LAJMI I FUNDIT:

KEDS angazhon dy kompani që do të lexojnë orët, e do bëjë (sh)kyçjet

KEDS angazhon dy kompani që do të lexojnë orët, e do bëjë (sh)kyçjet

Brenda pak kohësh, leximi i orëve të rrymës apo kryerja e shkyçjeve dhe kyçjeve të konsumatorëve, përpos punëtorëve të KEDS-it, pritet të bëhet edhe nga punëtorë të dy kompanive private, raporton KTV.

KEDS-i ka përzgjedhur kompanitë e sigurimit Security Code dhe Besa Security për t’i kryer këto shërbime.

Zyrtarë të KEDS-it nuk kanë pranuar të japin shumë detaje në lidhje me këtë marrëveshje, me arsyetimin se kjo është çështje e brendshme e kompanisë.


“Është praktikë normale dhe e shpeshtë për kompani private si KEDS të nënkontraktojnë kompani tjera për punë të ndryshme. Këto veprime janë ndërmarrë me qëllim të ofrimit të shërbimeve më të mira nga KEDS-i për konsumatorë. Nuk dëshirojmë të komentojmë detaje tjera në lidhje me këtë, pasi që edhe njëherë procese të tilla janë normale dhe interne në kompani të ndryshme private”.

Kjo kompani ka të trashëguar nga privatizimi i distribucionit dhe furnizimit mbi 700 punëtorë, që janë të angazhuar vetëm në leximin e orëve apo edhe kryerjen e shkyçjeve dhe kyçjeve të konsumatorëve.

Një numër i punëtorëve janë duke kryer trajnimet në Qendrën Trajnuese të KEK-ut, me qëllim që të pajisen me certifikatë.

Përpos ligjëratave, punëtorët janë duke ndjekur edhe kurset praktike të punëve, për të cilat do të angazhohen në këtë projekt.

“Për momentin janë finalizuar kontratat për trajnimin e deri 200 pjesëmarrësve, 100 nga secila kompani, konform çmimores së aprovuar për shërbimet në fjalë. Me këtë rast pritet që ky aktivitet të realizohet deri nga mesi i muajit të ardhshëm për të gjitha grupet”.

Drejtori i kompanisë “Security Code”, Esat Tahiri, ka thënë se marrëveshja me KEDS-in fillimisht është testuese për 3 muaj dhe se punëtorët e angazhuar do të punojnë edhe pas orës 4, përcjell koha.net.

Ai ka bërë të ditur se për një orë trajnimi të një punëtori duhet të paguajë 4 euro, ndërsa do të kenë në përgjegjësi edhe dëmet eventuale që mund t’i shkaktohen konsumatorit pas rikyqjes së energjisë.

Në kontratë, KEDS-i do të paguajë nga 7.5 euro njërën kompani për kryerjen e procesit të rikyqjes nga 15 euro sa ka qenë vlera e pagesës që një konsumator është dashur të paguajë në këtë ndërmarrje në momentin e parashtrimit të kërkesës për rikyqje të energjisë.

Kohavisioni ka provuar të marrë edhe drejtues të Besa Security, por ata nuk kanë shprehur gatishmërinë për të dhënë sqarime.