LAJMI I FUNDIT:

Kosova me çmimin e rrymës më të shtrenjtin në rajon

Kosova me  çmimin e rrymës më të shtrenjtin në rajon

Çmimi i energjisë elektrike është më i shtrenjti në rajon. Këtë lajm e ka bërë të ditur për Radio Kosovën, përfaqësuesi i shoqërisë civile, Agron Demi. Ai theksoi se problem tjetër me çmimin e energjisë në Kosovë është që ne paguajmë energjinë elektrike të cilën nuk e shpenzojmë për shkak të rrjetit të vjetruar.

Krahasuar me gjendjen ekonomike dhe sociale sa janë pagat mesatare dhe sa paguajmë energji elektrike në Kosovë çmimi i rrymës është më i shtrenjti në rajon. Përfaqësuesi i Shoqërisë Civile, Agron Demi thotë se në vendin tonë qytetarët paguajnë edhe energjinë elektrike të cilën nuk e shfrytëzojnë. Sipas tij e gjithë kjo ndodhë për shkak se Zyra e Rregullatorit të Energjisë përmes një formule qe qytetarët të cilët paguajnë rrymën t’i paguajnë edhe humbjet.

“Si konsumatorë të rregullt ne e paguajmë edhe humbjen e energjisë për shkak të rrjetit të vjetër, e paguajmë edhe atë çmim të atyre konsumatorëve të cilët e konsumojnë rrymën por nuk e paguajnë. Si dhe paguajmë edhe humbjet politike në pjesën veriore të cilët nuk e paguajnë rrymën”, tha ai.


Përfaqësuesi i Shoqërisë Civile, Agron Demi tregon se para se të fillohej me formën e peticionit kanë kërkuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë që të rishqyrtojë vendimin. Sipas Demit vendimi i ZRE-së është jashtë ligjor. “Ky vendim është jashtëligjor duke u bazuar në atë se kur kanë qenë dëgjimet publike në shkurt të vitit 2014 dhe kur tarifat e vjetra kanë skaduar në fund të muajit mars është dashtë që ZRE të marrë një vendim ose të vazhdojë edhe për një vit tarifat e vjetra ose të rrisë ato si i ka rritë tash”, tha ai.

Sipas përfaqësuesit të Shoqërisë Civile, Agron Demi pas dështimit të gjithë këtyre hapave nga ana e tyre, kanë vendosur të dalin me një peticion. Ai tha se kemi kërkuar edhe një herë që Kuvendi i Kosovës të kërkojë nga Zyra Rregullatorit të Energjisë anulimin e vendimit. Ai shtoi se rritja e energjisë elektrike është rritur dy herë brenda një kohe të shkurtër dhe kjo nuk përkon me gjendjen sociale dhe ekonomike.  /Telegrafi/