë vlerë të përhershme. Këtë mund ta arrini vetëm me një front kombëtar të përbashkët, vetëm me një front të vetëm, në të cilin do bashkohen të rinj e të vjetër, malësorë e qytetarë, gegë dhe toskë.

Atëherë do të jeni të sigurt se jo vetëm që veprimi juaj do t’ju sjellë lirinë më shpejt, lirinë të cilën ju e dëshironi me gjithë shpirt, por edhe kur do të vijë dita e çlirimit dhe sigurisht që ajo ditë po agon, nuk do të jetë ditë e vërejtur prej një mosbesimi dhe vëllavrasjeje. Në atë ditë të lumtur ju do të filloni së bashku rindërtimin e vendit tuaj të rrënuar dhe këtë do ta bëni me një bashkëpunim vëllazëror, kështu që ato cilësi të trimërisë dhe të nderit, për të cilat cilësi ju jeni të çmuar, do të mund ta ngrenë Shqipërinë e lirë në një vend nderi dhe të vlerësuar nga kombet në një botë të lirë dhe të lumtur.

Do të dëshiroja që edhe unë të mund të luftoja krah për krah me ju, por si një rob lufte një rrugë e tillë m’u ndalua. Por, jam me ju në shpirt dhe lus që kurajo dhe durimi juaj të vazhdojë deri në fund, në atë fund i cili tashti po afrohet. Ju keni shumë miq këtu në Angli. Ne nuk ju harrojmë.

Rroftë Shqipëria e Lirë! 

/Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
Traditat dhe ritet e dikurshme të dasmave shqiptare

Traditat dhe ritet e dikurshme të dasmave shqiptare

Kulture
Lufta e Vraninës dhe akti heroik i Oso Kukës

Lufta e Vraninës dhe akti heroik i Oso Kukës

Kulture
Kanuni, “një botë e mbyllur

Kanuni, “një botë e mbyllur"

Kulture
Thënie për nënën: Nëna është personi i vetëm në botë që të do para se të të shohë!

Thënie për nënën: Nëna është personi i vetëm në botë që të do para se të të shohë!

Fjala+
Historia e fotos ikonike nga Belfasti i trazirave

Historia e fotos ikonike nga Belfasti i trazirave

PARAJA

PARAJA

Poezi
Kalo në kategori