LAJMI I FUNDIT:

Mishtoret: Ndalesa e mishit të Maqedonisë nga Rusia nuk ndikon tregun e brendshëm (Video)

Mishtoret: Ndalesa e mishit të Maqedonisë nga Rusia nuk ndikon tregun e brendshëm (Video)

Mishtoret thonë se ndalesa ruse për importin e mishit nga Maqedonia nuk ka ndikuar në tregun e brendshëm. Sipas tyre, tregu është stabil dhe deri tani nuk është reflektuar ndonjë efekt negativ nga sëmundja “nyja e lëkurës” e gjedheve, njofton Tv21.

“ Sëmundja e kafshëve nuk ka ndikuar në ndryshimin e çmimit të mishit, kurse shitja po shkon në masa normale. Ka të interesuar njerëz për të blerë si dhe mishi ynë ka deklaracion”, u shpreh një shitës.

Qytetarët thonë se janë informuar për këtë sëmundje të gjedheve, por ata blejnë mish të sigurt.


“Mendoj se mishi është i sigurte për tu blerë. Dhe gjithmonë kërkoj vërtetim.”

“ Unë blej gjithmonë mish dhe kujdesem që të jetë i freskët dhe i mirë.  Dëgjova për sëmundjen e kafshëve por kjo nuk ka ndikuar që të mos konsumojmë mishin”, u shprehën disa qytetarë.

Gjoko Gjorgjeski nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari thotë se ndalesa ruse për mishin do të jetë e përkohshme. Sipas tij, kohëve të fundit është ulur përhapja e sëmundjes që kryesisht është në pjesën juglindore të vendit.

“Pas qetësimit të gjendjes në Maqedoni, Agjencia për Ushqim dhe  Veterinari do t’i drejtohet shërbimit federal rus që ta tërheq vendimin e sjellur për ndalesën e importimit të mishit të gjedheve. Ndalesat bëhen në ato pjesë ku ka paraqitje të sëmundjes dhe kryesisht eksporti bëhet ndaj atij vendi, ku ata kërkojnë se si duhet trajtuar dhe me çfarë kushte dhe certifikate do të jenë të dërguara”, tha Gjoko Gjorgjeski, udhëheqës në sektorin për inspektim mbikëqyrës në AUV.

Sipas AUV, deri tani janë vërtetuar 1399 pika të nxehta të përhapjes së sëmundjes “nyja e lëkurës” tek gjedhet, ndërsa nga fillimi e deri tani janë mbytur afër 3400 gjedhe. Pas procesit të vaksinimit ka rënie të përhapjes së kësaj sëmundje.