LAJMI I FUNDIT:

Presidenti Thaçi pret ministren Tahiri, lavdërojnë njëri tjetrin

Presidenti Thaçi pret ministren Tahiri, lavdërojnë njëri tjetrin

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, është pritur në një takim nga presidenti Hashim Thaçi, të cilin e ka uruar për marrjen e postit më të lartë shtetëror dhe kanë biseduar për bashkëpunimin në kuadër të angazhimeve të përbashkëta shtetërore.

Ministrja Tahiri me këtë rast tha se çmon lartë kontributin e presidentit Thaçi që nga koha e luftës, bashkëpunimin në kuadër të Konferencës së Rambujesë dhe bashkëpunimin e tanishëm në ndërtimin dhe fuqizimin e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës.

Tahiri ka theksuar përkushtimin në përmbushjen e vizionit euroatlantik për Republikën e Kosovës dhe avancimin e interesave shtetërore drejt qëllimeve tona për integrimin e Kosovës në BE, NATO, OKB dhe struktura tjera relevante ndërkombëtare, duke fuqizuar edhe më shumë partneritetin strategjik me SHBA-të dhe BE-në.


“Në këta takim u theksuan përparimet e gjithëmbarshme në vend, sidomos arritjet në kuadër të integrimit evropian, si nënshkrimi i marrëveshjes për Stabilizim Asocim me BE-në dhe vendimi pozitiv për liberalizimin e vizave. Më tutje u tha se duhet të vazhdojë përkushtimi për reforma evropiane të gjithanshme, ku prioritete kryesore janë forcimi i sundimi i ligjit, zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik dhe punësimi, për të bërë shtetin tonë sa më prosperues për gjithë qytetarët”, thuhet në njoftim.

“Presidenti Thaçi nga ana e tij tha se vlerëson lartë kontributin e ministres Tahiri në të gjitha fazat e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, si dhe angazhimet e tanishme në kuadër të Qeverisë së Kosovës. Ai tha se çmon lartë lidershipin e zonjës Tahiri në dialogun e Brukselit për fqinjësi të mirë dhe tha se mbështetja e tij do të vazhdoj të jetë e fuqishme dhe nga pozita e Presidentit të Republikës së Kosovës. Ai vlerësoi se dialogu i Brukselit ka kontribuar për avancimin e Kosovës drejtë BE-së i dëshmuar me marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me BE-në si dhe për konsolidimin e sovranitetit shtetëror në veri të vendit”, thuhet në njoftimin për media.