LAJMI I FUNDIT:

AKB-ja mbështet investimet në Luginën e Preshevës

AKB-ja mbështet investimet në Luginën e Preshevës

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) dhe Dhoma Kombëtare e Tregtisë, në kuadër të “Javëve të Biznesit Kombëtar”, po promovojnë trojet shqiptare si potenciale atraktiv për investime të huaja.

Në këtë drejtim është organizuar për herë të parë Forumi Zhvillimor Ekonomik Lokal për Medvegj, Bujanoc dhe Preshevë, me qëllim të zhvillimit të kësaj ane, ku në bashkëpunim me kompaninë General nga Zvicra janë sjellë investitorë italianë që do të investojnë rreth 10 milionë euro në këtë anë e cila nga qytetarët thuhet se ka mbetur pa mbështetjet të Kosovës dhe Shqipërisë.

Investimet pritet të bëhen në energji, bujqësi dhe hoteleri e tjera.


Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve dhe Dhomës Kombëtare të Tregtisë, tha se trojet shqiptare janë potencial tepër atraktiv dhe interesant për investitorët e huaj. Por sipas tij këto potenciale duhet të promovohen edhe më shumë, sepse aty ku jetojnë shqiptarët ka edhe stabilitet ekonomik e politik.

“Investimet në Luginë, kanë rëndësi të madhe dhe këto pesë projekte në vlerë rreth dhjetë milionë euro që po parashihet të nisin nga italianët e investitorë të tjerë do të ndikojnë fuqishëm në zhvillimin e këtyre trevave, do të ngrisin mirëqenien e qytetarëve dhe do të ndalin shpërnguljet e shqiptarëve”, tha Shahini.

Ai tha se AKB-ja mbështet jo vetëm këto investime, por edhe të tjerat që pritet të bëhen në Luginën e Preshevës. Sipas tij politika duhet ndarë nga ekonomia dhe e cila duhet të zhvillohet.

Ai kërkoi nga institucionet që duhet ngritur edhe nivelin e përgjegjësisë, sepse këtë e kanë obligim ligjor sipas kushtetutës. Është edhe obligim shtesë ndaj votuesve që qeveritarët e Kosovës dhe Shqipërisë ua kanë premtuar votuesve të vet.

“Ky forum bashkoi rreth 100 pjesëmarrës nga të gjitha trojet ku jetojnë dhe veprojnë dhe kjo është një mundësi e mirë që diaspora jonë tashmë ka kthyer kokën nga vendlindja për të investuar, zhvilluar e mos lejuar braktisjen e trojeve etnike”, tha Agim Shahini.

Xhelal Mehmeti, ish-kryetar i Fondit Humanitar për Kosovën Lindore, tha se ky forum është bërë më qëllim të nxitjes dhe zhvillimit më të fuqishëm ekonomik të kësaj ane. Të gjithë duhet të punojnë për nxitjen e zhvillimit ekonomik lokal të shpejt dhe të qëndrueshëm të Medvegjës, Bujanocit e Preshevës.

“Me një zhvillim ekonomik të mirëfilltë, do të mundësohet që edhe qytetarët e shpërngulur të kësaj ane të kthehen e punojnë e jetojnë në vendlindjet e tyre”, tha Mehmeti.

Sipas tij investitorët janë këtu të cilët janë të interesuar që të investojnë në disa fusha dhe pritet që shpejt të nisin investimet konkrete. Ai tregoi se po lobojnë gjithë andej vendeve që të sjellin investitorë të huaj në Medvegj, Bujanoc e Preshevë.

Luigji Nardone, investitor Italian, tha se kanë ardhur këtu për të shikuar potencialet që ofrojnë këto anë në mënyrë që të investojnë në lëmi të caktuara dhe të punësojnë qytetarët e kësaj ane. Si mundësi të mirë investimi përmendi riciklimin e mbeturinave, prodhimin e peletit, ujit, qumështit, çokollatave, mbjelljen e kultivimin e rrushit dhe prodhimin e verërave, energjisë së ripërtritshme e tjera.

Ai premtoi se një pjesë të investimeve do t’ia dedikojnë edhe Fondit Humanitar për Kosovën Lindore, për ndërtimin e shtëpive.

Brushi Raul, investitor italian, tha, janë pesë projekte që do të sjellin përfitime të mëdha edhe për popullatën e kësaj ane dhe të cilat pritet të implementohen në vazhdim, në fushën e bujqësisë, gastronomisë, energjisë e tjera.

Riza Halimi, deputet nga Kuvendin e Serbisë, vlerësoi lartë interesimin e investitorëve të huaj në këto treva, nga të cilat pritet të ketë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe punësim të qytetarëve. Sipas tij Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, duhet që ta mbështesin Luginën në zhvillimin e saj.

Shaip Kamberi, deputet në Kuvendin e Serbisë, tha se secili qytetar duhet të mbështes fuqishëm iniciativat e tilla për zhvillimin e Medvegjës, Bujanocit e Preshevës, e cila anë është e diskriminuar nga shteti serb. Jo vetëm Shqipëria, por edhe Kosova duhet që të japin mbështetje edhe më të madhe, sea kanë dhënë deri tash.

Sipas tij, diaspora është një burim I çmuar për zhvillimin e këtyre trevave dhe të cilat duhet të mbeten prioritet nga të gjithë. /Telegrafi/