LAJMI I FUNDIT:

Për pula mos e le, bëhu pjesë e inkubatorit të ICK-së!

Për pula mos e le, bëhu pjesë e inkubatorit të ICK-së!

Idetë kreative të bazuara në teknologji dhe inovacion që kanë potencial për t’u shndërruar në produkte a shërbime të suksesshme në treg janë synim i thirrjes së tetë për aplikim me ide në inkubatorin e Innovation Centre Kosovo (ICK).

Kjo ftesë e ICK-së nuk i dedikohet vetëm individëve me ide biznesi por edhe kompanive që operojnë më pak se dy vjet në treg. “Thirrja e tetë për ide biznesi është një mundësi për të gjithë të interesuarit që t’i shndërrojnë idetë e tyre komerciale në biznes fitimprurës si dhe të zgjerojnë biznesin e tyre aktual”, thotë Safet Rama menaxher i Inkubatorit të ICK-së.

Sipas Ramës të gjithë të interesuarit duhet të aplikojnë online që të garojnë për të fituar mbështetje për biznesin e tyre nga inkubatori i Innovation Centre Kosovo. “Inkubatori i mbështet ndërmarrësit me mentorim, konsultim, trajnime, rrjetëzim dhe duke ofruar qasje në zyre dhe ambiente të tjera”, tha ai.
Rama i ka ftuar të gjithë të interesuarit për të aplikuar para 10 shtator, kur edhe mbyllet afati për aplikim. Ai tregon se deri sot mbi 40 ekipe me afër 180 anëtarë kanë qenë përfitues të drejtpërdrejt nga shërbimet e inkubatorit si në konsulencë, mentorim, rrjetëzim ashtu edhe hapësira për zyre.


Mundësi aplikimi kanë të gjithë ata që duan që të nisin biznesin e tyre, e që kanë ide të shkëlqyeshme të bazuara në TIK me potencial në treg. Po ashtu mund të aplikojnë edhe ata që kanë kompani ekzistuese më prani më pak se dy vjet në treg, që kanë një produkt ose shërbim inovativ dhe duan ta zgjerojnë biznesin e tyre.

Innovation Centre Kosovo (ICK) është një qendër e specializuar për ndërmarrësi, innovacion dhe zhvillim biznesi, e përqendruar në teknologjinë e informacionit dhe komunikimit (TIK), e pajisur me kompjuterë, aplikacione për softuer, internet, aplikacione për celularë dhe për ueb, databaza, serverë etj, e cila ofron shërbime të inkubimit, mentorimit dhe trajnimit të ndërmarrësve dhe menaxherëve në planifikimin e bizneseve, kontabilitet, financa, zhvillim të produktit/shërbimit, marketingut/ shitjes, burime njerëzore, zhvillimin dhe transferimin e teknologjisë si dhe kontakte me biznese lokale, rajonale dhe ndërkombëtare.

Athene Prosjektledelse, Norvegji dhe Shoqata për Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit (STIKK) në Kosovë, janë themeluesit e ICK-së. ICK financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme e Norvegjisë. /Telegrafi/