LAJMI I FUNDIT:

Barna të jashtëligjshme në tregun e Kosovës

Barna të jashtëligjshme në tregun e Kosovës

Gjashtë lloje barnash, për të cilat Agjencia për Produkte dhe Pajisje Medicinale e Kosovës kishte urdhëruar kompanitë dhe barnatoret që t’i tërhiqnin nga stoqet, po vazhdojnë të shiten pa problem në pothuajse të gjitha barnatoret.

Ditë më parë Agjencia Evropiane e Barnave kishte dhënë rekomandime që 300 produkte medicinale të largoheshin nga tregu për shkak se nuk ishin të sigurta, raporton KTV.

E në mesin e tyre 6 shiten në Kosovë, si Alvotadini, Ecitalpromi, Nebivololi, Tramadol Paraceti dhe Tridoxi.


Bazuar në këtë, Agjencia për Produkte dhe Pajisje Medicinale e Kosovës përmes një vendimi u kishte dhënë afat 7 ditë kompanive dhe barnatoreve në vend që t’i tërheqin këto produkte.

Kanë kaluar më së shumë se 10 ditë, por ky vendim i AKPPM-së nuk po zbatohet. KTV ka arritur që pa asnjë problem të sigurojë njërin nga këto produkte në një nga farmacitë e Prishtinës.

E derisa disa prej farmacive i shesin këto barna, ka të tjera që kanë vendosur t’i tërheqin dhe po presin që dikush prej institucioneve përgjegjëse t’i konfiskojë.

Ndonëse nuk pranojnë të flasin para kamerës, farmacistët thonë se ata janë informuar nga mediet lidhur me tërheqjen e këtyre barnave nga tregu dhe jo nga kompanitë apo AKPPM-ja.

Zyrtarët e AKPPM-së thonë se ata i kanë informuar kompanitë përgjegjëse për tërheqjen e këtyre barnave nga tregu. Mirëpo, sipas tyre inspektimet për tërheqjen e këtyre barnave duhet t’i bëjë inspektorati.

Mirëpo, kryeinspektorja e Inspektoratit Farmaceutik, Remzie Thaçi, përmes telefonit ka thënë ky inspektorat nuk ka ndonjë vendim zyrtarisht nga AKPPM-ja për të kryer inspektimet lidhur me këto 6 produkte medicinale, andaj nuk ka bërë ndonjë inspektim deri tash, transmeton Koha.net.

KTV gjithashtu ka provuar të kontaktojë edhe me kompanitë që sjellin në Kosovë këto lloj barnash. Vetëm njëra nga kompanitë ka dhënë një përgjigje, duke thënë se ka kërkuar nga barnatoret t’i heqin nga shitja këto lloj barnash, por që barnatoret nuk kanë vepruar në këtë rast.