LAJMI I FUNDIT:

Fjalët e para të Ronaldos pas fitores që e dërgoi në finale

Fjalët e para të Ronaldos pas fitores që e dërgoi në finale

Sulmuesi i Portugalisë, Cristiano Ronaldo, thotë se që nga fillimi i Kampionatit Europian e ka ëndërruar finalen dhe tani pret që të fitojë titullin në Euro 2016.

Kapiteni portugez shënoi një gol në fitoren 2-0 ndaj Uellsit në gjysmëfinale dhe thotë se kualifikimin në finale e ka besuar që nga fillimi.

Ylli i Real Madridit thotë se portugezët e kanë merituar kalimin në finalen e madhe.


“Është diçka që e kemi ëndërruar që nga fillimi. E dinim që do të jetë rrugë e gjatë dhe jemi akoma në garë. Kemi besuar që nga fillimi. Kemi pasur probleme të mëdha, por është siç kam thënë gjithmonë: është më mirë të nisësh ngadalë dhe të kesh fund pozitiv. Lojtarët e kanë merituar, trajneri e meriton. Edhe stafi mjekësor po ashtu. Ata kanë bërë punë të jashtëzakonshme me lojtarët. Nuk kemi fituar akoma asgjë, por ëndrra është gjallë”, ka thënë Ronaldo pas fitores ndaj Uellsit.

“Shpresoj që pas finales të qesh dhe të kem lot gëzimi. Gjithmonë kam thënë se ëndrra ime është të fitoj një trofe me Portugalinë. Jemi afër dhe besoj se do të fitojmë. Me punë, përkushtim dhe shpirt e sakrificë, të cilën e kam treguar në gjithë karrierën time”, ka shtuar ai.