LAJMI I FUNDIT:

Shqiptarja e vogël, aktorja e parë në Hollywood

Shqiptarja e vogël, aktorja e parë në Hollywood

Për herë të parë nga koleksioni privat i Niko Kotheres, dalin dy foto të rralla të Elena Qiricit, aktores së parë shqiptare në Hollivud. Ishte vetëm 12 vjeç kur italianët e quajtën “Picola grande diva”. Në Shqipëri emri i saj pothuaj nuk njihej, ndërsa artistja Qirici nga Australia ku lindi, kthehet për të nisur karrierën në vendin e origjinës, në Korçë. Nga Vjena nis karrierën jashtë kufijve, duke u “peshkuar” nga menaxherët e Hollivudit, që kërkonin yjet nëpër Evropë. Në vitin 1965 lë karrierën duke u martuar me pinjollin e familjes së pasur amerikane, Ford

Violeta Murati

Ndërkohë që në Shqipëri sapo shënoheshin xhirimet e para filmike, dhe kompanitë po hapnin një e nga një kinematë, kur xhirimet nuk merreshin përsipër nga shteti dhe as nga kompani prodhuese por nga njerëz që kishin prirje dhe vullnet individual, në këtë vend të Ballkanit, për herë të parë dëgjohet të flitet për shqiptarë të famshëm, sukses evropian apo botëror.


Kamera e vendosur për herë të parë në duart e shqiptarëve kërkonin figura dhe ndikime nga aktorë të mëdhenj të filmit për të luajtur një rol të fuqishëm në jetën kulturore kinematografike të shoqërisë shqiptare.

Mes viteve 1924 deri në vitin 1939, disa emra u shndërruan në emblemë të kulturës shqiptare jashtë vendit. Aleksandër Moisiun dhe Kristaq Antoniun po e ndiqte një emër i ri, në moshë mjaft të vogël. Quhej Elena Qirici, e cila do të kthehej nga Australia ku lindi, në vendin e origjinës e të niste karrierën e saj në Korçë. Ishte vetëm 12 vjeç kur do të befasonte si aktore dhe balerinë në kompanitë kinematografike të Hollivudit dhe italianët do të thërritnin quajtën “Picola grande diva”!

Për shqiptarët është pak i njohur ky personalitet, qoftë në dokumentacion por edhe imazhe, ndërsa për herë të parë nga arkivi i koleksionit personal, privat, Niko Kotherja vë në dispozicion dy foto të rralla, të panjohura. Për gazetën “Mapo”, Kotherja lejon botimin ekskluziv të fotove, ku Elena duket se na vjen në dy kohë.

“…Janë vite të konsolidimit të jetës kulturore shqiptare të mirëfilltë, gjallërimi i jetës koncertale dhe veprave të letërsisë moderne, pushtojnë ekranin yjet e kinematografisë botërore. Në periudhën midis dy luftërave botërore, ndihet ndikimi i kinemasë amerikane, franceze dhe italiane. Po kështu shqiptarët ndjekin kronikat e kohës, veçanërisht ato të xhiruara në Shqipëri. Befas në ekran, pranë emrave botërore shqiptarët kanë zbuluar edhe praninë e aktorëve shqiptarë që luajnë në filma të huaj”, shkruan Natasha Lako, nga kjo kronikë në librin e saj me ese “Energjia filmike”.

“Aleksandër Moisiu ishte një nga aktorët më të mëdhenj në skenën e viteve ’30, kur brenda kësaj kohe një djalosh simpatik shqiptar i pajisur me cilësi të rralla artistike, u duk në qiellin e Rumanisë”, shkruhej në vitin 1931 për Kristaq Antoniun.

“Ndërsa aktorja tjetër që ka impresionuar publikun shqiptar është edhe Elena Qirici”, shkruan Lako.

Elena Qirici është vajza e parë shqiptare që del në ekranin e madh, që e ka filluar jetën e saj artistike në skenat shqiptare, me shfaqje artistike dhe turne të shumta nga një qytet në tjetrin, të cilat në shumicën e rasteve janë zhvilluar në sallat e kinemave.

E zgjedhur në një grup prej tetëdhjetë vajzash, ajo merr pjesë në një spektakël të organizuar në teatrin Quirino të Italisë ku është i pranishëm edhe mbreti i Italisë. Në këtë kohë shtypi italian e quan Elena Qiricin: “Picola grande diva”. Ajo largohet para pushtimit fashist në SHBA, ku aktivizohet nga Metro Goldwin Majer në dy role kryesore. Në vitin 1938 ajo kthehet për të bërë turne në Shqipëri, ndërsa shtypi shqiptar shkruan me këtë rast për të dhe riboton artikullin e revistës amerikane të filmit ‘La voce del lione”, e cila ka shkruar: “Mbërriti në Hollivud e vogla Elena Qirici, rivalja kryesore e së famshmes balerinë Eleanora Powell”!

Si shihet, ka kaluar një periudhë e gjatë e bashkëjetesës së shqiptarit me artin kinematografik ku fillojnë të spikatin dhe figura shqiptare.

“Megjithë përpjekjet për çeljen e syrit kinematografik, pavarësia e shkurtër shqiptare, nuk mund të ofronte as mjete, as mundësi për t’u shprehur në imazhin shqiptar. Ishte politika vetizoluese e periudhës së diktaturës komuniste, që kërkoi që Shqipëria të plotësonte të gjithë nevojat e veta në një ekonomi të mbyllur, ku shqiptarët u vunë të prodhonin vetë gjithçka, duke përfshirë edhe filmin shqiptar”, shprehet Lako.

Për këtë artiste, në qasje më të plotë shkruan kritiku dhe studiuesi i kinemasë Abaz Hoxha, i cili ka botuar për herë të parë jetëshkrimin e kësaj artisteje në vitin 1987, në revistën “Skena dhe ekrani”, nr. 3 si dhe në Shqiptarja e re, nr. 4 me titullin “Shkëlqimi jetëshkurtër i një artisteje të re” duke e përfshirë edhe në enciklopedinë e kinematografisë shqiptare dhe në gjithë botimet mbi kinematografinë, po ashtu e liston edhe në Historinë e Kinematografisë shqiptare.

Abazi na jep një biografi të familjes Qirici: Elena lindi në një familje artistësh. Familja Qirici, me origjinë nga Orgocka e Kolonjës ishte vendosur në Korçë në vitin 1900. Si shumë shqiptarë të tjerë, edhe Nikolla Qirici me dy djemtë e tij, Vasilin dhe Dhimitrin, emigruan në SHBA. Vasili, lindur në Korçë më 1901, në atë kohë ishte rreth 14 vjeç. Ata me mundime arritën të çelnin një dyqan ku u punësua e gjithë familja. Djali i tij Vasili, kishte prirjen artistike e veçanërisht për muzikë, prandaj në kërkim të mundësive të reja riemigroi në Havanë të Kubës, ku qëndroi rreth 20 vjet. Aty u lidh me një grup instrumentistësh dhe mësoi përdorimin e kitarës havajane.

Pasioni i tij i veçantë tërhoqi vëmendjen e instrumentistëve të njohur dhe ata e ndihmuan që ai të regjistrohej në një shkollë muzike. Mbasi mbaroi shkollën u nis nga Kuba, për në kontinentin e largët në Melburn, Australi, ku çeli vetë një kurs muzike për kitarë, mandolinë, violinë dhe krijoi një formacion të rregullt orkestral. Mes këtyre instrumentistëve njohu edhe bashkëshorten e tij të ardhshme, Rubin. Në vitin 1925, ekziston dhe version të ketë lindur më 1928, në Melburn lind vajza e tyre, Elena. Qëkur ishte dy vjeçe atë e sollën në Korçë, dhe jetoi deri në vitin 1936 pranë ungjit të saj. Aty i ati e futi para kohe në shkollë për të mësuar shkrim e këndim në gjuhën shqipe.

Trioja, bashkëshortja e tij, Rubin, si dhe i vëllai Taqo (Dhimitër) Qirici, mbasi kishin bërë një turne nëpër botë me këngë dhe kitarë havajane u kthyen në Korçë në vitin 1935. Vajza e Vasil Qiricit, Elena, atë vit porsa kishte mbaruar dy klasë shkollë fillore. Ajo si dukej kishte treguar talent qysh fëmijë, por prindërit as që mund ta mendonin se do të bëhej artiste e njohur.

Megjithatë ata iu vunë punës për përgatitjen dhe përparimin e Elenës. Ata organizuan një koncert në skenën e kinemasë së Korçës, duke përfshirë këtë herë edhe Elenën e vogël. Interpretimi i saj u prit mirë nga publiku korçar, i kultivuar me kulturë muzikore, me traditë tashmë. Më pas ndërmori një turne në gjithë Shqipërinë, të cilat u mirëpritën, dhe u duartrokit nga publiku -na ndihmon në historikun e tij, studiuesi Hoxha.

Kështu nisi karriera modeste e Elenës brenda Shqipërisë. Me këtë nuhatje, prindërit e saj e dërguan në Vjenë, ku u regjistrua në një shkollë dansi. Brenda tri muajve artistja kishte arritur të grumbullonte mjeshtëri, aftësi dhe besim duke e ftuar në skenat e Vjenës. Në këtë moment filluan të kërkonin interes mjaft qarqe artistike, kritika dhe shtypi vjenez. Shoqëritë e teatrove nisën ta kërkonin po ashtu, duke parë tek Elena “një burim të madh fitimesh”, shkruan studiuesi.

Pikërisht në një nga këto mbrëmje, iu shfaq oferta e parë, nga një shoqëri italiane shumë e njohur për kohën, “Fratelli Schwarz”, të cilët nënshkruan një marrëveshje gjashtëmujore me teatrin revistë “Bartoldissimo”. Në këtë ansambël bënin pjesë 80 artiste, por Elena e vogël u bë protagoniste, duke i siguruar sukses shoqërisë që e kontraktoi.

Turnetë në Itali me këtë trupë tërhoqën vëmendjen e shtypit të kohës, duke u kushtuar shkrime të gjata dhe ndër më të spikaturat ishte ajo me cilësinë ‘La picola grande diva” (vogëlushja diva e madhe). “Revistat italiane botonin me shumicë fotografitë e mëdha të Elenës së vogël, në të gjitha faqet e para”. Ajo dha shfaqje gati në të gjithë Italinë ku fama e saj u bë aq e madhe sa në Romë ftohet të japë shfaqje në teatrin “Quirino”, ku mori pjesë edhe familja mbretërore.

Kaloi kufijtë italianë duke u angazhuar në shoqërinë “ABC” të Parisit, duke interpretuar në krah të artistes së njohur Maria Dubas, për një periudhë të gjatë kohe. Nga skena parisiene shoqëritë kinematografike amerikane që udhëtonin nëpër botë për të “peshkuar” talentet, yjet për Hollivudin, u befasuan kur ndeshën shqiptaren Elena Qirici.

Artistja u përgjigjet pozitivisht, duke u angazhuar tashmë në një prej shoqërive më të mëdha kinematografike amerikane “Metro Goldwin Mayer” (MGM). Brenda vitit, Elena xhiron në Hollivud dy filma, në role kryesore. Studiuesi Hoxha njofton se atje ajo filloi edhe një shkollë të edukatës fizike, dhe të kërcimit që ishte brenda ansamblit të shoqërisë filmike MGM, duke i dhënë më shumë potencë e mjeshtëri profilit të saj artistik.

Në këto lartësi, si balerinë e këngëtare, akrobate me cilësi të larta aktrimi, Elena u vlerësua nga shtypi amerikan duke e barazuar me të famshmen balerinën amerikane të kohës Eleanor Powell.

Në vitin 1938 ajo kthehet në Korçë, si një yll i kinemasë botërore, aty ku kishte nisur karrierën. Më 25 maj, 1938, në sallën e kinemasë “Majestik”, Elena jep koncertin e pritur me padurim nga korçarët, shoqëruar me interpretimin e prindërve dhe xhaxhait të saj, me këngë dhe muzikë të ndryshme.

Studiuesi Hoxha, ndal në shtypin e kohës, që e ka përshkruar atë mbrëmje, duke sjellë këtë atmosferë sot: “…Kur doli Elena, një buzëqeshje engjëllusheje e lehtë, tërheqëse, gjeste harmonike. Ajo këndoi me bukuri të rrallë, salla buçet dhe duartroket me thirrjet: Bravo. Ishte një spektakël që s’e kishte parë ndonjëherë Korça plakë… Ajo provoi se Shqipëria mund të mburret me këtë vajzë në botën artistike… Publiku artdashës dhe shtypi shprehte bindjen se Elena kish për të arritur në sferat më të larta artistike, ajo u la atyre të kuptojnë se do të bëhej një nga artistet më të mëdha të botës kinematografike për të nderuar prindërit dhe Atdheun e saj…”

Para se të jepte shfaqje në kryeqytet, shtypi reklamoi më foto të mëdha, ku një prej gazetave, e datës 15 qershor 1938 shkruante: “…Të mërkurën ora 9 në kinema “Nacional”, debuton “Ylli kinematografik shqiptar”, Elena Qirici, valltare, akrobate, këngëtare…Tërë shtypi evropian dhe amerikan i kanë ngritur lart cilësitë e të voglës Elena Qirici. Ka entuziazmuar publikun e Londrës, Parisit, Vjenës, Romës, është artistja kryesore e dy filmave të “MGM”. Evenimenti më i madh artistik që është shfaqur deri më sot në Shqipëri është spektakli i 11-vjeçares Elena Qirici…”

Ndërsa pas shfaqjes, gazetat e kohës do të shkruanin: “…Sukses i jashtëzakonshëm i vogëlushes Elena”; “…nga shfaqjet artistike që ka parë deri më sot publiku i Tiranës, ajo që ka tërhequr më shumë interesimin e publikut dhe që quhet me të drejtë një eveniment i madh artistik për gjithë Shqipërinë është shfaqja e artistes me famë botërore Elena Qirici. Elena e jeton muzikën që kërcen me një harmoni të mbaruar lëvizjesh dhe buzëqeshjesh. Në Amerikë është konsideruar më tepër si një yll. Është një artiste që posedon me të vërtetë diçka që nuk mësohet por vetëm lindet dhe që me të vërtetë nderon gjithë kombin shqiptar në botën e huaj…”

Ndërsa, në një artikull tjetër, të zbuluar nga studiuesi Abaz Hoxha, që i përket datës 14 qershor 1938, shkruhej me germa të mëdha: “Ylli kinematografik shqiptar, Elena Qirici”, shoqëruar me një fotografi, ku shkruhej ndër të tjera: “Disa kohë më parë, revista amerikane “The voice of lion”, organ i shoqërisë kinematografike Metro Golduin Majer, botonte në faqen e parë një fotografi të madhe, që shoqërohej me njoftimin: “Arriti në Hollivud, e vogla Elena Qirici, rivalja kryesore e të famshmes balerinë Eleonos Pauell”.

Në vitin 1942 Elena rikthehet në Evropë, për filmin “Women of the day”, për të interpretuar së bashku me aktoren amerikane, Katherinë Hepburn.

Në gjysmën e dytë të viteve ’80-të, janë përpjekjet e para për të shkruar profilin artistik të kësaj artisteje, dhe pas ’90-ës vjen më e zgjeruar biografia pothuaj e gjerë, por edhe enigmatike e Elenës, kur ndër të tjera thuhet se babai i saj, Vasili, përpiqej ta mbante larg mjediseve të elitës amerikane dhe e këshillonte që shokun e jetës ta zgjidhte mes emigrantëve shqiptarë që jetonin dhe punonin në atë kohë në Amerikë… Pavarësisht kësaj, vite më vonë, më 1954 ajo shkon në Australi, në vendin ku kishte lindur nëna e saj. E tërhequr nga skena, pikërisht në momentin kulmor të këtyre sukseseve, në vitin 1965 kur kishte fituar aq emër e famë e lidhi jetën me Gerard Fordin dhe i dha fund karrierës.