LAJMI I FUNDIT:

Shqipëria mund të ketë mbi 400 milionë tonë rezerva nafte dhe gazi

Shqipëria mund të ketë mbi 400 milionë tonë rezerva nafte dhe gazi

Qeveria shqiptare publikoi një material të shoqëruar me grafika dhe skica të blloqeve të mundësive të kërkimit për naftë dhe gaz natyror në të gjithë territorin e vendit. Materiali u publikua në konferencën ndërkombëtare “Albania Oil, Gas & Energy Summit 2015” të zhvilluar në Tiranë, raporton “Illyria Press”.

“Blloqet dhe mundësitë e kërkimit” paraqet veprimtarinë e kërkimit të naftës dhe gazit në Shqipëri që në vitet 1903-1913. Asokohe janë kryer edhe studimet dhe shpimet e para gjeologjike për nxjerrjen e naftës dhe gazit. Shpimi i parë u realizua në vitin 1918 në Drashovicë, Vlorë, prej nga u zbuluan sasira nafte në depozitimet oligocenike, në thellësi rreth 200 m.

Ministri Damian Gjiknuri tha në konferencë se pavarësisht zhvillimeve që i quajti “jo shumë optimiste” në botë, Shqipëria ka dhënë sinjale pozitive sa i takon industrisë hidrokarbure. Zoti Gjiknuri veçoi si pritshmëri me shumë rëndësi atë që e cilësoi si “rezultati premtues i kërkimeve të deritanishme në zonën e Shpiragut nga kompanitë Shell-Petromanas”, transmeton shekulli.


Në vitin 2014 në Shqipëri prodhimi i naftës bruto arriti nivelin 1,4 milion ton krahasuar me 1,2 milion ton që kishte qenë në vitin pararadhës 2013. Ndërkohë, po në shifrat krahasimore të viteve 2013-2014, nafta e përpunuar ka qenë 60 mijë ton (2013) me 260 mijë ton (2014).

Ministri tha se këto rezultate dëshmojnë se qeveria e sheh me përparësi industrinë përpunuese, duke dhënë shembullin e rivënies në punë të rafinerive të kompanisë “ARMO”.

Gjiknuri shtoi se me pritjen e investimeve të rritura “në industrinë e rafinimit, parashikohet se përpunimi i naftës për vitin 2015 të arrijë në mbi 700 mijë ton”.

Ministri në fjalën që mbajti iu përgjigj vetë pyetjes që shtroi nëse Shqipëria ka mundësi të pazbuluara: “Mjafton t’u sjell në vëmendje një fakt mjaft të thjeshtë: Në vitin 1974, prodhimi i naftës bruto në vend arriti në 2.2 milionë ton, gati dyfishi i asaj çka nxirret sot. Studimet e hershme gjeologjike, – vijoi ministri – sugjerojnë se rezervat e vendit në naftë dhe gaz arrijnë në mbi 400 milion tonë, nga të cilat vlerësohet se rreth 40 milion ton janë ende lehtësisht të nxjerrshme”.

harta