LAJMI I FUNDIT:

Miratohet ndryshimi i projektligjit për ndërmarrjet publike

Miratohet ndryshimi i projektligjit për ndërmarrjet publike

Pas një debati nëntë-orësh me kritika të shumta nga opozita dhe pozita, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar në parim propozimin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Ndërmarrjet Publike. I gjithë debati ishte kundër dhe pro nenit që për asetet e ndërmarrjeve publike të kenë kompetenca edhe komunat. Për propozimin kanë votuar 48 deputetë, kundër 22 dhe 1 abstenim.

Në debatin e pasdites është përfshirë edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, duke mohuar se këtë projekligj në Kuvend e ka sjellë Qeveria e Serbisë.

Ndërsa, Rexhep Selimi nga Vetëvendosje kërkoi që ligji për Trepçën të vije sa më shpejtë në Kuvendin e Kosovës dhe të mos lejojë që Trepça të bëhet pjesë e dialogut në Bruksel.


Pas fjalimit të Selimit, në një debat të nxehtë u përfshi deputeti Faton Topalli me deputetin Muhamet Mustafa. Topalli akuzoj Mustafën se po përdorte fjalor i cili i shkonte përshtati parullës “Trepça punon, Beogradi ndërton”.

Atij me kundër-replik i është përgjigjur Mustafa i cili ka thënë se deklarata e Topallit nuk qëndron, për çka kërkuar që ai të mos manipulojë me këtë çështje.

Ndërsa, Adem Grabovci, në cilësinë e shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, ka thënë se Topalli tërë këtë dialog po e zhvillon për të promovuar veten.

Kërkesës së Topallit që dikush duhet të marrë përgjegjësi për atë se si ka ardhur ky projektligj në Kuvend, i është përgjigjur shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri.

“Mos lypni këtu përgjegjësi sepse ky është propozim. Përgjegjësinë e marrim kur të votojmë. Nuk jemi këtu në hetuesi”, ka thënë Beqiri.

Daut Haradinaj në emër të Grupit Parlamentar të AAK-së ka thënë se Qeveria është e shantazhuar nga Beogradi dhe se ka obligime ndaj Brukselit, prandaj e ka sjellë këtë pikë në projektligj. Ai mes tjerash ka replikuar me shefin e grupit parlamentar të PDK-së, Adem Graboovci, të cilit i ka thënë se një veturë e Qeverisë kushton më shtrenjtë se rregullimi i xhamave të thyer në protestën e 24 janarit. /KP/Telegrafi/