LAJMI I FUNDIT:

Prishtina qendër energjetike rajonale

Prishtina qendër energjetike rajonale

“Evroenergie L.L.C ” nga Prishtina, me mbështetjen e Konrad Adenauer Stiftung dhe Austrian Development Corporation, për të tretin vit me radhë, organizon konferencën ndërkombëtare “Tregu i energjisë në Evropën Juglindore 2014”

Konferenca mbahet më 18 dhe 19 shtator në Swiss Diamond Hotel, në Prishtinë. Sipas paralajmërimeve, në këtë konferencë do të marrin pjesë rreth 200 përfaqësues të kompanive dhe të asociacioneve të ndryshme nga rajoni e më gjerë, të cilat merren me çështje të energjetikës. Me këtë rast, nga ekspertë të njohur të këtij sektori nga Kosova, Gjermania, Shqipëria, Maqedonia, Bullgaria, Austria, Bosnja e Hercegovina, Kroacia, etj., do të trajtohen tema me interes të veçantë.

Pos qëllimit për të diskutuar sfidat dhe mundësitë e vendeve në rajon, evroenergie L.L.C. ka këmbëngulë që konferencën edhe sivjet ta mbajë në Prishtinë, në kryeqytetin e shtetit më të ri evropian, në mënyrë që dhe të forcohet pozita e Kosovës në raport me vendet e rajonit, posaçërisht në sektorin energjetikës.


Në Prishtinë takohen të gjithë akterët e rëndësishëm për tregun e energjisë në Evropën Juglindore, ku trajtojnë të gjitha problemet që ndërlidhen me rajonin, koordinojnë veprimet dhe planet zhvillimore, si edhe analizojnë rrugët-format më të qëndrueshme dhe më të shpejta për integrim në tregun e madh energjetik evropian.

Rëndësia e konferencës Energy Market South East Europe 2014 qëndron dhe në faktin se, sektori i energjisë së Evropës Juglindore është çelës për rritje ekonomike rajonale dhe të prosperitetit, por njëkohësisht, hapë rrugën për në Bashkimin Evropian, duke marrë parasysh dhe faktin se burimet natyrore në Evropën Juglindore ofrojnë mundësi të shumta për investime. Nga ana tjetër dihet se Evropa Juglindore me themelimin e

Komunitetit të Energjisë obligohet të përmbushë direktivat evropiane, gjë që i ballafaqon pjesëmarrësit e tregut me sfida të mëdha.
Kjo duket edhe më qartë kur kemi parasysh temat që do të trajtohen gjatë dy ditëve, sa zgjatë konferenca: “Politikat energjetike evropiane dhe liberalizimi, Mundësitë dhe sfidat – Çfarë e pret në të ardhmen Evropën Juglindore, Zhvillimi strategjik i infrastrukturës dhe siguria e furnizimit me energji elektrike dhe gaz në tregun Evropës Juglindore, Rritja e kapaciteteve prodhuese me qëllim të mbulimit të kërkesës për energji elektrike në Evropën Juglindore, Rritja e eficiencës së energjisë elektrike- Integrimi i decentralizuar i sektorit të energjisë, Mundësitë e prodhimit dhe të tregtisë së energjisë elektrike në zonat ndër-kufitare në Evropën Juglindore”.

Energy Market South East Europe 2014 si platformë informimi dhe komunikimi, vë në dispozicion hapësirën mbi të cilën vendimmarrësit nga ekonomia energjetike dhe politika mund të shkëmbejnë drejtpërsëdrejti eksperiencat e tyre në lidhje me sfidat aktuale, mundësitë e investimeve dhe trendët e së ardhmes.

Konferenca, përpos që është një vend ku trajtohen temat me interes të veçantë, ajo pjesëmarrësve u ofron një spektër të gjerë mundësish për promovim, bashkëpunim dhe shkëmbim të përvojave.

Pjesë e konferencës do të jetë edhe një panair shoqërues, ku kompani të ndryshme prodhuese dhe shërbyese do të prezantojnë ofertën e vet. Këtu do t’ju epet mundësia të njiheni me kompani prestigjioze të sektorit energjetik, siç janë: LEM Engineering consultancy Load and Energy Management, SIV.BG, Konrad Adenauer Stiftung, KISTERS AG, KFW, Tirana Business Park sh.p.k, Crimson Capital L.L.C etj. /Telegrafi/