LAJMI I FUNDIT:

Jacobson e Bajrami bisedojnë për Brezovicën

Jacobson e Bajrami bisedojnë për Brezovicën

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hikmete ,Bajrami takoi sot ambasadoren e SHBA-ve në Kosovë, Tracey Ann Jacobson. Në takim morën pjesë edhe James Hope – drejtor i USAID-it për Kosovë, dhe Cavan Fabris – zyrtar për Ekonomi dhe Tregti në Ambasadën e SHBA-ve në Kosovë.

Bajrami e informoi Ambasadoren Jacobson me prioritetet e Ministrisë, përkrahjen për zhvillimin e sektorit privat, përfshirë përmirësimin e klimës së biznesit, avancimin e politikave tregtare, përmirësimin e lëvizjes së lirë të mallrave dhe rregullimin e tregut të brendshëm. Ajo theksoi se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë do të ketë nevojë për përkrahje dhe koordinim të vazhdueshëm me të gjithë partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë.

Jacobson i uroi Ministres Bajrami detyrën e re. Ajo konfirmoi përkrahjen e SHBA-ve për Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë përmes projekteve specifike që fokusohen në përmirësimin e klimës së biznesit, ndihmën e bizneseve për një qasje më të mirë në financa dhe përkrahjen për angazhimet e qeverisë për luftën kundër korrupsionit dhe ekonomisë joformale.


Bajrami dhe Jacobson diskutuan po ashtu edhe për angazhimin e Ministrisë për riaktivizimin e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, si dhe për projekte të rëndësishme që përkrahen nga USAID, si projekti zhvillimor i Brezovicës dhe projekti Empower. /Telegrafi/