LAJMI I FUNDIT:

U hap panairi “AGROKOS”

U hap panairi “AGROKOS”

Në Pallatin e Rinisë në Prishtinë u bë hapja zyrtare e panaireve, atij të agrobiznesit, ushqimit dhe pijeve “AGROKOS”; panairit të mjekësisë, farmaceutikës, dhe stomatologjisë “MEDIKOS”, si dhe panairit të teknologjisë informative dhe telekomunikacionit “ITTF 2014”.

Në emër të CEO-s, si organizator i këtyre aktiviteteve, Lulzim Krasniqi, përshëndeti pjesëmarrjen e lartë të kompanive ekspozuese nga Kosova dhe nga jashtë duke theksuar se: “Panairi “AGROKOS 2014”, do të vazhdoi të rikonfirmojë veten si një event modern promovues, i cili po u shërben bizneseve prodhuese, distributorëve, profesionistëve nga Kosova dhe nga jashtë për të rritur nivelin e bashkëpunimit me partnerët biznesor, me institucionet, si dhe me vetë konsumatorët.

Përveç bizneseve nga Kosova, në “AGROKOS 2014” po marrin pjesë numër i konsiderueshëm i kompanive si dhe delegacioneve të afaristëve nga vendet e huaja.


Ndërsa, sa i përket panairit të mjekësisë, farmaceutikës dhe stomatologjisë “MEDIKOS”, në të po marrin pjesë shumë klinika nga Kosova, rajoni dhe më gjerë, prodhues të pajisjeve mjekësore, ofrues të shërbimeve, mjekë, menaxherë të spitaleve, etj.

Në hapjen solemne, ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, përshëndeti organizimin e panairit dhe inkurajoi bizneset pjesëmarrëse nga fusha e shëndetësisë që të vazhdojnë me investime dhe me zgjerimin e gamës së shërbimeve. Ai theksoi se pas hyrjes në fuqi të ligjit mbi sigurimet shëndetësore, i mbarë sektori do të ketë impakt pozitiv.

Ndërsa në panairin “ITTF” po ekspozohen produkte dhe shërbime nga fusha e IT-së dhe Telekomunikacionit.

Panairet do të jenë të hapura deri me datë 11 tetor 2014. /Telegrafi/